Kur kallëzuesi foljor ose këpuja del përpara kryefjalës homogjene me raporte këpujore, vihet, më të shumtën e herës, në njëjës duke u përshtatur me kryefjalën më të afërt, me secilën kryefjalë me vete ose me gjithë kryefjalët të marra si një njësi e vetme, sidomos kur ka kryefjalë kuptimisht të afërta a lidhje këpujore-shtesore, kur ka bashkim asindetik. Vihet në shumës, duke u bërë përshtatja me tërë kryefjalët, kur kërkohet të dalë në dukje shumësia e tyre, kur ka veprime të njëkohshme të disa vetave, etj:
Kur hynte hëna në re më shfaqej për para Bukaniku i Shpatit, Shelcani, Shushica. S‘dinin ç’ishte e diela, festa, gëzimi. Në thirrmën e saj ndihej gëzimi, krenaria, shqetësimi. Sa më pëlqen blegërima, zëri i ëmbël i bagëtisë, qengji e keci i bukur, që rrinë gjunjë e pi sisë.
Aty ku zinxhiri zuri të hollohej e të këputej, papritur u lëshuan njeri pas tjetrit Hima, Rizai, Miti.
Kur vargu i kryefjalës homogjene këpujore mbyllet me një fale përgjithësuese, kallëzuesi foljor ose këpuja përshtatet me të:
Sytë, flokët, krahët e lehtë, gjithçka e saj kishte ngrirë dhe dëgjonte. Një tundje, një trazirë, çdo gjë përmbysej e vinte vërdallë. Shtrirja e strehëve shtrembërimi i rrugëve, pozicioni i oxhaqeve, të gjitha tregonin mendimin e tij.
Kur kryefjalë homogjene të numrit njëjës lidhen ndërmjet tyre me raporte kundërshtore, kallëzuesi ose këpuja vihet në njëjës, duke u bërë përshtatja me kryefjalën më të afërt, të paravendosur:
Sot e ka fjalën pushka e jo trëndafili. Atë nuk e shtynte kërshëria por më tepër mirësjellja. Ai, jo Petriti e kishte thënë atë fjalë.
Kur kryefjalët homogjene të numrit njëjës, bashkohen me raporte veçuese përshtatja, zakonisht, bëhet me njërën prej tyre, duke u vënë kallëzues foljor ose këpuja në njëjës, sidomos kur kërkohet të vështirësohet lidhja vetëm me njërën prej tyre, ndonjëherë kur është i pavendosur kallëzuesi. Ndodh që të vihet edhe në shumës, e kjo kur shprehet alternimi, ndonjë ngjyrim tjetër kuptimor i afërt me raportet këpujore a synohet tërësia e kryefjalëve.
U binte ndër faqe kur të kuqtë e fruthit e kur të verdhët e verdhëzës. Kushtetuta ose ligji është normë që duhet zbatuar.
Kur fizikanti ose kimisti nuk organizojnë mirë punën e tyre, ligjet shkencore nuk mund të gjejnë zbatimin e duhur. Qoftë nënë Sadetja qoftë Naimja e donin si sytë e ballit Lejlanë.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe