- Ka dallim në mes të gabimit që vjen si rezultat i përpjekjes për ta qëlluar të vërtetën dhe atij që bëhet qëllimshëm apo vjen nga pakujdesia apo pamaturia:
S’ka dyshim që i pari nuk qortohet, madje e ka një shpërblim nëse bënë përpjekje dhe mundohet sinqerisht t’ia qëllojë. Pejgamberi ﷺ, thotë: “Kur gjykatësi përpiqet (sinqerisht t’ia qëllojë) në gjykim dhe ia qëllon, i ka dy shpërblime. E kur gjykatësi përpiqet (sinqerisht t’ia qëllojë) në gjykim dhe nuk ia qëllon, e ka një shpërblim.”[1]
Në krahasim me atë që gabimin e bën qëllimshëm dhe nga pakujdesia; nuk janë të barabartë këta dy. I pari mësohet dhe këshillohet, në krahasim me të dytin, i cili qortohet dhe kundërshtohet veprimi i tij.
Përpjekja (ixhtihadi) e cila justifikohet në këtë rast është ajo që buron nga personi i kualifikuar në fushën e vet, për dallim atij që jep fetva pa dijeni, apo nuk i merr parasysh situatat. Ky ishte shkaku pse i kundërshtoi ashpër Pejgamberi ﷺ, ata që gabuan me rastin e sahabiut që kishte çarje në kokën e tij.
Xhabir ibn Abdullahu h, tregon se gjatë udhëtimit njërin prej bashkudhëtarëve të tij e goditi guri dhe i shkaktoi çarje në kokë. I njëjti person natën në gjumë u bë xhunub, e kur u zgjua, i pyeti shokët e vet: “A ka ndonjë lehtësim për mua të marr tejemum (që mos ta përdori ujin e ftohtë shkaku i plagës)?” Ata i thanë: “Ne nuk shohim që ka lehtësim, duhesh të pastrohesh me ujë.” U la me ujë të ftoftë dhe kjo u bë shkak të ndërrojë jetë. Kur u kthyem e lajmëruam Pejgamberin ﷺ, për rastin dhe ai tha: “E vranë Allahu i vraftë. Përse nuk pyetën kur nuk dinë? Pyetja është ilaçi i padijenisë.”[2]
Po ashtu, Pejgamberi ﷺ, thotë: “Gjykatësit janë tre: një në xhenet dhe dy në zjarr. Në xhenet është ai i cili e kupton të vërtetën dhe gjykon me të. Ndërsa në zjarr është gjykatësi që e kupton të vërtetën dhe nuk gjykon me të, si dhe në zjarr është gjykatësi i cili i gjykon njerëzit me padije.”[3] Pra të tretin në këtë rast nuk e justifikoi Pejgamberi ﷺ.
Ka faktorë që e përcaktojnë shkallën e kundërshtimit të gabimit, e nga to është marrja parasysh e rrethanave ku ka ndodhur gabimi sikur, a dominon suneti apo risitë në fe, në atë vend, e keqja në çfarë përmasa është e zgjeruar, a ka prezent njerëz të padijshëm që japin fetva se filan vepra (që realisht është gabim) lejohet, apo a ka prezent njerëz që tolerojnë në fe dhe kanë respekt te masa e gjerë e njerëzve.
- Nëse gabimtari ka qëllim të mirë me gabimin e bërë, kjo nuk na pengon që t’ia tërheqim vërejtjen:
Amër ibn Jahja tregon: “Babai tregonte për gjyshin tim të ketë thënë: ‘Uleshim pranë derës së Abdullah ibn Mesudit h, para namazit të sabahut derisa dilte prej shtëpisë për namaz dhe niseshim bashkërisht për në xhami. Një mëngjes erdhi Ebu Musa el-Esharij h, dhe na tha: ‘A doli Ibn Mesudi?’ I thamë: ‘Jo.’ Atëherë u ul me neve derisa doli Ibn Mesudi h, dhe me atë rast ne u ngritëm në këmbë kah ai, dhe Ebu Musa h, i tha: ‘Më herët e pashë në xhami një vepër që e kundërshtova, edhe pse (në pamje të jashtme) më dukej e mirë, -e që vetëm Allahut i takon Lavdërimi-.’ Ibn Mesudi tha: ‘Çfarë ke parë?’ Ebu Musa u përgjigj: ‘Po qe se Allahu e ka caktuar të jetosh do të shohësh! Në xhami pash grupe njerëzish që ishin ulur në formë të rrethit e pritnin kohën e namazit. Çdo grup kishte nga një udhëheqës, ndërsa në duar mbanin guralecë. Udhëheqësi i grupit ju thoshte bëni tekbir njëqind herë (thuani Allahu ekber), kështu ata bënin tekbir njëqind herë. Ai ju thoshte bëni tehlil njëqind herë (thuani la ilahe il-llah), kështu ata bënin tehlil njëqind herë. Ai ju thoshte bëni tesbih njëqind herë (thuani subhanallah), kështu ata bënin tesbih njëqind herë.’ Ibn Mesudi h, i tha: ‘E ti çfarë ju the atyre?’ Ebu Musa h, tha: ‘Nuk ju thash gjë pa u konsultuar me ty.’ Ibn Mesudi h, i tha: ‘Pse nuk i urdhërove t’i numërojnë gjynahet e tyre dhe të kujdesen të mos i humbin të mirat e tyre!’ Pastaj u nis, a ne menjëherë pas tij, derisa mbërritëm te njëri prej grupeve dhe u ndal aty. Ju tha: ‘Çfarë është kjo që e shoh se po e bëni?’ I thanë: ‘O Ebu Abdurrahman (epiteti i Abdullah ibn Mesudit h)! Këto janë guralecë, me to e numërojmë tekbirin, tehlilin dhe tesbihin.’ Ibn Mesudi h, ju tha: “Numëroni gjynahet tuaja, sepse kështu ju garantoj se nuk do të humbni asgjë nga të mirat. Mjerë për ju o umeti i Muhamedit, sa shpejt po humbisni! Shokët e Pejgamberit ﷺ, ende janë gjallë, rrobat e tij ende nuk janë kalbur dhe enët e tij nuk janë thyer. Pasha Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, ju ose jeni me udhëzim më të mirë se udhëzimi i umetit të Muhamedit ﷺ, ose jeni çelësa të dyerve të devijimit.’ Ata thanë: ‘Pasha Allahun, o Ebu Abdurrahman, nuk deshëm përveç të mirës.’ Ibn Mesudi tha: ‘Sa ka njerëz që e duan të mirën, por nuk ia qëllojnë ! Pejgamberi ﷺ, na tregoi për një popull që do ta lexojnë Kuranin, por (pa dobi, sepse) nuk do t’ua kalojë gurmazin e tyre. Pasha Allahun, më duket se ju jeni shumica prej tyre.’ Pastaj u largua Ibn Mesudi h, prej aty.’ Ebu Amër ibn Seleme h, tregon se i kanë parë shumicën e tyre në radhët e havarixhëve në ditën e (betejës së) Nehrevanit.”[4]
- Kërkohet drejtësi dhe mosfavorizim në dhënien e vërejtjes për gabimin e bërë:
Allahu thotë: “ Kur të flisni, thoni të vërtetën…” (El-Enam: 152)
Po ashtu Allahu thotë: “…kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt…” (En-Nisa: 58)
Nuk bëri dobi ndërmjetësimi i Usame ibn Zejdit j, te Pejgamberi ﷺ, për ta penguar zbatimin e një prej ndëshkimeve të përcaktuara me fe, edhe përskaj faktit se ai dhe babai i tij ishin të dashur për zemrën e Pejgamberit ﷺ. Aisha i, tregon se u merakosën Kurejshët për rastin e gruas që kishte vjedhur në betejën e çlirimit të Mekes dhe thanë: “Kush do të shkojë të ndërmjetësojë për të te Pejgamberi ﷺ. I vetmi njeri që mund ta merr guximin të shkojë është Usame ibn Zejd j!” Kur shkoi Usame të ndërmjetësojë, iu skuq fytyra Pejgamberit ﷺ, dhe tha: “A po ndërmjetëson për një ndëshkim të përcaktuar prej Allahut?” Usame j, tha: “Lute Allahun të më fal, o i Dërguar i Allahut?” Kur erdhi mbrëmja, Pejgamberi ﷺ, e mbajti një fjalim ku në të e lavdëroi Allahun si e meriton dhe pastaj tha: “Me të vërtetë janë shkatërruar ata që ishin para jush, sepse kur vidhte në mesin e tyre personi me pozitë e linin dhe nuk e ndëshkonin, e kur vidhte i dobëti atë e ndëshkonin. Betohem në Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, po që se Fatimja e bija e Muhamedit të vidhte do t’ia preja dorën; e pastaj dha urdhër që t’i prehet dora e saj.”[5]
Sipas një versioni tjetër Aisha i, tregon për një grua që huazonte bizhuteri prej njerëzve në emër të tjerëve dhe jo në emrin e saj, e më pas e shiste atë dhe i merrte të hollat për vete. Pasi që e lajmëruan rastin e saj, e sollën te Pejgamberi ﷺ, t’i jepet dënimi i merituar. Familjarët e saj kërkuan prej Usame ibn Zejd j, të ndërmjetësojë për të. Kur Usame shkoi të ndërmjetësojë, gjatë bisedës iu skuq fytyra Pejgamberit ﷺ, dhe i tha: “O Usame, a po ndërmjetëson për një ndëshkimin të përcaktuar prej Allahut?!” Usame tha: “Lute Allahun të më fal, o i Dërguar i Allahut?” Atë natë, Pejgamberi ﷺ, e mbajti një fjalim ku në të e lavdëroi Allahun si e meriton dhe pastaj tha: “Me të vërtetë janë shkatërruar ata që ishin para jush, sepse kur vidhte në mesin e tyre personi me pozitë e linin dhe nuk e ndëshkonin, e kur vidhte i dobëti atë e ndëshkonin. Betohem Atë që në Dorën e Tij është shpirti im, po që se Fatimja e bija e Muhamedit të vidhte do t’ia preja dorën; e pastaj dora e asaj gruaje u pre.”[6]
Qëndrimi i Pejgamberi ﷺ, ndaj Usames tregon për drejtësinë e tij dhe se tek ai ligji i Allahut ishte mbi dashurinë e njerëzve. Njeriu mund ta falë kë të do nëse dikush gabon kundrejt tij, por nuk e ka luksin të falë apo të favorizojë dikë që gabon në fenë e Allahut.
Disa njerëz, nëse gabojnë të afërmit apo shokët e tyre, nuk i kundërshtojnë sikurse që i kundërshtojnë të tjerët që nuk i njohin. Ndoshta në mënyrë të paligjshme tentojnë të shfaqin njëanshmëri dhe t’i favorizojnë apo edhe t’i mbyllin sytë karshi gabimit të tyre, kurse me të tjerët mundohen të jenë sa më rigoroz për gabimet e tyre.
Kjo gjë reflektohet edhe në të komentuarit e veprimeve. Kur del gabimi nga një person i dashur, i jep kahje tjetër dhe e arsyeton, ndërsa kur i njëjti gabim del nga një person tjetër, i jep kahje tjetër dhe nuk e arsyeton.
E tëra që u përmend më lartë detyrohet nëse situatat janë të barabarta, përndryshe do të ketë dallime në kuptime, siç do ta shohim më vonë.
[1] Buhariu (6805), Muslimi (3240).
[2] Sunen Ebu Davud (336), Kitabu et-Tahare, bab el-mexhruhi jetejemem. Hadithin e vlerësoi të mirë shejh Albani në Sahih Ebu Davud.
[3] Sunen Ebu Davud (3573), shejh Albani e saktësoi në el-Irva (2164).
[4] Darimiu në Sunen (210), Albani e saktësoi zinxhirin e tij në es-Silsiletu es-Sahiha (2005).
[5] Buhariu dhe Muslimi, fjalët e hadithit këtu janë te Muslimi (1688).
[6] Nesaiu (8/73), Albani e saktësoi në Sahih Sunen en-Nesaij (4548).
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK