Raporti i linguistikës me shkencat tjera shoqërore, veçanërisht me semiologjinë. Para së gjithash këtu duhet të veçojmë dy gjëra. Së pari, raporti i linguistikës me semiologjinë, dhe së dyti, raporti i linguistikës me shkencat tjera shoqërore, i cili mund të jetë direkt ose me ndërmjetësimin e semiologjisë. Për t’i dhënë një përgjigje përafërsisht të drejtë kësaj pyetjeje, ne do të veçonim mendimin në vijim, që thotë: “Ku është njerëzimi atje është edhe gjuha”. Kështu që është e pamundshme që të merremi me shkencat shoqërore pa e marrë parasysh edhe gjuhën. E kur është fjala për gjuhën, atëherë doemos duhet t’i drejtohemi shkencës së gjuhësisë, përkatësisht linguistikës. Pra, për të gjitha shkencat shoqërore linguistika ka një rëndësi të posaçme. Ajo ka lidhje të ngushtë dhe bashkëpunon e bashkëvepron me ato. Nga ana tjetër, një karakteristikë shumë e rëndësishme e sjelljes së njeriut është fakti se botëkuptimi i tij për realitetin nuk shkon direkt nëpërmjet realitetit të sendeve, por çdoherë në mënyrë indirekte, përmes vlerës që njeriu ua jep këtyre sendeve. Këtu do ta përjashtonim studimin shkencor që përpiqet të arrijë deri te realiteti, pavarësisht nga botëkuptimet e njeriut. Pra, sendet çdoherë duhet të kuptohen si shenja të sendeve, e jo të izoluara për vete. Sot, përgjithësisht, përkrahet mendimi se shkencat shoqërore vazhdimisht si objekt studimi do t’i kenë shenjat. Qasja semiologjike dhe metodologjia e saj janë shumë të dobishme dhe të rëndësishme për shkencat shoqërore. Kështu, për shembull, etnologët që e studiojnë veshjen ndjejnë nevojë për studim semiologjik të veshjes. Që ta realizojnë këtë, ata, para së gjithash, duhet t’i drejtohen semiologjisë së përgjithshme, e cila do t’u ofrojë metodologji përkatëse dhe mjete për analizë dhe studim. Kur përmendëm metodologjinë kemi parasysh linguistikën dhe raportin e saj me semiologjinë.

Linguistika funksionale mbështetet mbi artikulimin e dyfishtë të gjuhës. Detyra kryesore e linguistikës funksionale është që së pari të përcakton funksionet dhe pastaj kërkohen funksionet në gjuhë, duke u bazuar mbi parimet e pertinitetit.

Në çfarë mënyre do të veprojmë në semiologji? Në semiologji kemi punë me sisteme vlerash, të cilat nuk është e thënë të jenë thjesht vetëm gjuhësore, por që çdoherë shërbejnë për informim, sinjalizim. Së pari, duhet të përcaktohet tipi i organizimit të sistemit përkatës: vallë është analog me modelin gjuhësor ose bëhet fjalë për ndonjë tip tjetër të organizimit. Këtu nuk do të hyj në detaje, por vetëm do të kisha thënë se zbulojmë me të njëjtin veprim dhe lloje të tjera të organizimit. Pra, nuk duhet modelet gjuhësore direkt t’i zbatojmë në lloje tjera të sjelljeve dhe veprimtarive. Në këtë punë shumë i dobishëm do të jetë zbatimi i metodologjisë linguistike, me ndihmën e së cilës me saktësi do ta përcaktojmë objektin e hulumtimit tonë. Ta marrim si shembull studimin e veprimeve gjestikulative e cila realizohet në lidhje të ngushtë me sjelljen gjuhësore. Semiologjia na i ofron aparatin analitik për studimin e veprimeve gjestikulative si sistem semiologjik që nuk është gjuhë, por që duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur, pse të realizohet në simbiozë me të.

Në këtë kontekst ekziston një rregull hierarkik i disiplinave shkencore. Linguistikës i ndihmojnë edhe një varg shkencash shoqërore, si për shembull, krijimtaria popullore, etnologjia, etnografia, arkeologjia, madje edhe psikanaliza. Te të gjitha këto bëhet fjalë për një punë të njëjtë: duhet të caktohen marrëdhëniet, relacionet (raportet) ndërmjet tyre të njësive nga një sistem i caktuar vlerash. Këto raporte mund të jenë:

  • opozicioni apo binariteti (për shembull një element A është i pranishëm, ndërsa elementet tjera mungojnë dhe secili prej tyre ka vlerë të caktuar) ose
  • prania e përbashkët që mundëson krijimin e kuptimeve.

Në të gjitha rastet zbulohen kuptimet dhe atë me ndihmën e veprimeve të marra nga hulumtimi i komunikimit.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S