Studentet.mk, këtë herë publikon intervistën e plotë të realizuar me albanologun Besim Limanin. Në këtë intervistë enkas për faqen studentet.mk, profesori elaboroi mënyrat e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe, kështu duke trajtuar dukuri aktuale që i kanosen shqipes, duhet mos mënjanuar elementet këshilluese dhe motivuese për rininë në përgjithësi dhe studentet në veçanti.
Studentet.mk: Profesor Besim Limani, jeni ndër figurat më të shquara të arsimit shqip, mund të na flisni pak për biografinë tuaj?
Prof. Besim Limani: Përshëndetje për ju dhe për gjithë stafin e “Studentët.mk”, si dhe për të gjithë lexuesit tuaj!
Është shumë e vështirë të flasësh për biografinë personale, për shkak të modestisë sime, do të mundohem të jem sa më i shkurtër. I lindur dhe i arsimuar në Shkup. Shkollën fillore e kam mbaruar në ShF. “Liria”- Shkup, të mesmen në Gjimnazin “ Zef Lush Marku”- Shkup, Fakultetin Filologjik në “Bllazhe Koneski” në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë– në Universitetin Shën. “Qirili dhe Metodi”- Shkup. Pas mbarimit të studimeve u punësova si Profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Gjimnazin “Cvetan Dimov”- Shkup. Një vit më pas kalova në Gjimnazin” Zef Lush Marku”- Shkup, ku edhe sot e kësaj dite punoj dhe veproj si Profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë, por njëkohësisht edhe Ndihmës Drejtor për disa vite me radhë.
Përveç obligimeve dhe detyrave që përmenda, kujdesem edhe për zbatimin e dygjuhësisë dhe përkthimin e të gjitha dokumenteve të brendshme të shkollës, dokumenteve dhe shkresave me institucionet tjera, mirëmbajtjen e Vebfaqes së shkollës, Bibliotekës dixhitale, si Redaktor i përgjithshëm. Për dy mandate si Këshilltar i zgjedhur, një në Komunën Shuto Orizare edhe si kryetar i Komisionit për Veprimtari Shoqërore d.m.th. Komisioni që mbulon Çështjet e Arsimit, Kulturës dhe Sportit e që vlen të përmendet, inicimi dhe themelimi i një shkolle të mesme, e ndërtuar 2010-2015, e që sot funksionon si ShMQSh. “Shaip Jusuf”- Shkup.
Ndërsa, në mandatin e dytë në Qytetin e Shkupit si anëtar në Komisionet për Arsim dhe Shkencë, po ashtu edhe në Komisionin për Kulturë dhe Komisionin për Mbrojtje të Mjedisit dhe Natyrës. Aty janë shqyrtuar dhe zbatuar edhe idetë tona, pos ndërtimeve dhe rindërtimeve të Shkollave të Mesme të Qytetit të Shkupit, që funksionojnë gjithsej 23, vlen të përmendet edhe furnizimi i tyre me mjete, vegla konkretizuese dhe teknologji kompjuterike për zhvillimin e mësimit në largësi, për shkak të paraqitjes së Pandemisë nga Kovid 19.
Mendoj se ka edhe shumë gjëra të tjera lidhur me arsimin; organizime, manifestime, aktivitete, shfaqje, strategji, plane zhvillimore, trajnime, kurse, diseminime, seminare, vebinare etj. Pra, në vija të trasha këto janë pjesë të biografisë sime, të cilat më bëjnë krenar për mundin dhe sakrificën, që kam bërë dhe vazhdoj ta bëj edhe më tutje me shumë zell dhe përkushtim.
Studentet.mk: Gjuha shqipe u nderua me penën e humanistit Marin Barletit që nga periudha e largët e shekullit XV, e deri në dekadat e para të shekulli XXI me prozatorin e shquar Ismail Kadare. Si e vlerësoni rininë sot, a do ketë vazhdueshmëri të këtij karvani që nderuan gjuhën shqipe me veprat e tyre madhështore?
Prof. Besim Limani: Është shumë e vërtetë, se gjuhët në botë ekzistojnë dhe mbijetojnë në sajë të gjuhës së shkruar të tyre, andaj edhe gjuha shqipe ka të ardhme, sepse ka filluar qysh herët në mesjetë të shkruhet. Që nga dokumentet e para të shqipes së shkruar e deri te prozatori e romansieri më i shquar i ditëve sotme. Meqenëse e përmendët Ismail Kadarenë, ky kolos i madh i letërsisë shqiptare, romansier i përkryer dhe me shumë vepra edhe i përkthyer në shumë gjuhë të ndryshme botërore, ndoshta është e vështirë të shpresojmë, se do të lind ndonjë talent i tillë, megjithatë unë jam i prirur të besoj dhe shpresoj në gjeneratat e reja, sepse duke punuar përgjatë viteve me ta, kam bindjen, se në çdo shekull, periudhë apo gjeneratë, mund të shpërthejnë talente në lëmi të ndryshme, pa dyshim edhe në letërsi.
Studentet.mk: Cila është gjëja që ju shqetëson më së shumti teksa analizoni mbi realitetin e gjuhës shqipe në të folur dhe në të shkruar?
Prof. Besim Limani: Vërtetë ka mjaft gjëra, që na shqetësojnë nga realiteti i praktikimit të gjuhës së folur dhe të shkruar shqipe, sidomos kur gabime dhe forma të përçudnuara e të shëmtuara të shqipes i hasim në praktikat shkrimore, botuese, në masmediat dhe nëpër institucione, ku vërtet duhet të zbatohet gjuha standarde shqipe. Pa dyshim, se ka shumë raste të keqtrajtimit të gjuhës standarde shqipe, ato mund t’i hasim nëpër libra, siç ishte rasti me librat e gjeografisë, muzikës, dhe librave të tjerë, përveç përmbajtjeve të shtrembëruara, mund të hasen edhe shumë forma të gabuara të shqipes, sidomos librat të cilat janë nga autorë tjerë, e të përkthyera në mënyrë joprofesionale, të lektoruara keq, ose fare të palektoruara. Duhet t’i përmendim disa nga shqetësimet tona, pa dashur të përgjithësojmë, si keqtrajtimet në: Stilin publicistik, politik, shoqërorë, zhargonet qytetare e të rinjve (urbane), krahinorizmat, dialektizmat, gabime fonetike, përdorimi vend e pavend i “ë” “ç” “rr”, gabime sintaksore, përdorimi i tepërt i ndërkombëtarizmave, shpesh hasim edhe barbarbarizma, forma të tjetërsuara e huazime, të cilat thjeshtë mund të zëvendësohen me fjalë të bukura të shqipes.
Rastet më të shpeshta, që i dëgjojmë dhe i hasim në masmediat, rrjetet sociale, por edhe në stilin politik, e që mendoj se janë lëshime naive, meqë kemi fjalë shqipe dhe mund të përshtaten shumë më mirë në strukturë të fjalisë:
Abonim – pajtim; abrogim – shfuqizim; absorboj – përthith; abuzim – shpërdorim (teprim); açik – hapur (qartë); adaptoj – përshtat; adash – emnak; aferim – të lumtë; agrar – bujqësor; akcent – theks; aktivitet – veprimtari; aktual – i sotëm, i tanishëm, i kohës, i çastit; aman- të lutem; ambient- mjedis; aneks – shtojcë; parashtesa anti – kundër; apel – thirrje; aprovim – miratim; aproksimativ – i përafërt; asimilim – përvetim, përvetësoj; asistent – ndihmës; aspekt – pamje, pikëpamje; avangardë – pararojë; avantazh – epërsi; avash – ngadalë; bajagi – mjaft, goxha; bazal – themelor, bazor, fundor; bilateral – i dyanshëm, i ndërsjellë; unilateral – i njëanshëm; boll, bollëk – mjaft, shumë, me shumicë; bosh, boshllëk – mungesë, i zbrazët, i pazënë, padobishëm; bravo – të lumtë; celebral – trunor, i trurit; civilizim – qytetërim; decidoj – vendos; deciziv – vendimtar; dedikoj, dedikim, i dedikohet – kushtoj, kushtim, përkushtim, i detyrohet; definicion – përkufizim; definitiv, definitivisht – përfundimtar, përfundimisht; detaj, detajim – hollësi, përimtim; determinim – përcaktim; devijim – shmang, shmangie; deziluzim – zhgënjim; difuzion – shpërhapje; dimenzion – përmasë; distancë – largësi; divergjencë – mospajtim; divorc – ndarje; dominim – zotërim, sundim; eksperiencë – përvojë; eksplozion – shpërthim, plasje; ekstrem – skaj, i skajshëm; ekuilibër – baraspeshë; ekuivalent – i barasvlefshëm; ekszagjërim – zmadhim, teprim; ekzekutoj – zbatoj, përmbush; eliminoj – zhduk; esencë – thelb-i, qenësia; eveniment – ngjarje; evident – i qartë, i dukshëm; evitoj – shmang, mënjanoj; Në fakt – në të vërtetë; fals – e rreme; fenomen – dukuri; firmos – nënshkruan; hezitim – ngurrim; identik – i njëllojtë; imediat – i menjëhershëm; imperativ – i domosdoshëm; implikoj – ngatërroj; impozant,e – madhështore; inauguroj – përuroj, përurim; indeks – tregues; indinjatë – zemërim; indipendencë – pavarësi; influencë – ndikim; informoj – lajmëroj; iniciativë – nismë; insistoj – këmbëngul, ngulim; inspirim – frymëzim; kalkulim – njehsim, llogarit; kallaballëk – turmë; karshi – përballë; kaskadë – ujëvarë; koagulon – mpikset; koincidon – përkon, përputhet, pajtohet; kolektive- e përbashkët; komplikim – ndërlikim; koncentroj – përqëndroj; konditë – kusht; konfrontim – ballafaqim; konkluzion – përfundim; konsiston – qëndron; koodinim – bashkërendim; korrent – rrymë; kurioz – kureshtar; legjislativ – ligjvënës; literaturë – letërsi; medicinë – mjekësi; megalomani – mendjemadhësi; mizeri – mjerim; monstër – përbindësh; monument – përmendore; mortalitet – vdekshmëri; neglizhencë – pakujdesi; inovacion – risi; pastiçeri – ëmbëltore; penetrim – depërtim; perfeksionim – përsosje; personal – vetjak; predominim – mbisundim; preferim – parapëlqim; presion – trysni; prezantim – paraqitje; primar – parësor; produktiv – prodhues, i frytshëm; progres – përparim; proporcion – përpjestim; radikal – rrënjosor; reciprok – i dyanshëm; refuzim – mospranim; sakrifikim- flijim; sekondar – dytësor; seleksionim – përzgjedhje; spektator – shikues; telespektator – teleshikues; stabilitet – qëndrueshmëri; tekstualisht – fjalë për fjalë, pikë për pikë; tutor – kujdestar, unanim – njëzëri; unifikim – bashkim, njësim; univers – gjithësi; urban – qytetor, qytetës; urgjent – shpejtë; vadit – ujit; verbalisht – gojarisht; violencë – dhunë.
Fjalë që kryesisht shkruhen gabim: marrdhënie – marrëdhënie; lagja – lagjja; çertifikatë – certifikatë; proçesverbal – procesverbal; e dielë – e diel; vënd – vend; mirësevini – mirë se vini; qera – qira; sërisht – sërish; digjitale – dixhitale etj.
Gabime më të shpeshta fonetike; bylbyl – bilbil; rryp – rrip; hyp – hip; ilber – ylber; krymb – krimb; disheme – dysheme; tim – tym; di – dy; lipës – lypës etj.
Zhargonet e të rinjve gjatë komunikimit në rrjetet sociale, shkurtesat, që i përdorin në vend të fjalëve kuptimplota, e që për fat të keq po marrin jehonë edhe në tekste të këngëve, ka shumë, por do t’i përmendim disa: flm; klm; klb; sps; ntm; prsh; thnx; hi; cute(kjut); çao, të gjitha këto shkurtesa dhe fjalë të huaja janë pasoja të nxitimit në të shkruar, shtypje e kohës, sepse gjeneratat e reja, si duket më tepër parapëlqejnë t’i shkëmbejnë mendimet duke shkruar në rrjetet sociale. Sigurisht se duhet më tepër t’i përdorin fjalët kuptimplota, gjithashtu edhe fjalët magjike të mirësjelljes: Faleminderit, të lutem, më fal, ju kërkoj ndjesë, a ka mundësi, a mundet, kam nevojë…, më vjen keq, më fal për shqetësimin… edhe shumë fjalë të tjera.
Studentet.mk: Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të gabimeve të shumta që hasim nëpër libra, media dhe në institucionet e ndryshme drejtuese. Çfarë mendoni, pse gjithë ky joprofesionalizëm?
Prof. Besim Limani: Tani siç po duket e keni prekur në thelb çështjen. Mbi të gjitha në radhë të parë, shkelje të rregullave gjuhësore, pothuajse në të gjitha llojet e komunikimit, mendojmë se vijnë si pasojë e nivelit të arsimimit, gjendja e tanishme e arsimit fillor, të mesëm e të lartë ( lënë shumë për të dëshiruar), pakujdesia dhe papërgjegjësia, shtypjet e kohës, apo edhe shumë shkaqe tjera mund të jenë prapa kësaj dukurie, e cila është brengë e gjithanshme.
Në përgjithësi, shmangiet nga gjuha standarde i hasim duke lexuar shtypin, apo thjeshtë duke i dëgjuar krijuesit e mendimit publik. Lëshimet në drejtshkrim, apo në të folur, vijnë shpesh nga gazetarët, politikanët dhe fytyra publike, të cilët duhet të kenë parasysh, se përveç mendimeve të tyre që i shprehin, ata njëkohësisht duhet të reflektojnë, se kanë njohuri në nivel të kënaqshëm të standardit të gjuhës shqipe te lexuesit, apo shikuesit, e nëse nuk kanë njohuri të thelluara për gjuhën, të njëjtit pastaj pa dashje mund t’i marrin për model, e që kjo në disa raste, është për të ardhur keq. Përshtypja që të krijohet, se mediat, shtypi dhe televizioni, jo rastësisht, ato që kanë më shumë vite përvojë dhe kanë krijuar traditë profesionale, janë ndoshta më të kujdesshme në dhënien e informacioneve dhe organizimit të programeve, për shkak të fazave të lektorimit, redaktimit dhe përzgjedhjes, që i kalojnë informacionet para publikimit. Megjithatë, portalet edhe ato janë media në ditët e sotme, që përcjellin informacione deri te lexuesit përmes rrjeteve sociale. Pa dashur të përgjithësojmë, por një numër i konsiderueshëm i tyre, u kushtojnë më pak rëndësi rregullave të drejtshkrimit dhe normave gjuhësore. Arsyetime të tipit, se portalet kanë për qëllim në rend të parë shpejtësinë e publikimit të informacionit, por dhe për shkak të “ekskluzivitetit” me lajme (tituj bombastik) e për të marrë më tepër klikime nuk mbajnë, asnjëherë nuk duhet të nxitojnë e të rrezikojnë qasjen profesionale.
Studentet.mk: Çfarë qëndrimi keni mbi sugjerimin, që japin disa gjuhëtar për ndarjen e letërsisë nga gjuha? Na argumentoni përgjigjen tuaj!
Prof. Besim Limani: Pra, mund të themi, meqë deri më tani konstatuam, se po bëhen gabime, lëshime të shumta, shpërdorim të gjuhës shqipe, patjetër se edhe ne ndajmë mendimin si disa gjuhëtarë të tjerë, se gjuha shqipe dhe letërsia duhet të zhvillohen dhe mësohen si lëndë të ndara. Që nga arsimi parauniversitar, sepse pasojat e të mësuarit bashkë gjuhë dhe letërsi, krijojnë zbrazëtira të shumta, ose lënia pas dore të temave të gjuhësisë, duke u përqëndruar më tepër në temat e letërsisë, për fat të keq, jo vetëm nga ana e nxënësve, por edhe nga mësimdhënësit.
Ka edhe shumë arsye pse duhet të jetë kështu. Në rend të parë do të themi, se gjuhësia ka dallim nga letërsia, sepse gjuhësinë mund ta klasifikojmë në shkencat, që kërkojnë më tepër koncentrim dhe logjikë për të ndërtuar fjalë, më pas fjali, periudha e tekste. Nëse cilëndo pjesë, fjalën (në morfologji, leksikologji), fjalinë apo periudhën (në sintaksë), njëherë e parashtrojmë si problem, pastaj e zbërthejmë si ekuacion matematikor, duke i analizuar pjesë për pjesë, fillojmë e ndërtojmë pastaj fjalë, fjali, periudha etj. E gjithë kjo kërkon më tepër orë të planifikuara për gjuhësi, sepse edhe planet globale – vjetore, që dalin nga programet nuk parashohin më tepër se njëzet, tridhjetë përqind, të fondit vjetor të orëve për gjuhësi, nga fondi i përgjithshëm për gjuhë shqipe dhe letërsi për shkollat e mesme.
Ndarja, që duhet të ndodh u mundëson pastaj nxënësve, të përsosin dhe t’i mësojnë më mirë rregullat e drejtshkrimit, normat gramatikore, përdorimin e drejtë të shenjave të pikësimit, do të përmirësojnë dukshëm shkrimin pa gabime. Përderisa janë bashkë edhe pse librat kanë pjesë dhe njësi të caktuara për gjuhësi, nxënësit mendojnë, se pjesa e gjuhësisë vetëm ju ndihmon për të shkruar e për të artikuluar më mirë dhe nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur gjuhësisë. Prandaj, duhet të ndahet gjuhësia nga letërsia, madje do të shkojmë edhe më tutje, dy orë në javë gjuhësi, dy orë letërsi nga gjithsej katër orë në javë, që tani janë të parapara për gjuhë shqipe dhe letërsi.
Studentet.mk: Shpesh na irriton fakti kur nga mesi i intelektualëve hasim prej tyre që bëjnë gabime drejtshkrimore. Çfarë këshilla na jepni që ne mos të jemi një shembull i tillë, por ta shkruajmë shqipen pastër dhe pa gabime.
Prof. Besim Limani: Është vërtetë irritues fakti, kur lëshimet dhe gabimet vijnë edhe nga shtresat intelektuale, drejtues të institucioneve, administratë e lartë shtetërore, gazetarë, madje edhe nga mësimdhënës të lëndëve të ndryshme. Zgjidhja e kësaj dukurie negative mendojmë, se duhet të fillon që nga e para, reformimi i vërtetë i arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë. Këtë po e them me përgjegjësi, sepse për njëzet vite sa jam duke punuar në gjimnaz, programet dhe kurrikulat mësimore për gjuhë shqipe dhe letërsi për gjimnaz, nuk kanë ndryshuar fare. Ndoshta për shkollat profesionale janë bërë pak ndryshime kozmetike, por jo thelbësore.
Siç përmendëm edhe më parë, ndarja e gjuhësisë nga letërsia, zotërimi më i mirë i rregullave dhe normave gjuhësore, përgjatë formimit të shkathtësive për të shkruar dhe shprehur pa gabime, normat gjuhësore duhet të kthehen në shprehi, pastaj mund të themi, se kemi arritur të flasim si duhet dhe të shkruajmë pa gabime.
I madhi Eqrem Qabej do të na kishte sugjeruar, konsultojeni Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, andaj herë pas herë duhet ta shfletojmë fjalorin, të lexojmë sa herë që të kemi kohë të lirë, duhet mirëmbajtur kondicionin e të lexuarit, ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes dhe praktikimit të gjuhës standarde shqipe. Vitet e fundit në R. e Maqedonisë së Veriut, me ndryshimet ligjore është themeluar edhe Agjencia për zbatimin e ligjit të gjuhëve, njëkohësisht edhe zbatimin e gjuhës shqipe nëpër Institucionet Shtetërore, të shpresojmë, se gjërat do të marrin drejtimin e duhur. Gjithashtu u kisha bërë thirrje edhe gazetarëve profesionist, mediave të shkruara dhe televizive, le ta marrin më seriozisht çështjen e përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe, edhe nëse hasin raste të shpërdorimit të gjuhës shqipe, le të ironizojnë e kritikojnë më tepër me rastet e tilla, ndoshta edhe kjo mund të ketë efektin e vet, në ngritjen e nivelit të vetëdijes për kujdesin ndaj gjuhës standarde shqipe.
Për fund, do të kisha cituar edhe gjuhëtarin, shkrimtarin, poetin, kritikun dhe një ndër themeluesit e publicistikës shqiptare, i dalluar në periudhën e realizmit, Faik Konica: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!“.
Do të përfundoja me vargjet e Naimit:
Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa e lirë,
Sa e bukur, sa e vlerë.
Intervista është realizuar nga:
Studentet.mk