Arkitektura softuerike është përshkrim se si është organizuar një sistem softuerik. Vetitë e një sistemi si performansa, siguria, dhe disponueshmëria ndikohen nga arkitektura e përdorur.

Vendimet e projektimit të arkitekturës përfshijnë vendime për llojin e aplikacionit, shpërndarjen e sistemit, stilet arkitekturale që do të përdoren, dhe mënyrat në të cilat duhet të dokumentohet dhe vlerësohet (evaluohet) arkitektura.

Arkitekturat mund të dokumentohen nga disa perspektiva apo pamje të ndryshme. Pamjet e mundshme përfshijnë pamjen konceptuale, pamjen logjike, pamjen e procesit, pamjen e zhvillimit, dhe pamjen fizike.

Mostrat (patterns) arkitekturale janë mjet për ripërdorjen e dijes për arkitekturat e përgjithshme të sistemeve. Ato e përshkruajnë arkitekturën, e shpjegojnë se kur mund të përdoren, dhe i diskutojnë përparësitë dhe dobësitë e tyre.

Mostrat arkitekturale të përdorura më shpesh përfshijnë Model-View-Controller (Modeli-Pamja-Kontrolluesi), Layered Architecture (Arkitektura e Shtresëzuar), Repository (Depoja), Client-server (Klient-shërbyes), dhe Pipe and Filter (Fut në gyp dhe filtro).

Modelet e përgjithshme të arkitekturave të sistemeve aplikative na ndihmojnë ta kuptojmë operimin e aplikacioneve, t’i krahasojmë aplikacionet e llojit të njëjtë, t’i validojmë projektimet e sistemeve aplikative, dhe t’i vlerësojmë komponentat me shkallë të madhe për ripërdorje.

Sistemet e procesimit të transaksioneve janë sisteme ndërvepruese që lejojnë që informata në një bazë të shënimeve të qaset nga distanca dhe të ndryshohet nga një numër i caktuar i përdoruesve. Sistemet informative dhe sistemet e menaxhimit të resurseve janë shembuj të sistemeve të procesimit të transaksioneve.

Sistemet e procesimit të gjuhës përdoren për t’i përkthyer tekstet nga një gjuhë në një tjetër dhe për t’i kryer instruksionet e specifikuara në gjuhën hyrëse. Ato e përfshijnë një përkthyes dhe një makinë abstrakte që e ekzekuton gjuhën e gjeneruar.

Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit

WWW.STUDENTËT.MK

About Author