Gjatë vitit të ardhshëm, vendet do të duhet t’u kushtojnë vëmendje këtyre pesë rreziqeve, nëse nuk duan që ekonomia globale të pësojë një goditje të madhe.

Omicron

Rreziku i parë është varianti i ri i koronavirusit Omicron dhe vendimet e reja për mbylljen e bizneseve. Pas njoftimit se pacienti i parë kishte vdekur në Britaninë e Madhe si pasojë e këtij varianti, në shumë vende evropiane u rishfaqën kufizime të tepërta, karantina dhe mbyllje të plotë të pikave kufitare. Thuhet se disa vende tashmë po diskutojnë vendosjen e masave nga 1 ose 3 janar 2022 dhe veçanërisht për marrjen e masave përfundimtare para festave të Krishtlindjeve.

Shumë vende evropiane, veçanërisht Franca, kanë filluar të flasin për kthimin në punë nga distanca dy ose tre ditë në javë. Sondazhet e kryera në shumë vende udhëheqëse gjatë gjashtë muajve të fundit mbi jetën profesionale tregojnë se edhe nëse pandemia përfundon, njerëzit do të kërkojnë që puna nga distancë të zgjasë të paktën dy ditë në javë. Megjithatë, në rast të mbylljes së shkollave dhe vendimeve strikte të karantinës, kjo do të thotë sërish një humbje e të ardhurave në sektorin e shërbimeve në mbarë botën, një rrezik që do të kufizojë rëndë ekonomitë e vendeve, rritjen, punësimin dhe financat publike.

Indeksi i çmimeve të konsumit

Rreziku i dytë kritik është ai i inflacionit të lartë global, i cili pritet të vazhdojë deri në mesin e pranverës së vitit të ardhshëm. Norma e rritjes së Indeksit të Çmimeve të Konsumit në SHBA (CPI) pritet të arrijë në 7% deri në fund të vitit 2021 dhe do të qëndrojë në atë nivel deri në fillim të prillit të vitit 2022. Megjithëse inflacioni total vjetor pritet të bjerë në një numër të konsiderueshëm të vendeve të G7 deri në mes të verës 2022, rreziku i inflacionit global për shkak të çmimeve botërore të mallrave, kostove bujqësore dhe ushqimore, energjisë dhe logjistikës është një problem i rëndësishëm.

Stagflacioni

Në këtë situatë, lind rreziku i tretë i rëndësishëm për vitin 2022: stagflacioni (term nga makroekonomia, që i referohet gjendjes së ekonomisë që karakterizohet nga rritje e ulët ekonomike, inflacion i lartë dhe papunësi e lartë). Argumentohet se nëse rreziku global i inflacionit provokon mosmarrëveshje midis bankave qendrore, veçanërisht Rezervës Federale të SHBA (Fed), Bankës Qendrore Evropiane (ECB) dhe të tjerëve, “skifterët” do të mbizotërojnë mbi “pëllumbat” me kërkesat e tyre për shtrëngim. Politika monetare shkakton stagflacion me inflacion të lartë, recesion të rëndë dhe papunësi të lartë.

Shqetësime për Kinën dhe Rusinë

Rreziku i katërt kritik mund të vijë nga Kina dhe Rusia. Problemi më kritik është ngurrimi i Kinës, si furnizuesi më i rëndësishëm në botë për tregtinë botërore, për të shpërndarë lëndë të para, metale të rralla, produkte gjysëm të gatshme dhe të gatshme për të përmbushur nevojat e ekonomisë botërore dhe “humbja e oreksit” të saj për të përmbushur nevojat e huaja.

Nga ana tjetër, për shkak të hapave të mundshëm që mund të ndërmarrë Rusia në lidhje me Ukrainën, tensionet që do të rriten midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian dhe midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, padyshim që do të ndikojnë në tregtinë rajonale dhe botërore, si dhe në ekonomia botërore në tërësi.

Politika fiskale

Rreziku i pestë është ngushtimi i politikave fiskale të vendeve. Në vitin 2022, shumë vende udhëheqëse duhet të reduktojnë deficitet buxhetore dhe të ngadalësojnë rritjen e borxhit publik. Kjo, nga ana tjetër, mund të ndikojë negativisht në rritjen, punësimin dhe mundësitë për mbështetjen sociale publike të vendeve.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author