Ndajshtimet e veçuara të grupit të tretë, që shprehin marrëdhënie përcaktore të gërshetuara me marrëdhënie rrethanore, përdoren më rrallë se ato të grupeve të tjera. Duke pasur ngjyrimin e shkakut, më rrallë atë të lejimit, këto ndajshtime mund t’i quajmë edhe ndajshtime të veçuara me ngjyrime rrethanore, ku mbizotëruese janë marrëdhëniet përcaktore (krahaso “përcaktorët e veçuar rrethanorë”).
Në ndajshtimet e veçuara të këtij grupi bien në sy dy tipa strukturorë: a) ndajshtime të veçuara që qëndrojnë zakonisht përpara gjymtyrës së përcaktuar: b) ndajshtime të veçuara që paraprihen nga pjesëza si, zakonisht të prapavendosura:
a) Mësues, lëvrues i gjuhës, një ndër letrarët tanë të parë për fëmijë, militant i paepur i çështjes sonë kombëtare dhe dëshmor i kësaj çështjeje. Bir i shtresave të mesme qytetare, Gramenoja filloi ta humbë që herët edhe atë besim që mund të ketë pasur ndaj shtresave të larta të shoqërisë shqiptare.
b) Zenuni, si më i riu, tundte kokën dhe priste çdo të thoshte më tej Spiro Shtegu. Si ruajtëse, vazhduese dhe kurorëzuese e thesarit të traditave historike, patriotike dhe revolucionare të popullit tonë, inteligjencia shqiptare e bëri figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij popullore një mjet mobilizimi patriotik në shërbim të çështjes së madhe të lirisë e të pavarësisë kombëtare.
Rrallë takohen rastet e ndajshtimeve të veçuara ku marrëdhëniet përcaktore janë gërshetuar me nuancën e lejimit:
As na shkoi në mend që ju, veteriner e me shkollë të madhe, të mos dalloni dot mishin e qengjit nga mishi i dhisë.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK