Lidhur me periodizimin e gjuhës shqipe janë paraqitur skema të ndryshme të bazuara në kritere të ndryshme gjuhësore dhe historike. Problemi bëhet mjaft i ndërlikuar, nëse shihet i lidhur me hipotezat e ndryshme për prejardhjen e kësaj gjuhe. Nëse i përmbahemi mendimit për një prejardhje të pavarur, atëherë proto-shqipja do të kishte një periudhë të shqipes antike, që do të shërbente si hallka e parë e periodizimit. Përndryshe proto-shqipja do të identifikohej me ilirishten, me trako-ilirishten etj. Në këto rrethana, zgjidhja më e pranueshme do të ishte që periodizimin ta nisim me shekujt e parë të erës së re.

1. Shqipja e vjetër – deri në shekullin VIII-IX. Kjo periudhë përfshin historinë e vonshme të gjuhës mëmë dhe shndërrimin e saj në shqipen e mirëfilltë. Në këtë kohë u përvijuan dy dialektet e saj kryesore dhe përfundoi dukuria e rotacizmit. Me rishfaqjen e emrit etnik të shqiptarëve në shekullin e dhjetë, identiteti i gjuhës së tyre arbëreshe konsolidohet përfundimisht. Ka shumë pak të ngjarë që të ekzistojnë dokumente të shkruara në gjuhën arbëreshe të kësaj periudhe.

2. Shqipja e mesme – deri në shekullin e XVII. Emërtimi arbëreshe pak nga pak u përhap mbi gjithë trevën e shqipes. Tashmë kjo gjuhë nuk është në kontakt me greqishten e vjetër dhe latinishten, por me gjuha të tjera dhe me etapa të ndryshme të këtyre gjuhëve gjatë evoluimit historik. Që nga kjo kohë shqipja ka marrëdhënie e kontakte me italishten, greqishten e mesme, maqedonishten, serbishten, turqishten. Bashkë me lëkundjet e Perandorisë Bizantine në shekullin e dymbëdhjetë u ngrit si forcë politike klasa feudale arbëreshe dhe u krijuan principatat e Arbërit. Në këto rrethanam kur edhe popullsia, edhe klasa drejtuese ishin vendëse, lindi kërkesa dhe nevoja historike për ta shkruar gjuhën shqipe. Shqipja u bë gjuhë e shkruar. Ndryshimet dialektore të kësaj periudhe janë më të vogla se në periudhën e mëvonshme.

3. Shqipja e re – deri në ditët tona. Duke nisur me shekullin XVIII gjuha tashmë njihet me emrin e ri shqip. Duke nisur nga kjo kohë lëvrimi dhe ngulitja e gjuhës letrare del si problemi qendror dhe zhvillimi i përgjithshëm varet prej tij. Madje edhe çështja e huazimeve bëhet gjithnjë e më tepër një aspekt i orientimit kulturor dhe civilizues. Në këtë periudhë duhen veçuar dy faza të rëndësishme: faza e Rilindjes (1820-1920) dhe faza e shqipes së sotme (pas 1920), ose gjuha e sotme shqipe. Në tre dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të njëzetë shqipja standarde është bërë një realitet praktik, një mjet themelor për shprehjen e kulturës kombëtare për të gjithë shqiptarët. Me strukturën e saj gramatikore dhe me thesarin e pasur leksikor, gjuha letrare shqipe është dëshmia më e mirë e prirjes, e fuqisë krijuese, e pasurisë shpirtërore dhe emocionale të popullit shqiptar. Kujdesi për përvetësimin dhe ruajtjen e gjuhës letrare shqipe shtrihen në dy drejtime kryesore: 1. në drejtim të përpjekjeve të studimit të saj në të gjitha fushat, posaçërisht të dialekteve dhe të të folmeve të saj, dhe 2. në mjediset, në të gjitha strukturat, në të gjitha profesionet, në të gjitha shtresat e popullsisë, qoftë në variantin e folur apo të shkruar.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S