Përcaktorët kallëzuesor të kundrinave homogjene, kur janë shprehur me mbiemra, përshtaten në numër me tërësinë e kundrinave dhe vihen në shumës. Kur janë të gjinive të ndryshme, vihen përgjithësisht në trajtën e gjinisë mashkullore:
Atëherë ngjau diçka e papritur, që i la disi të hutuar si njërën, si tjetrën. Tani i ke të tutë gjithë djemtë e vajzat e fshatit – vazhdoi ai.
Përcaktorët kallëzuesor mbiemra të kundrinave homogjene mund të përshtaten me kundrinën më të afërt në rastet kur, për arsye të ndryshme (strukturore, kuptimore), në përshtatje nuk kihen parasysh gjithë gjymtyrët homogjenë:
I la të gëzuar motrat, si edhe vëllezërit e tij.
Kur përcaktorët kallëzuesor të kundrinave homogjene janë emra, përshtatja e tyre në numër bëhet po ashtu siç bëhet përshtatja e përcaktorëve kallëzuesor emra me kryefjalët homogjene:
Shokë të ngushtë kishte Ilirin dhe Sokolin.
Përcaktorët kallëzuesor emra të kundrinave homogjene përshtaten me to në rasë (vihen në rasën kallëzore), përgjithësisht edhe në numër, po ashtu edhe në gjini.
Sokolin dhe Agronin i kam shokë të ngushtë. Flutura ka shoqe Dritën dhe Teutën.
Kur janë kundrinat të gjinive të ndryshme, përcaktori kallëzuesor i tyre vihet zakonisht në trajtën mashkullore të shumësit:
Vjollcën dhe Petritin i emëruan mësues në rrethin e Krujës.
Kur kundrinat janë të numrit njëjës, trajtat e shkurtra të përemrave vetorë vihen zakonisht në shumës:
Vërtet mua e Mitit s’na kishte shkuar nder mend kjo punë.
Ka edhe raste kur trajta e shkurtër shkon pas gjymtyrës më të afërt ose pas gjymtyrëve të marra si një e tërë dhe vihet në njëjës.
E gjithë kjo punë i ka shërbyer formimit dhe specializimit të mëtejshëm të pedagogëve tanë në fusha të ndryshme të shkencës.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe