Në fjalitë njëkryegjymtyrëshe nuk bëhet fjalë për kallëzues të shprehur e për kryefjalë të pashprehur e anasjelltas as nuk “rindërtohet” fjalia duke shtuar kryefjalë a kallëzues. Një gjë e tillë është e panevojshme. dhe në disa raste e pamundur. Në disa fjali njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave është shprehur me folje, autori i veprimit bëhet i njohur gjuhësisht me anë të mbaresave të foljes. Në disa fjali të tjera njëkryegjymtyrëshe, ai nuk shprehet, sepse ka rëndësi vetëm veprimi. Ka edhe fjali ku shprehet një veprim a gjendje pavarësisht nga vepruesi, i cili as që mund të mendohet. Në fjalitë njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave është emër, shpreh ekzistencë:

Ta ndihmoni shokun: – Nisemi: Rrugës as gëk, as mëk, Tha Rrapoja,

Fjalitë njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave shprehet me folje, janë më të larmishme dhe përdoren shumë më tepër se fjalitë njëkryegjymtyrëshe, gjymtyra kryesore e të cilave shprehet me emër. Të fundit përdoren sidomos në stilin e letërsisë artistike. Në stilin publicistik e në stilin shkencor, që kërkon përpikmëri, përdoren më tepër disa nëntipa fjalish njëkryegjymtyrëshe të shprehura me folje. Fjalitë njëkryegjymtyrëshe, sidomos ato të tipit të parë, përdoren gjerësisht edhe në stilin bisedor.

Çdo grup fjalish njëkryegjymtyrëshe, i dalluar sipas klasifikimit të mësipërm, mund të ndahet në nëntipa. Natyra gramatikore, veçoritë gramatikore të këtyre grupeve e nëngrupeve të ndryshme të fjalive njëkryegjymtyrëshe janë të ndryshme.

Fjalitë me një gjymtyrë kryesore të shprehur me folje ndahen në dy tipa: 1) Fjali njëkryegjymtyrëshe vetore dhe 2) fjali njëkryegjymtyrëshe pavetore.

Fjalitë njëkryegjymtyrëshe vetore ndahen më tej në:

fjali me vetë të përcaktuar; fjali me vetë të papërcaktuar; fjali me vetë të përgjithësuar.

Fjalitë njëkryegjymtyrëshe pavetore mund ta kenë gjymtyrën kryesorë të shprehur me një folje ose me një togfjalësh. Secila prej këtyre dy llojeve mund të jetë fjali pavetore pa gjymtyrë të dyta të domosdoshme ose fjali pavetore me gjymtyrë të dyta të domosdoshme.

Fjalitë me një gjymtyrë kryesore të shprehur me emër, të cilat do të quhen fjali emërore, mund të grupohen sipas përmbajtjes kuptimore.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author