Vizatimi i objektivave
Nëse makina lëviz pa ndonjë drejtim të caktuar, do ta harxhojë krejt benzinën sado të jetë e mbushur. Kështu është kur ne e mbushim nxënësin-fëmijën me ambicie të larta apo e inkurajojmë, pa e ndihmuar paraprakisht në vizatimin e synimeve të qarta dhe të caktuara për jetën e tij.
Dy çështje
Është shumë me rëndësi që edukatori t’i mbjellë dy çështje në shpirtin e nxënësit-fëmijës:
1. Përcaktimin e një synimi të lartë dhe të mirë.
2. Mbjelljen e ambicies së lartë për ta realizuar atë synim.
Në këtë rast, fëmija-nxënësi do të jetë fuqimisht i motivuar që të ecën i vetëm, pa pasur nevojë që ta përcjellim çdo hap të tij.
Synimi i qartë
Vizionin që e dëshiron prej nxënësit-fëmijës nuk është me rëndësi të jetë i qartë vetëm te ti, por edhe tek ai duhet të jetë i qartë, sepse kur ndonjëri prej jush e humb vizionin, procesi i edukimit dobësohet dhe çrregullohet.
Vërejtje
E rëndësishme për një edukator, pavarësisht cilës fushë i takon, është që ta zhvillojë personalitetin e atij që e edukon sipas prirjes dhe gjërave që i përshtaten atij e jo sipas asaj që i përshtatet edukatorit dhe prirjeve të tij. Ne nuk dëshirojmë të bëjmë kopje të vetes sonë në edukimin e tyre.
Kapitali i edukatës është besimi i drejtë
Prej gjërave që e shtojnë edukatën te fëmijët tanë:
– Shëmbëlltyrë e mirë, me fjalë dhe vepra.
– Ruajtja e natyrshmërisë së pastër të tyre duke i larguar nga mjetet e liga të informimit.
– Shfrytëzimi i ndejave të leximit të Kuranit duke i lidhur shpirtrat e tyre me ajetet që përmbajnë besimin se Isa është rob i Allahut dhe ai nuk është kryqëzuar.
– Lidhja e tyre me historinë dhe me jetëpërshkrimin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
– Shfrytëzimi i situatave dhe ndodhive sikur suksesi apo sëmundja, për t’i lidhur zemrat e tyre me Allahun.
Përparësi për më të rëndësishmen
“Mendoja për shkakun se pse njerëzit refuzojnë ta kujtojnë ahiretin dhe atë e gjeta se ishte te kuptimi i mangët. E pashë një njeri të rëndomtë i cili e angazhonte të birin e vet me punë për ekzistencën, por nuk ia mësonte obligimet e adhurimit dhe të mirësjelljes. Ky fëmijë u shndërrua në kërkues të dynjasë, i cili nuk di gjë për çështjet e ahiretit. Nëse i jepet mundësia të prezantojë në ndonjë ndejë, ndoshta mund të dëgjojë prej të pranishmëve ndonjë fjalim për lehtësime të kota, e të dalë prej atij vendi me gjynahe dhe të thotë: Zoti im është Bujar!”[1]
Edukimi për të sakrifikuar
“Përgjegjësi i fëmijës duhet të mundohet deri në maksimum ta largojë fëmijën të marrë gjëra prej të tjerëve, sepse, kur mësohet të marrë, i bëhet adet dhe rritet duke kërkuar e jo duke dhënë. Andaj duhet ta mësojë të jetë bujar e të japë. Kur përgjegjësi dëshiron të japë diçka për të varfrin apo nevojtarin, është mirë këtë t’ia lërë fëmijës që ai ta japë me dorën e tij dhe ta shijojë ëmbëlsinë e dhënies.”[2]
Hisja e Kuranit në edukatë
Nëpërmjet Kuranit Allahu i hapi zemrat për iman. Imam Buhariu shënon hadithin prej Xhubejr ibn Mutim, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ishte në mesin e robërve të luftës së Bedrit ku thotë: “E dëgjova Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e lexuar suren et-Tur në namazin e akshamit dhe kur arriti te ajeti: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” (Et-Tur: 35), zemra ime gati sa nuk më fluturoi. Kjo ishte hera e parë që m’u mboll imani në zemrën time.”
Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, zemra iu zbut me Kuran. Banorët e Medines e pranuan Islamin nëpërmjet Musab ibn Umejr, Allahut qoftë i kënaqur prej tij, me Kuran. Vallë, a po ia japim Kuranit hisen që e meriton në edukim?!
Dashuria për Ebu Bekrin dhe Omerin, Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të dyve
Malik ibn Enes, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Selefi (gjeneratat e para të myslimanëve) i mësonte fëmijët e tyre ta duanin Ebu Bekrin dhe Omerin, Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të dyve, sikur ua mësonte suret e Kuranit.”[3]
Hadithi i cili përcillet për fëmijën që i ka mbushur të dhjetat: “Ndani fëmijët nga shtrati (kur t’i mbushin të dhjetat).”[4]
– Qëllimi është të vijë deri te ndarja e fëmijës që të mos flenë në një shtrat, por çdonjëri të flejë veç e veç. Kjo mund të arrihet edhe nëpërmjet krevateve që janë disakatëshe.
– Hadithi është i përgjithshëm për të gjithë fëmijët, pavarësisht a janë meshkuj të gjithë, apo femra, apo të përzier meshkuj dhe femra.
– Nëse ka hapësirë të mjaftueshme, pëlqehet që të ndahen djemtë dhe vajzat nëpër dhoma të veçanta për secilën gjini duke u përkujdesur për veçoritë e çdo gjinie.
– U ligjërua ky rregull për t’i ruajtur fëmijët nga prishja dhe degjenerimi e aq më parë duhet të jetë ndalimi i kanaleve të degjeneruara televizive e të ngjashme me to.
Lutja drejtuar Allahut për t’i mbrojtur fëmijët
Përkujdesja e prindërve për t’i mbrojtur fëmijët e tyre duke kërkuar mbrojtje tek Allahu me lutje dhe rukje është prej traditës së profetëve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kërkonte mbrojtje për nipat e tij Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, duke thënë: “Babai juaj (Ibrahimi, alejhi selam) kërkonte mbrojtje tek Allahu për Ismailin dhe Is’hakun, me këto fjalë: ‘Eudhu bi kelimatil-lahi et-tameh min kul-li shejtanin ve hammeh, ve min kul-li ajnin lammeh’. (Kërkoj mbrojtje, me fjalët e përsosura të Allahut, kundrejt çdo shejtani dhe kafshe helmuese dhe kundrejt çdo syri të keq (mësyshi).”[5]
Shënon imam Buhariu prej Sad ibn Ebi Vekas se ia mësonte birit të vet këtë lutje, sikur ia mëson mësuesi nxënësit të vet shkrim-leximin: “Allahume inni eudhu bike minel xhubni, ve eudhu bike en ured-de ila erdhelil umuri, ve eudhu bike min fitneti ed-dunja, ve eudhu bike min adhabil kabri. (O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga frika! Kërkoj të më mbrosh nga koprracia! Kërkoj të më mbrosh nga pleqëria e fishkur! Kërkoj të më mbrosh nga sprovat e dynjasë dhe kërkoj të më mbrosh nga dënimi në varr!)” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kërkonte mbrojtje prej tyre në teshehudin e fundit, para dhënies së selamit.
Nëse për fëmijën mësimi i shkrim-leximit llogaritet bazament dhe përkrahje për të në jetën e tij, vallë çfarë vlere ka për të mësimi i asaj që është mbrojtje dhe shpëtim për të në dynja dhe ahiret!?
U pyet dijetari, Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, për formën e leximit të lutjeve dhe rukjes për fëmijët, dhe tha: “I bashkon prindi dy duart e veta, i lexon lutjet dhe fryn në to (fryn me pështymë lehtë në to), e pastaj e fërkon me to fëmijën.”[6]
Prej mjeteve që ua bëjnë të dashur fëmijëve tanë leximin:
– Pajisja e shtëpisë me një librari që do të përmbajë libra të këndshëm dhe revista të mira.
– Shoqërimi i tyre nëpër biblioteka dhe panairet e librit duke i njoftuar aty me sektorin e fëmijëve.
– Organizimi i garave në lexim në mes të familjarëve apo nxënësve në klasë dhe inkurajimin e më të suksesshmit.
– Përmendja e shembujve të lexuesve të dalluar dhe njohja e tyre.
– Caktimi i ndejave për lexim grupor.
– Prej tyre të kërkojmë t’i përmendin dobitë apo të na i tregojnë rrëfimet që i kanë lexuar.
Për t’ua mbjellë trimërinë fëmijëve tanë, duhet:
– T’u rrëfejmë për heroizmin e fëmijëve të njohur nëpër histori.
– T’i lavdërojmë kur e paraqesin trimërinë dhe të luajmë me ta lojëra që i forcojnë fizikisht dhe psiqikisht.
– T’i kalisim në mënyrë praktike që t’i tejkalojnë pengesat që i frikësojnë.
Për të mos e mbjellë frikën te ta, duhet:
– T’i largohemi talljes ose dënimit duke i frikësuar me xhindet apo mbylljen e tyre në vend të errët.
– Të mos e shpërngulim frikën dhe fobitë tona prej gjërave të ndryshme te ta, sepse realisht ata na ndjekin ne dhe ne jemi shëmbëlltyrë për ta.
– T’i ndalojmë të shikojnë filma dhe lojëra që shkaktojnë frikë.
– Të mos shfaqim shqetësim të tepërt kur të goditen me ndonjë fatkeqësi.
Çdo e mirë vjen prej Allahut
Fëmija duhet të njoftohet se çdo e mirë që i vjen është mirësi prej Allahut. Gjatë bisedimit me të duhet të mbështetemi në inkurajimin e tij për ta fituar mirësinë dhe mëshirën e Allahut dhe për t’i arritur shkaqet që e përfitojnë dashurinë e Tij. Kështu zemra e fëmijës lidhet me Allahun nëpërmjet litarit të dashurisë dhe frikës. Kjo është gjuha më e përafërt që e kupton zemra e fëmijës. Si shembull e marrim të mësuarit e tij ta shqiptojë lutjen profetike kur të shtrihet në shtrat për të fjetur: “Elḥamdu lil-lahil-ledhi kefani, ve avani; elḥamdu lil-lahil-ledhi eṭ’ameni ve seḳani; lḥamdu lil-lahil-ledhi men-ne alejje feafdale (Falënderimi i takon Allahut, i Cili më ruajti nga dëmi i keqbërësve dhe më strehoi me vendbanim. Falënderimi i takon Allahut i Cili më dha për të ngrënë dhe për të pirë. Falënderimi i takon Allahut i Cili më dha mirësi edhe atë me bollëk).”[7]
Mësimi i të vegjëlve që të përkujdesen për kohët e vlefshme
Pëlqehet që fëmijët e vegjël të mësohen se si të përkujdesen për kohët e vlefshme si për kohën e mëngjesit dhe pjesën e fundit të natës, shfrytëzimin e tyre me atë që i përshtatet asaj kohe si dhikri, duaja dhe namazi.
Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fëmija i vogël është mirë të mësohet të kujdeset për pjesën e fundit të natës. Ajo është koha kur ndahen thesaret dhe shpërndahen shpërblimet. Prej njerëzve ka që marrin pak dhe ka prej tyre që marrin shumë, por ka edhe të privuar. E, kur fëmija kalitet që ta shfrytëzojë kohën e natës në fëmijëri, kur të rritet do të jetë shumë më e lehtë për të.”[8]
Dhikri (përmendja e Allahut) është prej mjeteve më të rëndësishme që e mbjellin besimin në shpirtin e fëmijës
Prej mënyrave që e bëjnë të dashur dhikrin, përmendim:
– Të incizohen lutjet me zërin e ndonjërit prej prindërve dhe më pas fëmija ta dëgjojë incizimin.
– Të mësohen duke e përdorur ndonjë metodë që jep zbavitje si shkrimin e tyre nëpër libra e pastaj ngjyrosjen e tyre, dalja në piknik dhe bërja e garave se kush po mëson më shumë prej tyre.
– Duke u bërë ne shëmbëlltyrë; Abdurrahman ibn ebi Bekrah i tha prindit të vet: “O babai im! Të dëgjoj për çdo ditë po lutesh me këtë lutje: “Allahumme afini fi bedeni, Allahumme afini fi semi, Allahumme afini fĩ besar! La ilahe il-la Ente” (O Allahu im! Më jep shëndet në trupin tim, në dëgjimin tim dhe në shikimin tim, nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Teje!); këtë po e përsërit tri herë në mëngjes dhe tri herë në mbrëmje, e pastaj po thua: “Allahumme inni eudhu bike minel kufri uel faḳri, ue eudhu bike min adhabil ḳabri, la ilahe il-la Ente” (“O Allahu im! Kërkoj mbrojtje te Ti nga kufri (femohimi), varfëria dhe kërkoj mbrojtje nga ndëshkimi në varr, nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Teje!); dhe këtë po e përsërit tri herë në mëngjes dhe tri herë në mbrëmje! Prindi i tha: “Kështu e kam dëgjuar duke u lutur Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke u lutur me to, ndërsa për mua më e dashur është që të eci rrugës së tij.”[9]
Morali fitohet me kalitje
Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fëmija ka shumë nevojë që të përkujdesemi për moralin e tij. Ai zhvillohet sipas edukatës që e merr prej edukatorit në vegjëlinë e tij. Nëse zemërimi, kokëfortësia, ngutësia, mendjelehtësia etj., i bëhen pjesë e moralit të tij në vegjëli, është shumë e rëndë t’i përmirësojë ato cilësi kur të rritet, sepse i shndërrohen në karakteristika, veti dhe shprehi të mbjella në shpirt. Edhe nëse kujdeset në maksimum që ato mos të shpalosen para të tjerëve, patjetër një ditë do t’i dalin në shesh. Për këtë shkak e vëren se devijimi në moral te shumica e njerëzve ka ardhur si rezultat i edukatës që me të është rritur prej vegjëlisë.”[10]
Prindërit luajnë rol të rëndësishëm në kalitjen e fëmijëve në mësimin e gjuhës amtare të pastër dhe gjuhës së Kuranit (alfabetit)
– Prindi duhet t’ia bëjë të dashur fëmijës gjuhën e pastër, gramatikën dhe gojëtarinë.
– Prindi duhet t’ia mësojë fëmijës prej vegjëlisë alfabetin e Kuranit që të fillojë me leximin dhe memorizimin e tij.
– Furnizimi i shtëpisë me revista, gazeta dhe libra që kanë gjuhë të pastër dhe përmbajtje të pastër.
– Bashkëbisedimi në shtëpi të jetë në gjuhën e pastër amtare. Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Gjeneratat e para i ndëshkonin fëmijët e tyre, në rast se flisnin me gabime gjuhësore.”[11]
[1] Ibn el-Xheuzij.
[2] Tuhfetul Meudud (fq. 241), Ibn el-Kajim.
[3] El-Lalekai në Sherh I’tikad Ehlu Suneh (7/1313).
[4] Sahih Ebu Davud.
[5] Buhariu (3371), Ebu Davudi (4737).
[6] Themaratu et-Tedvin.
[7] Albani e vlerësoi hadithin si të mirë. Sahih et-Tergib ue et-Terhib.
[8] Tuhfetul Meudud (fq. 241).
[9] Sahih el-Edeb el-Mufrad, Imam Ahmedi (19917), Ebu Davud (5090), Ibn Haxheri dhe shejh Albani e vlerësoi të mirë.
[10] Tuhfetul Meudud (fq. 240).
[11] El-Fetava (32/252).
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK