2.2. Në shkaqet e veçanta të veçimit mund të përmenden:
1) mosbashkëvajtja sintaksore e gjymtyrëve (përcaktorë, ndajshtime): 2) përdorimi i një serie gjymtyrësh të njëjta (përcaktor): 3) lidhja sintaksore e dobët e fjalëve përcaktuese e të përcaktuara (kundrina, përcaktorë).
Gramatikisht veçimi shprehet me intonacionin karakteristik të veçimit. Krahas intonacionit, rendi i pazakonshëm i disa gjymtyrëve duhet parë si mjet gramatikor i dytë, plotësues i shprehjes së veçimit. Ai vërehet në gjymtyrë të veçuara të ndryshme (përcaktorë, rrethanorë). Kështu, një përcaktor është i veçuar kur ndodhet para emrit a përemrit që përcakton, por mund të veçohet edhe pas një emri a përemri. Kjo gjë vërtetohet me shembujt që vijojnë, kur përcaktorët, megjithëse në pozicione të ndryshme, veçohen duke ruajtur të njëjtin ngjyrim kuptimor:
E hutuar pas studimit, Teuta as që e ktheu kryet. Miti, i lënduar në kallo, nuk e përmbajti veten.
3. Në të shkruar gjymtyrët e veçuara ndahen me presje. Gjymtyrët e veçuara zakonisht zgjerohen me gjymtyrë të tjera: të pazgjeruara ato dalin më rrallë. Një fjali mund të ketë një ose disa gjymtyrë të veçuara. Kur i referohen së njëjtës gjymtyrë, ato janë homogjene. Një ose disa gjymtyrë të veçuara mund t’u referohen edhe dy a më shumë gjymtyrëve homogjene njëkohësisht: mund të ketë edhe gjymtyrë të veçuara që t’i referohen, secila më vete, secilës gjymtyrë homogjene. Ka edhe raste referimi shkallë – shkallë të gjymtyrëve të veçuara: një gjymtyre të veçuar mund t’i referohet një gjymtyrë tjetër e veçuar, dhe të kemi renditjen varg. Kjo ndodh sidomos me ndajshtimet, po herë-herë edhe me gjymtyrë të tjera, në disa raste rrethanorësh. Nga gjithë sa u tha, del si përfundim se shqipja letrare ka një larmi të madhe strukturore të gjymtyrëve të veçuara:
Sekretari i rinisë, Semi, një djalë i hedhur, me një bluzë të bardhë leshi me grykë të mbyllur, që kishte qenë edhe ai deri tani në vërri, mundohej t’i mbushte mendjen për diçka Janit. Përpara saj qëndronte Bosdari, dashnori trim e fatkeq, luftëtari i tmerrshëm, kalorësi fisnik. Atë ditë për drekë nuk ishte as i vëllai i Bardhës, Maksi, as e motra, Linda, nxënëse në shkollën tetëvjeçare. Atij, fshatarit të varfër, zbritur nga mali, i kishin shtruar në dhomën e pritjes, nën borigën e madhe.
4. Veçimi i gjymtyrëve është një mjet i rëndësishëm stilistik. Duke u veçuar, gjymtyrët marrin jo vetëm një peshë më të madhe semantike – sintaksore, por edhe shprehësi stilistike. Me gjymtyrët e veçuara mund të shprehen me më pak fjalë më shumë ide e ngjyrime kuptimore. Gjymtyrët e veçuara përdoren në stile të ndryshme të ligjërimit. Tipat e ndryshëm kuptimorë – stilistikë e gramatikorë të gjymtyrëve të veçuara nuk shfaqen në të njëjtën mënyrë në stile të ndryshme. Kështu, ata që shprehen me formën e përcjellores dalin më shumë në stilin publicistik: pjesorja e veçuar më shumë në letërsinë artistike etj.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe