Gjymtyrët e ndryshme homogjene, krahas karakteristikave të tyre të përbashkëta, kanë edhe veçori e probleme që e bëjnë të nevojshme një vështrim të gjymtyrëve homogjene edhe sipas funksionit sintaksor të tyre në fjali. Ne, pa bërë një përshkrim të hollësishëm e të plotë të secilës prej tyre, do të mjaftohemi me disa vëzhgime e me shqyrtimin e problemeve kryesore që paraqesin disa prej këtyre gjymtyrëve.
Kryefjalët homogjene
Kryefjalët janë homogjene, kur i referohen një kallëzuesi ose disa kallëzuesve të përbashkët homogjenë: Nuk kishte ditë që të mos mblidheshin gratë, të rinjtë, brigada. Trupi dhe mendimi i qenë mpirë e i qenë ngurosur nga lodhja. Në xhade u dëgjuan kërcitje rrotash dhe trokitje patkonjsh.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe