Të veçuar dalin edhe përcaktorët kallëzuesorë të kryefjalës, në ndonjë rast të veçantë edhe ata të kundrinës. Kuptimisht këto gjymtyrë lidhen jo vetëm me kallëzuesin, por edhe me kryefjalën a kundrinën dhe zakonisht gjenden pranë foljeve të lëvizjes e të gjendjes.
Përcaktorët kallëzuesorë të veçuar shprehen më shpesh: a) me mbiemra, kryesisht me mbiemra prejpjesorë; b) me pjesor;: c) me togfjalësh. Këta veçohen për shkak të spikatjes kuptimore e stilistike të tiparit, për shkak të zgjerimit dhe të vëllimit të tyre ose të gjymtyrës së përcaktuar. Përcaktorët kallëzuesorë të veçuar tregojnë një tipar për kryefjalën a kundrinën me nuancën e një të dhëne të mbishtuar:
a) Një çerek ore më vonë shkalci me të sëmurën doli nëpër shi, i mbajtur nga katër burra.
b) Unë mbeta vetëm në atë dhomë të huaj, ulur mbi një krevat prej dërrase. Djali i rrinte pranë, mbështetetur te gjuri i tij. Qëndronte aty pranë kafenesë, ulur mbi një gur.
c) Ai ecte përpara, me kokën ulur. Ismaili qëndroi më këmbë pranë derës, me kapele në dorë. Ai e pa gruan tek ecte si e ngrirë, me djalin në duar.
Veçohen shpesh dy përcaktorë kallëzuesorë homogjenë:
Ata kalonin në heshtje, të lodhur e të uritur. Qëndronie para postafit të çezmës, i menduar dhe i heshtur.
Përcaktorët kallëzuesorë të veçuar e përcaktorët e veçuar zënë vende të ndryshme në fjali. Ndërsa përcaktori i veçuar gjendet domosdo pranë emrit të përcaktuar, prapa ose para tij, përcaktori kallëzuesor i veçuar përgjithësisht zë vend larg fjalës së përcaktuar, zakonisht pas kallëzuesit. Të krahasohen dy rastet e para, ku gjymtyra e veçuar funksionon si përcaktor:
I zoti i shalqinjve, i dëshpëruar, u kthye në arë. I dëshpëruar, i zoti i shalqinjve, u kthye në arë (përcaktorë). I zoti i shalqinjve u kthye në arë, i dëshpëruar (përcaktor kallëzuesor).
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK