Fjalitë emërore treguese tregojnë një send që është i pranishëm. Këto fjali tërheqin vëmendjen për ekzistencën e një sendi që ndodhet përpara. Ato karakterizohen nga pjesëza treguese ja. Në të folur shpesh shoqërohen me gjeste:

Shpeshtuam hapat. Ja rrugica. Ja shtëpia. Djali qëndroi dhe nuk eci më tutje. Ja shtëpia e Shpresës së bukur.

Si fjali emërore të quajtura emërtuese merren herë-herë emërtimet gjeografike, emërtimet e institucioneve të dyqaneve etj. Edhe këto nëpërmjet emërtimit tregojnë ekzistencën, qenien e një sendi. Shprehen me emra a togje emërore: Mobileri. Enë kuzhine. Kafe. Konfeksione të gatshme. Bonboneri. Teatri Popullor. Universiteti Tiranës.

Fjalitë emërore emërtuese gjejnë përdorim në gjuhën e shkruar. Ka studiues që këto emërtime nuk i pranojnë si fjali. Disa trajtojnë si fjali emërore ose u japin interpretim të dyfishtë fjalive të shprehura me një emër a tog emëror të pashquar: – Çudi! – tha me vete. Ç’pamje!

Fjalia emërore mund të jetë fjali e pavarur, e mëvetësishme, fjali kryesore e një periudhe me nënrenditje, por asnjëherë fjali e varur. Në ndonjë rast mund të kemi fjali emërore të bashkërenditura.

Ja edhe gryka, ja spangoja me të cilën ishte qepur.

Fjalitë emërore janë karakteristike sidomos për gjuhën e shkruar. Ato përdoren kryesisht në stilin e letërsisë artistike. Në stilet e tjera takohen më rrallë.
Fjalitë emërore treguese përdoren shpesh edhe në gjuhën e folur. Fjalitë emërore e bëjnë përshkrimin lakonik. Në këtë mënyrë shërbejnë si mjete të rëndësishme stilistike.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author