Edukata është formësim i njeriut

Edukata nuk është koncept dhe teori e cila memorizohet, apo urtësi a proverba të cilët tregohen, por ajo është formësim i jetës së njeriut, ndërtim i aftësive dhe i prirjeve të tij, drejtim i sjelljeve të tij, që ai të ngrihet deri në rrugët e përsosjes.

Gjithanshmëria e edukatës

Edukata në vete dallohet me gjithanshmëri, me përsosuri dhe me shkallëzim. Këto cilësi themelore e bëjnë atë të jetë një proces i rëndë, i cili kërkon shumë përpjekje dhe kohë të mjaftueshme.

Po qe se edukatori nuk e percepton këtë realitet, atëherë ai mund të anojë kah njëra anë duke e dëmtuar anën tjetër të personalitetit, apo përreth tij t’i humbë ndikuesit e tjerë edukues, apo ndoshta edhe të ngutet të arrijë deri te rezultati e në fund ta ndërpresë procesin dhe të dëshpërohet.

Prehje për sytë

Allahu thotë: “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë…” (El-Furkan: 74)

El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Pasha Allahun! Nuk ka prehje më të mirë për syrin e myslimanit se ta shohë fëmijën, fëmijën e fëmijës, vëllanë, apo mikun duke iu nënshtruar dhe bindur Allahut.”1

Që të të ndihmojë ty për t’iu nënshtruar dhe bindur Allahut

Prej fryteve të edukatës së denjë është se do të kesh fëmijë i cili do të të ndihmojë për fenë tënde. Omer ibn Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, i lodhur nga angazhimet e ditës si prijës i myslimanëve shkoi të pushonte para namazit të drekës. Iu afrua djali i tij, Abdulmeliku, dhe i tha: “Je shtrirë të pushosh dhe nuk po merresh me problemet e njerëzve?”

U përgjigj: “Mbrëmë nuk kam bërë gjumë, si ta fali namazin e drekës, do të filloj të merrem me to.”

Djali i tha: “E kush të siguron se do të jetosh deri në drekë?”

Omeri ia ktheu: “Biri im, eja këtu afrohu”, – dhe e puthi në mes të ballit. Pastaj tha: “Falënderimi i takon vetëm Allahut, i Cili, prej pasardhësve të mi më dha fëmijë që më përkrah për në fenë time.”2

Vlera e edukatës

Udhëheqësi i myslimanëve, Mensuri, e dërgoi shërbëtorin e tij te burgu që t’i pyeste të burgosurit prej fisit Beni Umeje: “Cila vështirësi është më e rënda që e përjetoni në këtë burg?”

Ata i thanë: “Më e vështira është fakti se nuk kishim rastin t’i edukonim fëmijët tanë!”3

I harruan prangat, vetminë, poshtërimin dhe namin e mëhershëm që e kishin, e ndienin keqardhje për pamundësinë që t’i edukonin fëmijët e tyre.

E fëmijët që i kemi pranë nesh, çfarë po veprojmë me ta?

Edukata është pjesë e jetës

Shumë prej haditheve të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me karakter udhëzues, kishin për qëllim sqarimin e situatës, apo përgjigjen e pyetjes, apo shfrytëzimin e ndodhisë. Kjo na bën të kuptojmë se edukata qenka pjesë e lidhur ngushtë me jetën, e pandarë prej saj.

Vijueshmëria e edukatës

Edukata vjen përpara arsimit, bashkë me arsimin dhe pas arsimit. Edukata është pistoni i sigurisë kundër dukurive të cilat i shohim tek ai që i mungojnë gjurmët e arsimit në cilësitë dhe sjelljet e tij.

Xhundub ibn Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Ishim të rinj në moshë, diku afër moshës së pubertetit, kur rrinim bashkë me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe njëherit e mësonim imanin para se ta mësonim Kuranin. Kështu që e mësuam Kuranin, e kjo na e shtoi edhe më tepër imanin.”4

Ashtu siç më kanë edukuar kur unë isha i vogël

Më e mira që prindërit u japin fëmijëve të tyre është edukata e mirë dhe e drejtë. Për këtë shkak Allahu e veçoi me përmendje edukatën karshi gjithë atyre gjërave që prindërit ua japin fëmijëve të tyre dhe thotë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar, kur unë isha i vogël!” (El-Isra: 24)

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, në komentarin e këtij ajeti tha: “E veçoi Allahu edukatën me përmendje që njeriu ta kujtojë mëshirën, butësinë dhe lodhjen e prindërve në edukim, e kjo t’ia shtojë atij më shumë mëshirën dhe dhembshurinë ndaj tyre.”5

Edukata e mirëfilltë është ndihmëtari yt për të mirën tënde

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për ty njeriu më i dobishëm është ai që ta mundëson t’i afrohesh derisa të mbjellësh hairin tek ai apo t’ia bësh atij ndonjë të mirë. E ky njeri është përkrahja më e mirë për ty në të mirën tënde dhe në përmirësimin tënd drejt përsosjes. Realisht përfitimi yt prej tij është sikur përfitimi i tij prej teje ose edhe më shumë.”6

Edukata është vizion dhe punë

Kur shikojmë në hollësitë e jetës së përditshme të edukatorit, ndodh që ta humbim vizionin e plotë afatgjatë për të. Atëherë kur e kufizojmë veten në vizionin teorik, ndodh që ta humbim dinamikën vepruese të përditshme. Pra, ne kemi nevojë që çdoherë ta rikujtojmë se jeta është vizion dhe punë.

Kur ia mëson tjetrit të mirën, është kulmi i bamirësisë

Bamirësia është kushti i shpirtrave bujarë. Kulmi i bamirësisë është kur ia mëson tjetrit të mirën, ndërsa mësuesit të mirë i shpërblehet e mira e tij tek Allahu dhe te njerëzit. Ai gjendet në mes të shpërblimit të Allahut dhe të ndershmërisë së njerëzve. Nëse atë e braktisin krijesat, nuk do ta braktisë Krijuesi. Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nxënësi i dijes duhet ta dijë shenjtërinë e mësuesit të tij dhe ta falënderojë atë për bamirësinë kundrejt tij. Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon Allahun. Nxënësi nuk guxon t’ia mohojë hakun dhe të mirën mësuesit që e ka bërë për të.”7

Fëmijët janë farë e mirë

Fëmijët tanë janë sikur toka pjellore. Nëse në të e mbjellim farën e mirë, del e mirë bima dhe piqen frutat. E, nëse e braktisim mbjelljen, do të vijnë të tjerët të na e mbjellin tokën me çfarë të duan ose të na dëmtojnë me gjembat e të mbjellave të tyre.

Irfan Jahiu


WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *