Dallimi i gjymtyrëve të dyta është bërë relativisht vonë. Teoria e tyre ka marrë përpunimin e saj pak a shumë tërësor në gjysmën e pare’ të shekullit XIX dhe është plotësuar e saktësuar më pas.
Kjo kategori sintaksore është ndër çështjet më problemore më të diskutueshme të gramatikës. Në përcaktimin, përkufizimin e klasifikimin e gjymtyrëve të dyta ka pasur dhe ka ende sot qëndrime të ndryshme, vërehen divergjenca, herë më të mëdha, herë më të vogla. Përkufizimet janë dhënë, jepen mjaft herë edhe sot, në mënyra të ndryshme, ndahen edhe duke u mbështetur në kritere të ndryshme. Vërehen mospajtime sidomos për sa u përket shtrirjes, caqeve të gjymtyrëve të ndryshme, emërtimeve dhe nëndarjeve të tyre. Mbështetja në baza të ndryshme metodologjike, veçoritë e traditave studimore në vendet e ndryshme, vështirësitë për t’u shtënë në një numër të kufizuar kategorish e llojesh material real gjuhësor aq i pasur e i Iarmishëm e mjaft herë i ndërlikuar, dalja e rasteve të shumta kalimtare e sinkretike, pikëpamjet e ndryshme të studiuesve kanë sjellë ndryshime të shumta, ndonjëherë jo të vogla, në parashtrimin e gjymtyrëve të dyta.
Edhe në trajtimin e gjymtyrëve të dyta janë dalluar në radhë të parë dy drejtime kryesore. Njëri mbështetet në raportet e brendshme. në kuptimin, në funksionin, tjetri në mënyrën e shprehjes gramatikore. Secili prej tyre është shfaqur në një numër variantesh, në forma të ndryshme, herë të skajshme, herë më të përmbajtura, herë me përpjekje kombinimi.
Teoria e gjymtyrëve të dyta u krijua së pari në kohën kur zotëronte në gjuhësi drejtimi logjik-gramatikor. Ajo u bazua vetëm në raportet kuptimore. Nga kjo dolën edhe emërtimet e gjymtyrëve të dyta: përcakror, kundrinë a objekt, rrethanor a plotës rrethane.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe