Rroga minimale, mungesa e prosperitetit, tendencat partiake, pazbatueshmëria profesionale… janë vetëm disa nga arsyetimet tipike të sferës arsimore, por jo të vetmet. Në shoqëri gjithmonë ekzistojnë vizionarë që synimet e tyre i tejkalojnë diapazonet e rrethanave, dhe se qëllimet e tyre karakterizohen nga palëkundshmëria ambicioze. Këta quhen gjeneral, së paku një proverb kineze ashtu i quan, duke theksuar: ”Një ushtri me 1000 ushtarë është e lehtë të gjendet, por sa e vështirë është të gjesh një gjeneral.”, ky citim shpalos mungesën substanciale të popullit tonë, gjegjësisht “gjeneralët” që do të përcaktojnë rrjedhojën zhvillimore të shoqërisë!
E përse mungojnë këta?! Përgjigjja është e thjesht, e që i ndikuar edhe nga profesioni, do ta ilustrojmë me një shembull të gjallesave bimore. Në botën bimore harmonia vitale e zhvillimit të procese metabolike përcaktohet nga furnizimet e jashtme, e ndër to, nga më të rëndësishmet është uji, mungesa e të cilit ekskluzivisht përcakton “gjallësinë” e bimës! Këtyre gjeneralëve të lartpërmendur u mungoi dhe ju mungon “uji”, dhe kjo mungesë jo vetëm që i bëri ata të distancohen nga karakteri i tyre konsekuent, por edhe të shuhen nga sipërfaqja shoqërore. E kush ua ndaloi ujin?! Fatkeqësisht, ua ndaluam ne, shoqëria si e tillë, që mentaliteti gjithëpërfshirës nuk e tejkalon pragun e bindjeve injorante, dhe se ambicia e tyre më e lartë, siç e shpjegon Ibn Halduni, nuk është më shumë se sigurimi i mbijetesës, apo mjaftueshmëria e tyre vetëm për “mbushjen e barkut”. Këta “gjeneralë”, në momentin që u harruan nga shoqëria, dhe u ballafaquan me një kufizim të mbështetjes materiale, nuk arritën që pjesën abstrakte të qëllimeve të tyre ta bëjnë realitet, e nga kjo gjendje si e tillë, pësoi shoqëria.
E çfarë korrëm?! Përgjigjen e kësaj pyetje e zbuloi pandemia “Covid 19”, edhe atë vetëm në një aspekt, të atij shëndetësor. Në momentin që sulmet natyrore nga viruset kapluan shoqërinë, filluan shqetësime për jetën e njerëzve nga më të ndryshmet, si për shembull: “Po infektojnë njerëzit në spital”, “Me respiratorët po i mbysin njerëzit”, e nuk munguan edhe ato etnike: “Shqiptarët janë më të rrezikuar”, “Nuk po kujdesen për shqiptarët”… e shumë të tjera. Mungesa e këtij besimi erdhi si korrje e mos investimit tek gjeneralët tanë, që me besimin ndaj tyre, shqetësimet tona do të shuheshin, dhe informacionet për shëndetin tonë do ti merrnim nga burime autoktone dhe jo nga “analistët” virtual.
Mungesa e përkrahjes së njerëzve tanë për pozita kyçe, na bëri që të çalojmë në plotësimin tonë të nivelit institucional, e që kjo na la të mangët në nxjerrjen e figurave shembullore për gjeneratat e ardhshme, të cilët shembuj, për investimin e të mirës shoqërore, u bënë “specie të rrezikuara”. Duke qenë pjesëtar i këtij grupi, apelimet tona i drejtohen popullit tonë që në kapitalin e tyre humanitar të bëjnë pjesë edhe këta “gjeneralë”, në mënyrë që në të ardhmen e afërt korrjet e tyre të mos përfshijnë shqetësime. E sa për apelimet tone drejt “specieve të rrezikuara”, citoj fjalët e profesorit Uilliam Xhejms, që duhen të jenë mëngjes i karrierës sonë, ku mes tjerash, ai thotë: “Asnjë njeri i ri le të mos i frikësohet rrjedhës së arsimimit, nga cilado lëmi qoftë. Nëse me qëndrueshmëri punon çdo ditë, nuk është e nevojshme të brengoset për rezultatet përfundimtare. Mund të bëheni plotësisht të sigurt, që një ditë të bukur të mëngjesit, do të konstatoni se i takoni njerëzve më të aftë të gjeneratës suaj në lëmin që keni zgjedhur.”
Shkroi:
Besar Rufati
Bioinxhinier laboratorik