Menaxherët kryesorë kanë një qëndrim krejtësisht të ndryshëm ndaj kompanisë, hapësirës së punës dhe menaxhimit të ekipit, nga menaxherët mesatarë ose të mirë.
Për Inc.com, eksperti i marketingut dhe biznesit, Jeffrey James ndan tetë njohuritë e tij kryesore për “menaxherët më të mirë nga më të mirët”, bazuar në bisedat që ai ka pasur me disa nga menaxherët më të suksesshëm në botë.
Biznesi është një ekosistem, jo një fushë beteje
Shefi mesatar e kupton biznesin si një konflikt midis kompanive, departamenteve dhe grupeve. Ata formojnë ushtri “ushtarësh”, e shohin konkurrencën si armik dhe klientët i trajtojnë si “territor për t’u pushtuar”.
Shefat e mirë e kuptojnë biznesin si një simbiozë[1] ku kompania që do të përshtatet më së miri lulëzon dhe mbijeton. Ata krijojnë ekipe që përshtaten lehtësisht me tregjet e reja dhe shpejt fillojnë të bashkëpunojnë me kompani të tjera, klientë dhe madje edhe konkurrentë.
Punonjësit janë të barabartë me mua
Shefat e zakonshëm i shohin punonjësit e tyre si vartësit e tyre, të cilëve nuk mund t’u besohet.
Menaxherët e mirë e trajtojnë secilin prej punonjësve sikur të ishte personi më i rëndësishëm në kompani. Në këtë mënyrë, punonjësit e të gjitha niveleve ndihen të rëndësishëm dhe e bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kompania është një komunitet, jo një makinë
Shefat e zakonshëm e shohin kompaninë si një makinë, ingranazhet[2] e së cilës janë të punësuarit. Ata krijojnë struktura strikte me rregulla strikte dhe mbajnë fort “timonin”.
Menaxherët e mirë e shohin kompaninë si një grup ëndrrash dhe shpresash individuale, të mbledhura për një qëllim të përbashkët. Ata frymëzojnë punonjësit që të angazhohen për sukses.
Menaxhimi është shërbim, jo kontroll
Shefat e zakonshëm u kërkojnë punonjësve të bëjnë pikërisht atë që u thuhet. Ata kanë frikë nga çdo gjë që të kujton mosbindjen dhe krijojnë një mjedis në të cilin iniciativa individuale zbret “të presim dhe të shohim se çfarë thotë shefi”.
Udhëheqësit e vërtetë vendosin drejtimin dhe më pas thjesht u japin punonjësve të tyre burimet që u nevojiten për të kryer punën. Ata e lënë ekipin të krijojë rregullat e veta dhe ndërhyjnë vetëm kur është e nevojshme.
Motivimi vjen nga vizioni, jo nga frika
Shefat e zakonshëm e shohin frikën si një mënyrë bazë për të motivuar punonjësit – të mos pushohen nga puna, të mos humbasin privilegjet. Por në këtë mënyrë ekipi, dhe vetë shefat “paralizohen” dhe nuk mund të marrin vendime të rrezikshme.
Shefat e mirë frymëzojnë punonjësit që të shohin një të ardhme në të cilën ata vetë marrin pjesë. Në këtë mënyrë, njerëzit në ekip punojnë shumë, sepse besojnë në qëllimet e kompanisë, ndihen të kënaqur dhe sigurisht e dinë se do t’u jepet një pjesë e shpërblimit.
Ndryshimi të çon në sukses
Shefat e zakonshëm e shohin ndryshimin si diçka të ndërlikuar dhe frikësuese, diçka që duhet përdorur vetëm si mjet i fundit. Ata e vonojnë ndryshimin derisa të jetë tepër vonë.
Liderët e shohin ndryshimin si një pjesë të pashmangshme të jetës. Ata e dinë se suksesi është i mundur vetëm kur punonjësit dhe organizata “pranojnë” mënyra të reja të të bërit biznes.
Teknologjitë ofrojnë përmirësime, jo automatizim
Shefat e zakonshëm i përmbahen nocionit të modës së vjetër se teknologjia është një mënyrë për të forcuar kontrollin. Ata instalojnë sisteme bga të cilët nuk përfitojnë punonjësit.
Menaxherët e mirë e shohin teknologjinë si një mënyrë që njerëzit të jenë më kreativë dhe të komunikojnë më lehtë.
Puna duhet të sjellë gëzim, jo lodhje
Shefat e zakonshëm ndajnë mendimin se puna është një e keqe e domosdoshme. Ata e shohin veten si shtypës dhe punonjësit si viktima.
Udhëheqësit e vërtetë mendojnë për punën si diçka që duhet të sjellë gëzim. Kjo është arsyeja pse ata besojnë se misioni i shefit është të shpërndajë detyrat tek punonjësit në mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur.
[1] Lidhje a marrëdhënie të ngushta në mes popujve të ndryshëm që banojnë në të njëjtat troje; lidhje e ngushtë në mes dukurish të afërta.
[2] Ndërtimi i brendshëm e funksionimi i diçkaje; mënyra si punon a si vihet në lëvizje diçka
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK