Rrëfimet
“Nuk e di përse mësuesit dhe edukatorët nuk e shfrytëzojnë këtë anim të mbjellë në çdo shpirt, që mësimet dhe këshillat t’i shprehin në formë të rrëfimeve dhe tregimeve? Përse ua lënë krejtësisht mejdanin atyre të prishurve që ata vetë ta shfrytëzojnë këtë anim, e njerëzve t’u përhapin rrëfime të prishura në moral apo që e prishin mendjen?”49
Mësimi i jetëpërshkrimit të njerëzve të mirë
Mësimi i jetëpërshkrimit të njerëzve të mirë, burra dhe gra, është prej programeve edukative të dobishme që në brendësi përmban mesazhe edukative dhe përvoja të pastra në pamje të gjalla. Ato na e kujtojnë mirëbërësin e atyre që e ndriçuan kozmosin me civilizimin e tyre dhe bota përfitoi nga drita e tyre. Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Mësimi i jetëpërshkrimeve për ne është më e dashur se mësimi i shumë çështjeve prej shkencës së fikhut.”
Prej mësimeve që përfitohen nga rrëfimi i profetit Ibrahim, alejhi selam
Ibrahimi, alejhi selam, kur me urdhrin e Allahut e la të birin Ismailin dhe nënën e tij Haxherin, në Meke e më vonë aty e ndërtoi edhe Qabenë, në të gjitha këto ka shumë mësime, ndër to:
– Kur i dorëzohesh urdhrit të Allahut, përfundimi do të jetë i mirë.
– Përkrahja dhe ndihma e birit për babanë e tij.
– Dhembshuria e nënës.
– Lutja për pranimin e veprës.
– Ndjesia e myslimanit për nderin e tij që i përket këtij zinxhiri të bekuar nga njerëzit e mirë.
Si dhe mësime të tjera që përfitohen nga kjo histori madhështore e Ibrahimit, alejhi selam, ndërsa pëlqehet për edukatorin t’ua rrëfejë nxënësve dhe fëmijëve të familjes së tij. Sugjerohet që për më shumë edukatori t’i kthehet librit Sahih el-Buhari, kaptina e haditheve për profetët, numri i hadithit 3364.
Rrëfimi për djelmoshat e shpellës
Në kohën kur sprovat po i ndjekin të rinjtë në çdo cep, pëlqehet për edukatorin të organizojë ndeja me fëmijët dhe ata që i edukon e të lexojnë dhe ta meditojnë rrëfimin e përmendur në Kuran për djelmoshat e shpellës. Rrëfimi për ta është burim që prej tij merren mësime. Mirë është që ato mësime edukatori t’i zbresë në rrafshin e realitetit, duke bashkëndier me ata të rinj të cilët ikën për ta ruajtur gjënë më të shtrenjtë të tyre. Fëmijëve duhet t’u bëhet e qartë dhe t’u mbillet në shpirt se fitneja është sikur epidemia që duhet ikur prej saj. Nuk e shkëput rrugën për tek Allahu sikurse fitneja.
Si quhesh?
Kur mësuesi i mëson emrat e nxënësve dhe atë që u përshtatet gjendjeve të tyre, i bën ata ta ndiejnë vlerën dhe peshën e tyre. Ibn Xhema’, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mësuesi duhet që t’i mësojë emrat e nxënësve të tij, prejardhjen, vendbanimet dhe gjendjet e tyre.”51
Të rrëfyerit e tregimeve para gjumit
Në kohët e sotme, psikologët e fëmijëve kërkojnë prej nënave që gjithsesi t’u kthehen tregimeve para gjumit, të cilat nëna ia rrëfen fëmijës së saj me zë të dashur, në vend se t’u mbështetet programeve
televizive. Vetë prezenca e nënës pranë shtratit të të birit ose së bijës së saj para gjumit e shton lidhshmërinë e fëmijës me nënën dhe e largon prej tij frikën, ëndrrat e trishtueshme apo ndjenjën e ngushtimit. E si do të jetë gjendja e tij nëse ajo ia mëson fëmijës dhikrin e gjumit dhe e mbron atë me të?
Dobitë e rrëfimeve për fëmijë
Studimet bashkëkohore e vërtetojnë se rrëfimi i tregimeve për fëmijë para gjumit ua mëson shprehjet dhe ua pasuron gjuhën me fjalë. Kjo vjen sepse gjumi e ndihmon trurin t’i ruajë fjalitë e reja. Po ashtu shtojnë se informacionet dhe situatat që kujtohen para gjumit nguliten më fort në mendje se në kohët e tjera.52 Normalisht duhet pasur kujdes që nëna t’i zgjedhë rrëfimet e qeta, të bukura e jo të trishtueshme (dhe që bien ndesh me Islamin).
Rrëfimet që nuk duhet t’i rrëfejmë:
– Rrëfimet që nxisin frikën dhe trishtimin dhe e bën pjesë të karakterit të tyre frikën dhe dobësinë.
– Rrëfimet që nxisin në përdorimin e dhunës dhe fuqisë trupore si mjet për t’i zgjidhur problemet.
– Rrëfimet që e bëjnë fëmijën të anojë kah ana e sherrit.
– Rrëfimet që janë të ngritura mbi përqeshje dhe bërjen e dredhive, sepse ato vizatojnë në vetëdijen e fëmijës yrnekun e sjelljes së gabuar.
Pasha Allahun, unë të dua!
Edukimi prej dashurisë e thith ndikimin e tij dhe i thellon lidhjet e tij. Fjala “të dua” ia hap rrugën çdo mesazhi edukativ që e drejton. Muadh ibn Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më kapi për dore dhe më tha: ‘O Muadh, të dua për hir të Allahut.’ Unë ia ktheva: Edhe unë të dua, o i Dërguari i Allahut. Pastaj më tha: ‘Mos harro në fund të çdo namazi (para se të japësh selam) të thuash: O Allah, më ndihmo të të përmendi, të të falënderoj si dhe ma mundëso të të adhuroj sa më mirë’.”53
Jepi fëmijës mundësi
Nëse fëmija thotë: “Unë do ta bëj këtë punë vetë”, dije se ai mundohet të bartë përgjegjësi dhe të krijojë besim. Roli ynë në këtë rast duhet të jetë dhënia e mundësisë që të provojë dhe të përpiqet, duke e udhëzuar dhe duke i ndihmuar nëse ka nevojë.
Mos ia bëj shprehi të keqen
“Dije se fëmija është amanet te prindërit e tij. Zemra e tij është si xhevahir i çiltër dhe ajo i përshtatet çdo gdhendjeje. Nëse i bëhet shprehi e mira apo e keqja, do të rritet me to, ndërsa prindërit dhe edukuesit e tij do ta shoqërojnë në shpërblimin apo dënimin e tij. Për këtë shkak ai duhet të mbrohet dhe të edukohet, të mos i bëhet shprehi salltaneti dhe mjetet e luksit, e kështu ta humbë jetën e tij në kërkimin e tyre kur të rritet.”54
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK