Sipërmarrësit nuk kanë vetëm ide të mira, ata i bëjnë idetë të realizueshme duke krijuar biznese. çfarë kanë të përbashkët sipërmarrësit e suksesshëm përveç faktit që kanë para?

Shanset janë që ata të kenë shumë gjëra të përbashkëta.
Më poshtë do të cekim karakteristikat thelbësore të sipërmarrjes, një shpjegim se pse ato janë të rëndësishme dhe si të kuptoni nëse keni atë që duhet, shkruan Anne West, një gazetare e specializuar në financat personale dhe produktet e sigurimeve për portalin My Wallet Hero.

Vizioni

Biznesi duhet të fillojë diku dhe pothuajse të gjithë sipërmarrësit i fillojnë projektet e tyre me një ide të vetme. Sipërmarrësit kanë aftësinë për të parë përtej horizontit. Dhe është ajo pikëpamje afatgjatë dhe e fokusuar te qëllimi që i mban ata të ecin përpara, më afër arritjes së vizionit të tyre.

Një shembull i mirë është Blake Majkoski i cili ka një vizion të një shoqërie të drejtë ku bizneset dhe konsumatorët kanë vetëdije sociale. Ky vizion çoi në zhvillimin e markës së këpucëve TOMS. Për çdo palë këpucë të blera, kompania i dhuron një palë dikujt në nevojë.

Koncepti unik njihet si modeli një për një. Kompania gjithashtu ofron kujdes për sytë dhe ujë të pastër për komunitete të ndryshme përmes shitjes së syzeve të diellit dhe kafesë. Deri më sot, TOMS ka ndihmuar mbi 100 milionë njerëz në mbarë botën.

Motivimi

Qoftë filantropi apo nevojë e përditshme, karakteristikë themelore e sipërmarrjes është motivimi. Njerëzit të cilëve u mungon motivimi shumë lehtë heqin dorë dhe vendosen për një situatë status quo. Një shembull i një shkalle të lartë motivimi është Brian Chesky, një nga themeluesit e Airbnb.

Edhe pse kompania mori një goditje të madhe për shkak të pandemisë, ekzistenca e saj zbret në një nevojë të vetme – paraja.

Chesky dhe shoku i tij i dhomës (tani partneri i biznesit) Joe Gebbia ishin pa para dhe pa punë. Gjatë një konference me pjesëmarrje të mirë në San Francisko, të dy vendosën të përfitonin nga mungesa e dhomave të hotelit dhe u dhanë me qira apartamentin e tyre disa prej të ftuarve të eventit.

Të armatosur me krevate ekstra që fryhen për të përfituar sa më shumë hapësirë, ata siguruan edhe mëngjesin, por e shtuan veten në ofertë duke luajtur rolin e udhëheqësve turistik. Për të shitur shërbimet e tyre, Chesky dhe Gebbia krijuan një faqe interneti që e quajtën Air Bed and Breakfast (krevat të fryrë dhe mëngjes), faqe që më vonë do të shndërrohet në Airbnb.

Këmbëngulja

Rruga drejt sipërmarrjes së suksesshme rrallëherë është e drejtë, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse këmbëngulja është e rëndësishme. Por këmbëngulja nuk do të thotë që ju duhet të shtrëngoni dhëmbët dhe të fluturoni përmes problemeve. Këmbëngulja nënkupton zgjidhjen e problemeve dhe tejkalimin e sfidave.

Nëse ndonjë sipërmarrës ilustron këmbënguljen, është Eric Yuan, themeluesi i Zoom. I lindur në Kinë, Yuan është përballur me refuzimin e aplikimit të tij për vizë amerikane nëntë herë. Këmbëngulja e tij dha rezultat në fund.

Ideja për Zoom erdhi më vonë, kur ai tashmë punonte për kompani të ndryshme telekomunikacioni. I frymëzuar nga nevoja për të mbajtur kontakte me të dashurën e tij në Kinë, Yuan kishte një vizion për një mjet që do të mundësonte thirrjet me video në një mënyrë argëtuese dhe të lehtë për t’u përdorur.

Ai fillimisht ia paraqiti idenë shefave të tij në Cisco, duke shpjeguar se veçoria unike e shitjes së platformës së tij të komunikimit ishte një sfond virtual që i lejonte përdoruesit gjatë thirrjeve video të dukeshin sikur të ishin kudo në botë.

Cisco e hodhi poshtë idenë e tij dhe Yuan u largua nga kompania për ta zhvilluar vetë idenë. Fatkeqësisht, investitorët nuk ishin shumë të prirur për idenë, kështu që Yuan iu drejtua miqve dhe familjes për ndihmë. Zoom aktualisht vlerësohet në 35 miliardë dollarë.

Marrja e rreziqeve

Sipërmarrja vjen me rreziqe dhe novatorët e suksesshëm nuk kanë frikë t’i marrin ato. Vera Wang tregon në mënyrë të përsosur se rreziqet ia vlen të merren, edhe kur aksionet janë të larta. Pavarësisht një karriere të gjatë dhe të suksesshme si redaktor mode dhe stiliste e Ralph Lauren, Wang vendosi të largohej nga kompania.

Në moshën 40-vjeçare, kur shumica prej nesh tashmë kanë një rutinë të vendosur në jetë, Wang vendosi të hapë markën e saj të veshjeve të nusërisë. Tani ajo konsiderohet si një nga stilistet kryesore në botë dhe ka krijuar fustane nusërie për Chelsea Clinton, Mariah Carey dhe Victoria Beckham.

A zotëroni karakteristikat e një sipërmarrësi?

Të dallosh tiparet e sipërmarrjes tek sipërmarrësit e suksesshëm është një gjë, por njohja e këtyre tipareve tek ne është krejt tjetër. Shanset janë që shumica prej nesh i zotërojnë këto cilësi, megjithëse në shkallë të ndryshme.

Nëse keni dëshirë të gjeni sipërmarrësin tek ju, shkruani të gjitha gjërat në të cilat jeni të mirë. Ju madje mund të shkoni aq larg sa të gërmoni dëshmi të vjetra për ju për të parë se çfarë kishin për të thënë menaxherët për punën tuaj.

Nëse mendoni se ju mungojnë disa tipare sipërmarrëse, mos kini frikë. E mira është se ju mund t’i mësoni dhe zhvilloni ato, thjesht mos u dorëzoni.

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *