Gjuha letrare shqipe, krahas vlerave të gjera edukative dhe artistike është një monument i madh, një visar i mrekullueshëm i bukurisë e thjeshtësisë së fjalës shqipe, i leksikut dhe frazeologjisë së pasur e të larmishme, i frazës së qartë e të rrjedhshme i stilit konciz dhe i forcës së shprehjes.
Siç dihet, gjuha dhe letërsia shqipe zënë një vend me rëndësi në planprogramet e shkollës sonë. Si lëndë e veçantë ajo mësohet që nga klasa e parë e shkollës fillore e deri në klasat e fundit të arsimit të mesëm, si dhe në shumë shkolla të larta e fakultete, që përgatitin kuadro të profilit arsimor. Gjithashtu edhe tekstet shkollore kanë arritur një ngritje të mirë cilësore si nga ana e brendësisë ashtu edhe nga e gjuhësisë. Tekstet shkollore luajnë rol të rëndësishëm në përvetësimin e normës letrare.
Kur flasim për gjuhën letrare dhe tekstet shkollore duhet çdo herë të kemi parasysh detyrat themelore të shkollës dhe institucioneve të tjera botuese për kultivimin dhe zbatimin konkret të brendësisë, përmbajtjes dhe formës së tyre. Në tekstet shkollore duhet të gjejmë një gjuhë të pasur, të rrjedhshme, të kuptueshme, që pasqyron me të vërtetë thesarin e pashtershëm të gjuhës popullore e ngritur në nivelin e gjuhës letrare. Në tekstet shkollore duhet t’i gjejmë të zbatuara plotësisht të gjitha rregullat gramatikore, leksikore dhe drejtshkrimore të gjuhës shqipe. Sot më tepër se kurrë, në gjithë veprimtarinë e shkollës po bëhet përpjekje e vazhdueshme që të përdoret një gjuhë letrare e përpiktë, e pastër dhe e kulturuar, duke synuar që jo vetëm gjuha e teksteve të jetë plotësisht e normuar, e njësuar, e standardizuar, por edhe të folurit e mësuesit dhe të nxënësit të shkarkohen nga të gjitha luhatjet dhe ndikimet dialektore dhe të të folmeve, të vihet në përputhje të plotë me gjuhën e tekstit. Arsimtari i lëndës së gjuhës shqipe e ka barrën më të madhe që rinia shkollore sa më lehtë ta përvetësojmë gjuhën letrare, sepse ai është i lidhur për së afërmi me këtë. Mirëpo, nëse ai nuk gjen përkrahjen e ndihmën e arsimtarëve të lëndëve të tjera dhe të vetë familjes së nxënësit, atëherë do të jetë e kotë të presim që nxënësit tanë të përvetësojnë lehtë gjuhën letrare. Me format, metodat dhe mjetet e ndryshme ushtrimore që i përdor arsimtari gjatë orës e arrin qëllimin edukativo-arsimor, por njëkohësisht edhe ngritjen dhe përsosjen e nxënësve të aftësohen të flasin, të shprehen e të shkruajnë pastër, rrjedhshëm dhe pa gabime, në gjuhën letrare shqipe. Shtrohet pyetja: Cilat janë detyrat kryesore për aftësimin e nxënësve që të flasin e të shkruajnë pa gabime në gjuhën letrare shqipe?
Detyra themelore e arsimit për ngritjen dhe përsosjen e të folurit dhe të shkruarit të nxënësit janë: 1. Nxënësit të aftësohen të flasin drejtë e pa gabime, në frymën e gjuhës së sotme letrare shqipe; 2. Nxënësit të aftësohen të jenë në gjendje t’i lidhin fjalët dhe fjalitë në një tërësi logjike kuptimore; 3. Nxënësit të aftësohen që mendimet e tyre t’i shprehin në mënyrë të pavarur; 4. Të pasurohet fondi leksikor i tyre, përkatësisht fjalori i nxënësve etj.
Të gjithë këto detyra që dalin para arsimtarit dhe nxënësit nuk mund të realizohen menjëherë. Ato varen nga një mori faktorësh objektivë dhe subjektivë, siç janë shkolla, familja, rrethi shoqëror, faktori psikofiziologjik etj. Kultura e të shprehurit me gojë zhvillohet gjatë çdo ore të mësimit të gjuhës shqipe dhe pothuaj në çdo orë të mësimit të lëndëve tjera. Arsimtari i gjuhës shqipe duhet ta njohë mirë gjuhën letrare shqipe; të konsultojë, vazhdimisht, literaturë profesionale shkencore, revista, fjalorë, enciklopedi, praktikumë, e tekste gramatikore dhe ushtrimore etj. Megjithatë, në rradhë të parë gjuha e arsimtarit duhet të jetë shumbull për nxënësit, kurse të folurit e tij ndërgjegje e shëndoshë logjike për të komunikuar me ta. Për t’i realizuar sa më mirë detyrat e kësaj lënde dhe për të ndikuar që kuadrot e reja të fitojnë një kulturë të gjerë gjuhësore, për të cilën, rol vendimtar luajnë: arsimtari, nxënësi, teksti shkollor, familja, rrethi shoqëror etj. Përkundër rezultateve të arritura në këtë drejtim, në shkollat tona në përvetësimin e gjuhës letrare shqipe ende ka luhatje, mangësi dhe dobësi.
Nuk janë të rralla rastet kur nxënësit shkruajnë me gabime, fjalori i tyre është i varfër, nuk dinë t’i shprehin mirë mendimet me gojë apo me shkrim, përdorin mjaftë dialektizma, krahinarizma, lokalizma që nuk përkojnë me rregullat gramatikore dhe leksikore të shqipes dhe fatkeqësisht nuk janë në gjendje të përdorin pasuritë e shumta të gjuhës sonë letrare. Për të ngritur nivelin e mësimdhënies dhe nivelin e organizimit të mirë të orës mësimore, është e domosdoshme që vazhdimisht të ngritet edhe aftësia edhe puna shkencore, metodike e praktike e vetë mësuesit të lëndës dhe tekstit shkollor. Një rregull të tillë e përmban edhe reforma shkollore. Arsimtari i gjuhës duke pasur një shkallë të lartë arsimore-shkencore e kulturore për lëndën e gjuhës amtare duhet t’i rreket një pune sistematike e të programuar me kujdes dhe në bazë të normave të caktuara parimore. Kujdesi i tij duhet të jetë i njëjtë si gjatë orës ashtu edhe jashtë orës mësimore, kështu që nxënësit kur vërejnë interesimin dhe angazhimin këmbëngulës të arsimtarit të tyre, ata vetë zgjojnë interesim për thellimin e njohurive jo vetëm të gjuhës, por edhe të lëndëve të tjera. Arsimtari i lëndës duhet vazhdimisht të bëjë përpjekje që nxënësit t’i respektojnë rregullat e gjuhës letrare shqipe, duke fituar shprehi pune, që këto norma t’u bëhen pronë e përhershme në jetën e tyre të përditshme praktike.
Njohja dhe zotërimi i thellë praktik i gjuhës letrare shqipe, krijimi i shprehive gjuhësore, aftësimi i nxënësve në përdorimin e drejtë të mjeteve dhe të pasurisë gjuhësore, leksikore dhe frazeologjike në të folur e në të shkruar është qëllimi kryesor i lëndës së gjuhës në shkollë. Kurse kushti kryesor për zotërimin e gjuhës letrare dhe për krijimin e shprehive gjuhësore të nxënësit është përgatitja e mirë e teksteve shkollore.
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk