Sistemet e zgjuara robotike, të krijuara për lehtësimin e së përditshmes, janë kthyer në njërin prej subjekteve më të rëndësishme të Konferencës botërore të Robotëve 2016.
Ngjarja po mbahet në Pekin të Kinës. Mes krijimeve “avant garde”-iste të paraqitura aty është edhe një mekanizëm i amortizimit të goditjes, i konceptuar të mbështesë barrelën brenda një autoambulance. Sistemi zbut tronditjet gjatë transportimit të pacientit.
“Ky mekanizëm e bën pacientin të ndihet si në shtratin e shtëpisë, kur ambulanca kalon për shembull në një rrugë me gropa. Ai gjithashtu e mbron nga lëndimet gjatë transportit. Është një teknologji e zhvilluar në Kinë, që nuk është parë në asnjë vend tjetër”, tha Guo Qiyin, organizator.
Një delegacion i Institutit të Teknologjisë “Harbin” çoi në panair “nanobotin” e tij më të ri. Mikroroboti arrin të lëvizë brenda një zone të caktuar me saktësi të habitshme.
“Ai mund të zvogëlohet shumë e të vendoset edhe në trupin e njeriut për kryerjen e testeve të gjakut”, tha Yu Zhenzhong, delegat “HIT”.
Ekspozita do të pasohet nga një seri garash mes robotëve, ku përfshihet një sfidë fluturimi për “drone”-ët, një konkurs i robotëve nënujorë dhe një betejë “RoboCup”, ku dy ekipe robotësh do të përballen në një ndeshje futbolli.
Përgatiti dhe përshtati
STUDENTET.MK