Gjuha shqipe dëmtohet dhe rrezikohet në radhë të parë nga shpërfillja, nga mungesa e kujdesit të Shtetit, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga një farë ndjenje e përgjithshme nënvlerësimi ndaj saj. Shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur bindemi se kjo ndodh jo vetëm nga padija, nga mosnjohja e normës, por më tepër nga pakujdesia, nga mospërfillja e rregullave dhe e normave të shqipes standarde, nga mbivlerësimi i së huajës dhe nga nënvlerësimi (ndoshta edhe përçmimi) i kulturës kombëtare në përgjithësi. Ashtu si në mbarë Evropën e qytetëruar, ruajtja, mbrojtja dhe masat për lëvrimin e pastrimin e gjuhës duhet të jetë në vëmendjen dhe kujdesin e organizuar e të drejtuar nga shteti dhe nga institucionet që varen prej tij.

Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare ka qenë, është dhe do të jetë kurdoherë shenjë e tregues kulture. Gjuhësia shqiptare, qysh në zanafillat e sa ka qenë pohuese e një kërkese të thjeshtë, por të rëndësishme e të pavdirë: ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën shqipe, të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Këtë të gjithë e pranojnë; ka pasur edhe premtime për masa konkrete, si, p.sh., vendosja e redaktorëve e korrektorëve gjuhësorë në të gjitha zyrat e administratës shtetërore e publike etj. Por, koha kalon dhe nuk po shihen qëndrimet aktive, duhen veprime konkrete për ta shëndoshur gjendjen.

Këta njëzet vjetët e fundit kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shqiptare për gjuhën ka rënë së tepërmi. Janë çelur edhe shumë sektorë pune joshtetërorë, gjithçka është në udhën e privatizimit e të ndryshimeve. Kjo udhë do të vazhdojë, por një gjë duhet të mbetet përherë e përbashkët dhe e “paprivatizuar”. Ajo është gjuha shqipe, gjuha jonë e përbashkët, që na dallon e na mban gjallë si komb më vete si popull i lashtë e me kulturën e vet të vlefshme e të denjë për t’u mbajtur gjallë edhe më tej.

Çdo dokument a shkresë zyrtare, që publikohet a botohet, duhet të jetë në përputhje me rregullat e drejtshkrimit dhe të zbatohen në to të gjitha normat e shqipes standarde, që nga pikësimi (pika, presja, pikëpresja, apostrofi e me radhë), si dhe normat e tjera gramatikore, leksikore e terminologjike. Kjo punë, kudo e kurdoherë, ka kërkuar dhe kërkon jo vetëm kujdesin nga ata që i shkruajnë dokumentet zyrtare, po edhe ndihmën e duhur nga punonjës teknikë dhe, sidomos, kalimin në procesin e korrekturës gjuhësore. Me fjalë të tjera, duhet të kalohen në dorën e korrektorit gjuhësor, i cili ka për detyrë të shohë (me kujdes e përgjegjësi) pikërisht zbatimin e normave gjuhësore të shqipes standarde. Ka ardhur koha që, në të gjithë veprimtarinë shkrimore e botuese, si dhe kur flasim në mjedise publike e me karakter zyrtar, të kujdesemi më shumë për gjuhën shqipe, sidomos për pastrimin dhe pasurimin e saj.

Librat bazë për këtë punë janë: Rregullat e drejtshkrimit të shqipes; Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe; Fjalori i gjuhës shqipe (vepra të miratuara nga institucionet përkatëse) si dhe, vitet e fundit, Korrektori automatik (elektronik) i drejtshkrimit, një program i shkarkueshëm në kompjuter, i përgatitur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të QSA. Kur del e nevojshme, mund edhe të kërkohet këshillimi me ndonjë nga gjuhëtarët e njohur ose duke iu drejtuar zyrtarisht Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, i cili, qysh prej shumë vitesh, ka pasur edhe Sektorin e kulturës së gjuhës si dhe shërbimin e “këshillimeve gjuhësore”.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

 

About Author

Admin_S