Gjymtyrët homogjene mund të kenë në përbërjen e tyre të njëjtat fjalë ndihmëse, mjetet gramatikore-parafjalë, nyja të përparme, pjesëza, folje ndihmëse e gjysmëndihmëse. Këto mund të përsëriten në secilën gjymtyrë ose të lihen të pashprehura përpara gjymtyrës së dytë, e gjymtyrëve të mëpasmë, kur janë më shumë se dy: ose mund të shprehen përpara disave e të mos shprehen përpara të tjerave. Ka praktika të ndryshme, të diferencuara, të kushtëzuara për arsye sintaksore e stilistike, por herë-herë edhe nga arsye semantike e ritmike. Ka rregulla të prera, zgjidhje të domosdoshme, por më shumë prirje, rregulla fakultative, zbatimi i të cilave varet përgjithësisht nga efektet që kërkohen të arrihen nga synimi i folësit a i autorit. Përgjithësisht përsëritja i ndan më shumë gjymtyrët, thekson më shumë secilën prej tyre, ndërsa mospërsëritja i lidh më ngushtë e bën më të shpejtë rrjedhën e ligjërimit.

Përsëritja ose jo e nyjeve të përparme.

 Kur kemi dy a më shumë gjymtyrë homogjene këpujore të rasës gjinore, nyja e përparme mund të shprehet vetëm përpara gjymtyrës së parë e jo përpara të tjerave. Lehtësia e shqiptimit, veprimi i ekonomisë gjuhësore po i japin këtij procesi një fuqi gjithnjë e më të madhe, sidomos në gjuhën e folur e në disa stile të gjuhës letrare, një përgjithësim herë-herë pa arsye e pa vend. Mospërsëritja mund të përdoret për të vënë në dukje lidhjen më të ngushtë të gjymtyrëve, njësinë e tyre. Nuk del e pëlqyeshme ajo, kur gjymtyrët homogjene janë mjaft të zgjeruara. Përsëritja thekson më shumë secilën gjymtyrë më vete. Ajo është e domosdoshme në rastet kur ndryshe, mund të lindnin paqartësi:

Nga të dy anët e rrugës tabelat e hoteleve të magazinave, të mobilierive, të gastronomeve, të luleve vështronin të hutuara perimetrin e rrugës. Fëmijët tanë janë e ardhmja e kombit e Atdheut.

Mbi komodinën e krevatit dukej grumbulli i madh i letrave, telegrameve, gazetave dhe revistave të ardhura nga atdheu. Dega e Krujës, Elbasanit edhe Durrësit mbante vetëm llagapin Topia; dega e Shpatit, e Çermenikës, Krujës dhe Himarës shtonte llagapet Komnen Golemi. Ndërkaq në qytet dhe në rreth kish marrë një hov të madh ndërtimi i shtëpive, fabrikave, shkollave rrugëve, urave.

Është e domosdoshme përsëritja e nyjave përpara gjymtyrëve homogjene të shtesimit e të shtesimit shkallëzues, po ashtu përpara gjymtyrëve homogjene me raporte kundërshtore ose përmbyllëse; nyja përdoret zakonisht edhe përpara gjymtyrëve homogjene këpujore të paraprira nga lidhëza të bashkëlidhura:

Realizimi i detyrave dhe i zotimeve kërkon një organizim të përsosur të punës.

Alberti nuk ishte vetëm i saj dhe i shtëpisë së tij po i gjithë popullit. Linin ne borë jo gjurmët e këpucëve, por të gishtërinjve të përgjakur. Rizai nuk ishte njeri i sulmit por vetëm i mbrojtjes, pra i dështimit.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author