Pasuria e gjuhës kombëtare dhe bukuria e saj janë ruajtur në saj të popullit, i cili brez pas brezi ua përcjell gjeneratave të ardhshme. Në këtë kontekst mund të thuhet se fshati dhe rajonet rurale janë rojtari i zakoneve, traditave të vjetra popullore dhe në përgjithësi ajo që quhet folklor. Por, fatkeqësisht, në kushtet e reja të jetesës dhe në botën e globalizmit ku interferencat janë aq shumë të dendura, vdekja apo zhdukja e shumë fjalëve është një fenomen i shpeshtë.
Poashtu, në kohën e globalizimit dhe zhdukjen e kufijve kombëtarë, gjithashtu kemi fenomenin e zhdukjes së shumë llojeve të manifestimeve, zakoneve, traditave dhe kulturave të cilat kanë qenë dhe janë pasqyrë e vërtetë dhe reale për një kohë dhe një shkallë të zhvillimit shoqëror.
Studimet e të folmeve tona kanë vlerë të madhe për njohjen e laramanisë gjuhësore të shqipes, historisë së gjuhës, folësve të kësaj gjuhe, mardhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët e tjera si dhe për shqipen standarde në përgjithësi. Në këtë kuptim dialektet janë burimet më autentike për studimet e së kaluarës dhe të tashmes së një gjuhe, ndërsa dialektologjia si shkencë paraqet mjetin më të sigurt të gjuhësisë bashkëkohore.
Atë që dua të shtroj në këtë punim është të folurit e gjuhës shqipe në rrethin e Velesit. Deri më tani akoma nuk kemi ndonjë studim dialektologjik i mbështur në premisat shkencore sa i përket të folurit në rrethinën e Velesit, dhe poashtu nuk ekziston një studim i veçantë monografik i kësaj të folmeje. Ajo që mund të gjendet si burim apo literaturë në lidhje me të folurit e gjuhës shqipe në rrehtin e Velesit është e kufizuar, sepse artikujt dhe punimet në këtë sferë vërtet janë të paktë dhe të kufizuara. Në përmbledhjen e këtij punimi do të mundohem të shfrytëzoj disa burime. Para së gjithash ky punim është i përbërë nga shembuj të nxjerrë përmes pyetësorit dialektor si dhe të folmeve spontane me biseda të drejtpërdrejta të cilat i kemi zhvilluar, kryesisht me njerëz më të vjetër të cilët e kanë ruajtur gjuhën popullore shqipe.
Materiali i këtij punimi është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë flitet për të dhënat dhe veçoritë e përgjithshme për popullatën shqiptare në fshatin Buzllakovë, dhe në pjesën e dytë për veçoritë morfologjike të së folmes së kësaj ane.
Punimin e plotë mund ta gjeni në linkun në vijim: Veçoritë morfologjike të së folmes shqipe të rrethit të Velesit.
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk