Viti i ri zakonisht premton një fillim të ri. Për shumë të rinj, presionet financiare të vitit 2025 nuk janë zbutur. Kostoja e jetesës mbetet e lartë. Të zotërosh një banesë duket e paarritshme, ndërsa inteligjenca artificiale po kërcënon vendet e punës.

Pothuajse gjysma e Gjeneratës Z thonë se ndihen financiarisht të pasigurt, sipas një studimi të fundit të Deloitte.

Për shumë profesionistë të rinj, rruga tradicionale e një diplome universitare dhe një pune të mirë nuk garanton më siguri financiare. Kjo e ka frymëzuar 32-vjeçarin Niaz Azad të themelojë Millennial Money UK, një komunitet online për të ndihmuar brezin e tij të orientohet në një ekonomi të vështirë.

“Besoj se kjo vjen nga mungesa e edukimit financiar, ndaj u përpoqëm ta rregullojmë këtë duke ndërtuar diçka ku njerëzit të ndihen se mund të mësojnë,” tha ai për Reuters.

Ja këshillat e tij për të rinjtë në vitin 2026:

Mos bini në kurthin e rrjeteve sociale

Qiratë e larta vazhdojnë të jenë një pengesë për të rinjtë që duan të blejnë një pronë. Për disa, pjesa më e madhe e të ardhurave shkon direkt për qira. Për të tjerë, kursimet thjesht nuk mjaftojnë për parapagimin. Azad thotë se është e rëndësishme të mbani mend se rruga e secilit drejt pronësisë së një shtëpie është unike.

“Problemi i madh është krahasimi i vazhdueshëm,” thotë Azad, duke vënë në dukje se rrjetet sociale mund ta rrisin presionin. “Është e rëndësishme thjesht të kuptoni se ku ndodheni ju, në vend që të përpiqeni të vraponi në garën e dikujt tjetër.”

Investoni herët (dhe me zgjuarsi)

Gjenerata Z po investojnë më herët se brezat e mëparshëm, sipas një studimi të Forumit Ekonomik Botëror. Nëse keni të ardhura të disponueshme dhe nuk jeni në borxhe, edukohuni se si mund t’i bëni paratë tuaja të punojnë për ju.

“Kursimi i parave nuk do t’ju ndihmojë të ndërtoni pasuri të qëndrueshme,” thotë Azad. “Dhe nuk mendoj se shumica e njerëzve e kuptojnë se, nëse punojnë, ata tashmë po investojnë,me shumë gjasë përmes pensionit.”

Shmangni skemat “blej tani, paguaj më vonë”

Edhe pse përdorimi i skemave “blej tani- paguaj më vonë” për blerje më të mëdha mund të jetë joshëse, mbështetja e tepërt tek ato mund të krijojë zakone të këqija financiare.

Azad ofron një rregull të thjeshtë: nëse duhet ta shpërndani pagesën në tre muaj, është më mirë të kurseni tre muaj dhe ta blini më pas. “Thjesht duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të mos e vendosni veten në një pozicion ku blini vazhdimisht gjëra që realisht nuk mund t’i përballoni, vetëm për shkak të kredisë së lirë.”

Balancojini përvojat dhe kursimet

A duhet të shpenzoni për udhëtime në të 20-at apo të kurseni në mënyrë agresive dhe ta shihni botën në të 30-at? Është një dilemë klasike pa përgjigje të saktë. Ajo që ka rëndësi është të zbuloni se çfarë funksionon për ju, thotë Azad.

“Duhet ta zgjidhni vetë sakrificën tuaj.”

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Previous Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *