“Jeta imiton artin shumë më tepër sesa arti imiton jetën.”-Oscar Wilde

Arti ka qenë pjesë e jetës për aq kohë sa vetë njerëzimi ka ekzistuar. Për mijëra vjet me radhë deri në ditët e sotme, njerëzit krijojnë, vështrojnë dhe shijojnë artin. Është pjesë e kulturës dhe jetës sonë të përditshme. Nëpërmjet formave dhe mediumeve të ndryshme që artistët zgjedhin si; artet pamore, skulptura, muzika, letërsia, filmi, teatri, piktura, etj, ata shprehin idetë dhe imagjinatën krijuese të tyre dhe tonën në forma të prekshme.  Nëse të gjithë individët e një shoqërie mundohen të bëjnë këtë gjë, krijohet një psikikë kolektive e një përiudhe të caktuar duke bërë që mesazhi i artit ta tejkalojë kohën apo vendodhjen. Arti i bashkon njerëzit, duke u kujtuar atyre vlerat që e duhet të mbështesin, u kujton se cfarë ka më shumë rëndësi në jetë, dashuria, e bukura, e mira, pikat takuese dhe jo ndarëse, pasionet dhe dëshirat e njeriut. Ai ngrihet mbi klasën politikë, gjuhën, nacionalitetin, gjininë apo faktorë të tjerë të cilat mundohen të na ndajnë. Historikisht arti është përdorur si mjet ndërtues dhe përmirësues i jetës, si një armë për tu qasur me njëri tjetrin me më shumë empati dhe mirëkuptim. Arti në shumicën e rasteve më tëpër se sa krijimtari e bukur për t’u parë, është ajo cfarë ne jemi, cfarë na ka ndodhur, sa të thyer mund të ndihemi, si të shërohemi, si të ngjisim copëzat, si e ngjyrosim jetën. Në Greqinë e lashtë, arti ishte virtyt i njeriut të mirë, i cili përkrahte kulturën, intelektin dhe vlerat estetike. Po ashtu dhe filozofët si Plato apo Aristoteli kanë pohuar ndikimin dhe vlerën e madhe të artit në jetën e fëmijëve. Në Amerikë, pas luftës Revolucionare të shek.18, veprimtaritë artistike si letërsia, poezia e muzika ishin ndër aktivitetet më të pëlqyera për të përmirësuar cilësinë e jetës. Studime të shumta vërtetojnë se arti është një mjet i fortë në përmirësimin e mirëqënies, në edukimin e të rinjve, në përfshirjen sociale,në zhvillimin ekonomik dhe rigjenerimin e komunitetit. Ai i jep shoqërisë identitet kulturor si dhe ndikon në përmirësimin e shëndetit mendor e fizik të njerëzve.  Arti shihet si një instrument për të mirëmbajtur shoqërinë. J. Dewey në librin e tij Arti si një eksperiencë deklaron se vlera e artit duhet të përfshihet në sistemet e marrëdhënieve shoqërore. Pra arti nuk qëndron për veten e tij, por përkundrazi është në shërbim të vlerave të shoqërisë. Sic dhe Pablo Picasso thotë: “Arti largon nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme.”

Thënë këtë, shoqëria duhet ta shohë dhe trajtojë  botën e artit dhe kulturës si një burim jetik jo vetëm për zgjidhjet, por edhe për mënyrat e gjetjes së zgjidhjeve.  Veprime të ndryshme brenda arteve, siç janë pikturat, muralet, festivalet, panairet, vizitat në muze,  ekspozitat apo shfaqjet teatrale shërbejnë si një arratisje nga rutina e përditshme. Ndërkohë që argëtohesh ndjehesh i lirë, pushon, relaksohesh dhe shijon dicka të bukur. Pra, arti ka ndikim në anën psikologjike të njeriut duke përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Aktivitete të tilla jo vetëm ofrojnë kënaqësi momentale, por hapin dritare të reja për vëzhguesin, i celin dyer imagjinatës, mendimit kreativ dhe të pavarur duke ndikuar kështu në dëshirën për të sjellë dicka të re, ndryshe, unike dhe me individualitet të tijin.

Shkruan: Brunilda Basha, ndjek doktoraturën për arkitekturë në Universitetin “Yildiz Teknik”, Turqi.

STUDENTET.MK

About Author