Të komunikosh me tregun, do të thotë t’i njoftojsh blerësit për paraqitjen e produktit të ri në treg, për vlerat e tij përdoruese, për prodhuesin dhe përparësitë tjera të cilat ndikojnë tek bleresit, me qëllim të nxitjes së blerjes dhe konsumit.
Promocioni, pra është proces i komunikimit në mes ndërmarrjes dhe blerësve, me qëllim të krijimit të qëndrimit pozitiv për produkte dhe shërbime, i cili qëndrim favorizon produktet dhe shërbimet gjatë procesit te blerjes. Ai është proces permanent i komunikimit në mes ndërmarrjes dhe blerësve ekzistues dhe atyre potencial. Me të ndikohet në efikasitetin e afarizmit të ndërmarrjes në treg. Por, sa i përket procesit të komunikimit në tregjet e vendeve të ndryshme, ai kërkon vendosmëri më të madhe dhe më të zgjëruar në hulumtimin e tyre. Këta vendime nuk janë të shumtë në numër, por se ato dallohen, duke pasur parasysh karakteristikat e vendit me të cilin komunikohet, si; doket, zakonet, bindjet fetare, gjuhën e tregut, etj. Pasiqë aty mund të jetë prezente një gjuhë tjetër, tjetër mentalitet i blerësve, tjetër sistem ligjor, nivele të ndryshme të njohurive të prodhimeve, dhe me gjithë ate, në mënyrë korelative është lidhja dhe mënyra e arritjes së besimit të blerësve.
Përkufizimi i promocionit si nocion nuk është i komplikuar, edhe pse mendimin e tyre e kanë thënë shumë autorë, esenca tek të gjithë autorët është e njëjtë. Suduri {J. Sudar, f. 14) me promocion nënkupton:” një gërshetim të aktiviteteve të ndryshme me të cilat ndërmarrja komunikon me individët, grupet ose shoqërinë, në formë të porosive personale dhe jo personale, për ti harmonizuar në mes vete interesat dhe dëshirat e tyre”.
Sipas Kotlerit (F. Kotler, f. 619) ”Promocioni përfshinë të gjitha mjetet në sistemin e marketingut, detyrë e të cilëve është komunikimi me blerësit potencial”. Ndërsa, sipas Roccos (F. Rocco, f. 216) ”Promocioni është një tërësi e aktiviteteve të ndryshme, përms të cilëve ndërmarrja tenton që produktet dhe shërbimet e saja, të bëhen të njohur për konsumatorin dhe duke i shfrytëzuar mediumet komunikuese të fitoj besimin tek ata, me qëllim të sigurimit të kërkesës, të cilën do të mund ta plotësojë ndërmarrja”.
Qëllimet e shfrytëzimit të promocionit, si instrument të marketingut miks janë të shumta dhe të llojllojshme. Promocioni, mund të ndikojë që të krijohet imazhi për ndërmarrjen ose për produktet e saja, duke i njoftuar blerësit me karakteristikat e produkteve ekzistuese dhe për produktet e reja të cilat do të hedhen në treg. Ndërsa, për produktet, të cilat janë në fazën e rënies, bën përpjekje që ta ruaj popullaritetin e tyre. Ndikon në rritjen e efikasitetit të kanaleve të shpërndarjes. Kontribon, që lidhjet e kontratave shit-blerëse të jenë më efikase.
Parimisht, promocioni është i domosdoshëm për ato produkte për të cilat duhet njoftuar konsumatorët me përparësitë që posedojnë ato, në krahasim me produktet tjera të konkurencës, për të cilat konsumatorët nuk kanë qenë të informuar. Po ashtu, promocioni shërben për krijimin e një klime të përshtatshme psikologjike te konsumatorët, e cila i nxit në marrjen e vendimit për blerjen e produktit.
Promocioni, pra është një element elastik me të cilin ndërmarrja komunikon me tregun. Roli i promocionit në afarizmin e ndërmarrjes është i një karakteri dinamik. Prandaj, nuk ka rol të përkufizuar, njëherë e përgjithmonë në kuadrin e isntrumenteve të marketingut miks. Me ndryshimet që ndodhin, qoftë në qarqet e brendshme të ndërmarrjes ose ato të jashtme, ndryshon edhe roli i promocionit në afarizmin e ndërmarrjes. Ai, paraqet pjese integrale të sistemit të gjithëmbarshëm të marketingut në ndërmarrje, Promocioni do të jetë efikas, nëse edhe aktivitetet tjera të marketingut (produkti, çmimi, shpërndarja) në mënyrë efikase i kryejnë detyrat e veta. Nëse produkti me atributet e veta nuk iu përgjigjet kritereve të tregut (çmimi i lartë, kanalet e shpërndarjes joefikase), atëherë promocioni nuk do të mund me sukses ta loz rolin e vet në afarizmin e ndërmarrjes. Nëse produkti është atraktiv për blerësit (çmimi i pranueshëm, kanalete shpërndarjes efikase), moskoordinimi në aksionet e promocionit mund të sjellë në pyetje tërë efikasitetin e afarizmit të ndërmarrjes. Që don të thotë se promocioni nuk mund të mbulojë të metat në pikëpamje të efikasitetit të instrumenteve tjera të marketingut miks. Pra, edhe efikasiteti i promocionit, është shumë i varur nga kryerja me sukses të detyrave nga ana e instrumenteve tjera të marketingut miks. Promocioni e nxit dhe e ndihmon afarizmin e ndërmarrjes, por ai nuk mund të krijojë bazën për shitje pa përkrahjen dhe kryerjen efikase të detyrave nga ana e aktiviteteve tjera të marketing miksit.