Përfitimet e sistemeve të shpërndara janë se ato mund të shkallëzohen për t’ia dalë me kërkesat që rriten, mund të vazhdojnë të ofrojnë shërbime për përdoruesit (edhe nëse disa pjesë të sistemit dështojnë), dhe mundësojnë të bashkëpërdoren resurset.
Çështjet që duhet të konsiderohen në projektimin e sistemeve të shpërndara e përfshijnë transparencën, të qenit i hapur, shkallëzueshmërinë, sigurinë, cilësinë e shërbimit, dhe menaxhimin e dështimit.
Sistemet klient-server janë sisteme të shpërndara në të cilat sistemi është i strukturuar në shtresa, me shtresën e prezentimit të implementuar në kompjuterin klient. Serverët ofrojnë shërbime të menaxhimit të shënimeve, të aplikacionit, dhe të bazës së shënimeve.
Sistemet klient-server mund të kenë disa shtresa lidhëse, ku shtresa të ndryshme të sistemit janë të shpërndara në kompjuterë të ndryshëm.
Mostrat arkitekturale (architectural patterns) për sistemet e shpërndara përfshijnë arkitekturat zotërues-skllav (master-slave), arkitekturat dy-shtresore dhe shumë-shtresore klient-server, arkitekturat e komponentave të shpërndara, dhe arkitekturat shok-me-shok (peer-to-peer).
Sistemet me komponenta të shpërndara kërkojnë softuer ndërmjetësues (middleware) për t’i trajtuar komunikimet e komponentave dhe për t’ua lejuar komponentave të shtohen dhe të hiqen nga sistemi.
Arkitekturat shok-me-shok janë arkitektura të decentralizuara në të cilat nuk ka klientë dhe serverë të dalluar. Llogaritjet mund të shpërndahen nëpër shumë sisteme në organizata të ndryshme.
Softueri si shërbim (software as a service, SaS) është mënyrë e shpërndarjes së aplikacioneve si sisteme të lehta klient-server, ku klienti është shfletues i web-it.
Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit
WWW.STUDENTËT.MK