Studentet.mk, këtë herë publikon intervistën e plotë të realizuar me profesor Ylber Veliun. Në këtë intervistë enkas për faqen studentet.mk, profesori elaboroi perspektivat e programimit dhe sfidat te të rinjët. Kjo intervistë sa informative aq edhe e dobishme për studentet e IT-së, duke pasqyrar realitet dhe udhëzime për një menaxhim më efikas në këtë rrugëtim.

Studentet.mk: Profesor Ylber Veliu, promotor i denjë në komunitetin e IT-së, mund të na flisni pak për biografinë tuaj?

Prof. Ylber Veliu: Kam lindur dhe jam rritur në Kumanovë, aty kam mbaruar shkollën fillore dhe të mesme. Ndërsa, fakultetin e “Shkencave Kompjuterike” e kam përfunduar në FEIT në Shkup. Aktualisht (paralelisht) jam duke ndjekur studimet master në UBT në Prishtinë, drejtimi “Inxhinieria e uebit”, dhe në UNT në Shkup, drejtimi “Inxhinieria softuerike e aplikuar”. Gati një dekadë punoj si zhvillues softuerik me kohë të plotë, dhe konsulent me kohë të pjesshme në kompani zviceriane dhe britanike. Së fundmi (para gati dy vitesh) kam themeluar platformën edukative PËR PROGRAMERA ku përpos menaxhimit shërbej edhe si ligjerues.

Studentet.mk: Nga e absorboni motivin dhe vullnetin për të kontribuar në të mirën e shoqërisë në përgjithësi, dhe të rinjëve në veçanti?

Prof. Ylber Veliu: Jam lexues i zellshëm i librave biografik dhe autobiografik. Jetoj në dy botë paralele, realen dhe imagjinaren – nga e para shpesh dëshpërohem, e të dytën (atë të librave) e përdori si inspirim për të dhënë kontributin tim për të reduktuar dëshpërimin e për të ndërtuar një të ardhme më të mire për të rinjët. Arsyeja pse merrem kryesishtë me të rinjët, e specifikisht me botën digjitale është pasioni që kam për profesionin dhe dëshira për të krijuar një model që mua si i ri më ka munguar.

Studentet.mk: Në cilat sfera e shihni të nevojshme aplikimin e teknologjisë për një arsim më cilësor?

Prof. Ylber Veliu: Problemi në sistemin tonë arsimor qëndron tek jokonsistenca dhe stafi joadekuat që përcaktohet për aplikimin e teknologjisë në procese të caktuara. Ka pasur tentativa të shumta të digjitalizimit, mirëpo, shumica prej tyre kanë përfunduar në dështim ose e pakta nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Për mua dy janë sferat që unë i shoh si më urgjente për ndërhyrje teknologjike: krijimi i një sistemi transparent të notimit, dhe digjitalizimi i materialeve mësimore së bashku me mënyrat e vlerësimit.

Studentet.mk: Cilët janë hapat që duhet të ndjek një i ri i cili dëshiron të meson programimin, dhe paraprakisht nuk ka njohuri për të?

Prof. Ylber Veliu: Çdo i ri duhet që fillimisht të përvetësojë gjuhën angleze. Pas përfundimit me bazat e gjuhës angleze duhet të përcaktohet se cila është gjëja që i pëlqen të bëjë me kompjuter apo thënë ndryshe cilën industri e targeton për punësim dhe kjo mandej e ndërron shtegun të cilin duhet ta ndjekë – p.sh. aftësitë që duhet nxënë pë të zhvilluar në ueb dallojnë nga aftësitë që nevojiten për të krijuar lojëra, apo për të analizuar të dhënat. Mirëpo, janë disa melmesa pa të cilat asnjë drejtim nuk ka shije – ndër më të rëndësishmet janë: njohja e bazave të matematikës, njohja e një gjuhe programimi – nuk ka rëndësi se çfarë përzgjidhet shkaku se tranzicioni në gjuhë tjera mandej është një gjë e lehtë, strukturat e të dhënave, algoritmet, mostrat e dizajnimit të softuerit (ang. design patterns), principet S.O.L.I.D, njohja e mostrave të gabuara (ang. antipatterns) në mënyrë që t’i largohet përdorimit të tyre,…, etj. Përpos aftësive teknike çdo i ri duhet të ketë parasysh që vetëm aftësitë teknike nuk mjaftojnë, ata duhet të pajisen edhe me aftësi të buta (ang. soft skills), aftësi për menaxhimin e kohës, durim, dhe konsistencë në punë.

Studentet.mk: Çfarë i këshilloni studentët e IT-së për t’i ballafaquar më lehtë sfidat për kyçje në industri?

Prof. Ylber Veliu: Mësimi i bazave, specializimi në teknologjinë që thirresh, praktika (portofolio e pasur me projekte), manaxhimi i mirë i kohës, dhe durimi janë arsenal i mjaftueshëm për të mposhtur sfidat e punësimit.

Studentet.mk: Nëse teknologjia do të ishte një pemë, cila do të ishte dega më stabile që do t’ia mundësonte një studenti të arrij në maje?

Prof. Ylber Veliu: Në pemën e teknologjisë frytet janë në maje, andaj, edhe është e nevojshme të ngjesësh më shumë se një degë. Mirëpo, ndër më të fortat është “rëndësia ndaj detajeve”, 99% e njerëzve nuk u kushtojnë rëndësi.

Intervista është realizuar nga:
Studentet.mk

About Author