Përgatitja për provime
– Largimi i fëmijës pak nga pak nga argëtimi (shokët, loja e futbollit, shëtitjet…)
– Vendosja e orarit të përsëritjes para provimeve i sistematizon fëmijët e na rehaton nga përsëritja e urdhrave të përditshëm që ata të lexojnë dhe të përsërisin.
– Planifikimi i hershëm i programeve argëtuese për fëmijët e vegjël dhe angazhimi i tyre që mos t’i pengojnë vëllezërit/motrat e tyre gjatë kohës së provimeve.
– Madhësia e dhuratës që ua jep për sukses, të jepet varësisht nga koha e gjatë që e kalojnë në përsëritje.
Përgjegjësia e prindërve gjatë kohës së provimeve është e madhe, ndërsa, për shkak të mungesës së administratës së shkollës apo angazhimit të tyre dhe të mësuesve rreth përgatitjes së provimeve, ndodh që disa nxënës t’i japin vetes liri. Mund të ndodhë të bien në disa gabime në fe që më herët përgjatë vitit shkollor nuk i kanë vepruar. E ilaçi i kësaj është gjetja e kohës së lirë shtesë për fëmijët dhe përcjellja e tyre gjatë kthimit prej shkollës, këshillimi dhe udhëzimi i tyre me vepra, mbështetur në fjalën e Allahut: “…Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri…” (Et-Tehrim: 6)
Koha e provimeve nuk është kohë pushimi për edukatorin-pedagogun, po është hapësirë e përshtatshme për kontrollimin e sjelljeve të nxënësit dhe shkathtësive të tyre, si për shembull:
– Lidhshmëria me Allahun.
– Aftësia mendore.
– Animi i tij shkencor.
– Gjendja e tij psikike gjatë vështirësive.
– Sjellja e tij me shokët.
– Gjendja e tij gjatë gëzimit dhe pikëllimit. Sipas këtyre sqarimeve i bazon programet e tij edukative të përshtatshme për në të ardhmen.
Shkuarja jote me fëmijët në shkollë dhe kthimi i tyre me ty, në kohën e provimeve, i mbron ata nga shumë të këqija apo sherre. E keqja dhe dëmi që ndodhin në shkollë dhe jashtë saj është çështje tej
mase e rrezikshme. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdonjëri nga ju është bari dhe përgjegjës për kopenë e vet.”118
Disa nxënës nuk përsërisin, jo pse nuk duan, por për shkak se nuk dinë si të përsërisin dhe e kanë të vështirë të arrijnë ta gjejnë metodën e drejtë.
Në këtë rast e kemi për obligim t’i tregojmë për metodën më të mirë dhe më të lehtë në shkurtimin dhe sqarimin e mësimeve, duke mos e harruar faktin se metodat e përsëritjes së shëndoshë janë të shumta dhe nuk është vetëm një. Krejt varet nga shija. Kryesorja është të jetë produktiv dhe i frytshëm në rezultat, duke pasur kujdes menaxhimin e mirë të kohës gjatë përsëritjes.
Prej gabimeve gjatë përsëritjes
– Fokusimi në disa lëndë në llogari të disa lëndëve të tjera. Ajo që kërkohet është shpërndarja e mundit në çdo lëndë sipas sasisë që e meriton.
– Fokusimi i tepërt në disa kapituj të lëndës dhe anashkalimi i kapitujve të tjerë.
– Të mjaftohemi në përsëritjen e përmbledhjeve të mësimeve dhe pyetjeve të provimeve të viteve të kaluara apo asaj që e thotë mësuesi në fund të orëve për përsëritjen e lëndës mësimore.
Ajo që ndihmon në memorizimin e mësimeve
1. Braktisja e mëkateve
Alij ibn Hashram tha: “Nuk kam parë ndonjëherë libër në dorën e Vekiut, ai mësonte përmendsh. E pyeta për ilaçin e mbajtjes mend dhe më tha: ‘Nëse ta mësoj ilaçin, a do ta përdorësh?’ I thashë: Po, pasha Allahun! Më tha: ‘Braktisja e mëkateve, nuk kam provuar sikur ky ilaç për mësimin përmendsh.’ ”
2. Përsëritja e vazhdueshme
E përsëriste një dijetar i fikhut mësimin e tij për disa herë, e një plakë i tha atij: “Pasha Allahun, unë e mësova nga përsëritja jote dhe ia tha para tij.” Pas disa ditëve dijetari i tha: “Ma thuaj përsëri të njëjtin mësim.” Ajo tha: “Nuk e mbaj në mend, e kam harruar.” Dijetari i tha: “Për këtë shkak unë e përsëris.”
3. Diskutimi dhe studimi i përbashkët
Abdullah ibn Ahmed, i biri i imam Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, thotë: “Babai im më tha: ‘Merre cilindo kapitull prej kapitujve të librit ‘Musanaf të imam Vekiut e, nëse do, më pyet për fjalët e librit e
unë do të të tregoj për zinxhirin e atyre fjalëve, ose, nëse do, më pyet për zinxhirin, e unë do të të tregoj për fjalët.’ ” 119 Përsëritja dhe studimi i përbashkët i dijes në mes të fëmijës dhe prindit është jetë për dijen në shpirt, si dhe jep shembull të vërtetë dhe është shtytës moral për kërkimin e zotërimit të dijes. Nëse prindi nuk është i tillë, le të mundohet ta takojë të birin me të dijshmit.
4. Harresa
Harresa është natyrshmëri njerëzore, shkaqet e së cilës dallojnë nga nxënësi në tjetrin. Është gabim që ilaçi të përgjithësohet dhe i njëjti ilaç të përdoret te çdo pamje dhe formë e harresës. Kush harron për shkak të presionit të provimeve, apo nga frika e familjes, apo mosfokusimi, nuk është i njëjtë me atë që harron për shkak të memories së dobët apo se ka vështirësi në atë që dëshiron ta përsërisë. Përsëritja e vazhdueshme, sistemimi i lëndës dhe kuptimi i saj janë faktorë të rëndësishëm për përqendrimin e asaj që mësohet përmendsh, pa i shpërfillur anët shpirtërore të cilat ndikojnë në atë mënyrë saqë nuk mundet të nënvlerësohet.
Këshilla për kontrolluesin (monitoruesin) në sallën e provimeve
– Kontrollimi është amanet që e çon ta ndiejë se ai është nën kontrollin e Allahut.
– Fjalët e mira e ngrehin moralin e nxënësve.
– Kontrollimi nuk nënkupton vrazhdësi dhe sjellje të keqe, por nënkupton vendosmëri dhe sjellje me urtësi atëherë kur ka nevojë.
– Nuk është problem nëse bën dhikër gjatë kohës së kontrollimit të nxënësve në sallë të provimit, pa e lënë pasdore detyrën që e ka dhe pa i penguar nxënësit në provim.
– Dhënia hapësirë nxënësit të vjedhë në provim është tradhti e amanetit dhe padrejtësi ndaj nxënësve të tjerë dhe përkrahje e padrejtësisë.
Drejtësia në kontrollimin e provimit
Allahu thotë: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!” (El-Maide: 8)
Nga drejtësia është:
– Mësuesi nuk duhet të bjerë poshtë duke e lejuar veten që urrejtja e tij ndaj nxënësit ta nxisë ta braktisë drejtësinë dhe ta privojë nxënësin nga pikët që i meriton.
– Dashuria e mësuesit ndaj nxënësit apo mëshira ndaj tij për arsye të moralit të mirë apo situatës që gjendet, nuk duhet të jetë shkak për t’ia dhënë pikët që nuk i meriton.
Mësuesi është në shkallën e gjykatësit, i kontrollon pyetjet sipas asaj që e lexon, nuk e merr parasysh akraballëkun e nxënësit, varfërinë e tij, sjelljen e tij apo përpjekjen e tij përgjatë mësimeve. Nëse nxënësi e shkruan argumentin prej Kuranit apo Sunetit dhe gabon në to, por, pjesa ku ka argumentuar, nëse ajo është e saktë, atëherë mbetet e saktë dhe nuk i shkruhet nxënësit si gabim.
Kur nxënësi në përgjigjen e tij shton diçka më tepër që në të ka gabim, ajo nuk duhet t’i llogaritet, përveç nëse e kuptojmë nëpërmjet ndonjë dëshmie se ai ka dashur t’ia turbullojë fjalët e përgjigjes kontrolluesit të provimit.120
Ruhuni nga vjedhësit e provimeve
– Vjedhësit e kohës: ta marrin kohën me pretekst të përsëritjes grupore ose çlodhje prej provimit.
– Vjedhësit e moralit: e marrin nxënësin pas provimit t’ia mësojnë adetet e këqija, si: pirjen e duhanit, lidhjet e ndaluara fetarisht etj.
– Vjedhësit e mendjes: shpërndajnë kokrra që japin energji dhe e bëjnë njeriun të hareshëm, ato i shkatërrojnë sistemin nervor dhe e fusin në fillim të rrugës së marrjes së drogës.
– Vjedhësit e shpresave: përçojnë shprehje pesimizmi dhe pengojnë për në arritjen e suksesit.
Tensionimi i tepërt dhe ndikimi i tij shpirtëror te fëmijët tanë gjatë kohës së provimeve ndikon në realizimin e provimeve të tyre, andaj patjetër prindërit me afrimin e kohës së provimeve t’i marrin disa hapa mirëmbajtës për të kontribuuar në pakësimin e gjurmëve të tensionimit, edhe atë nëpërmjet heqjes së botëkuptimeve të cilat në mënyrë të gabuar e lidhin suksesin shkollor me ardhmërinë. Po ashtu duhet t’i mbillet në shpirt botëkuptimi i imanit, i cili e çon njeriun t’i marrë shkaqet e arritjes së suksesit dhe e bën të jetë i kënaqur me përcaktimet e Allahut.
Gjatë krizave dhe vështirësive shfaqen shumë prej pikave të fuqisë dhe dobësisë e edukatori i mençur di si t’i menaxhojë ato. Ai kohën e provimeve e shfrytëzon si hapësirë për vrojtimin e cilësive pozitive dhe negative të fëmijëve, e në këtë mënyrë e formulon planprogramin e tij për zhvillimin e mirëfilltë dhe parandalimin e gjërave negative në të ardhmen. Kjo është një metodë mirëmbajtëse e mençur dhe me rekomandime të përsosura, kursen shumë kohë dhe mund në përmirësimin e gabimeve dhe përcjelljen e saj para se ato të shndërrohen në adete dhe tabiate të ngulitura.
Prindërit përkujdesen t’i përgatisin fëmijët para provimit, por cili është roli i tyre pasi të dalin prej provimit?
– Kthimin e tyre në shtëpi që të mbrohen prej shoqërisë së keqe.
– Zvogëlimin e ndikimit të provimit të kaluar në shpirtrat e tyre.
– Kalitjen e tyre që të kenë baraspeshë në pushim dhe mos të dalë situata jashtë kontrollit, pastaj natën ta kalojnë në pagjumësi e ditën ta braktisin namazin.
– Edukimi i tyre në moral të mirë dhe ta ruajnë gjuhën e tyre për mësuesit.
– Mbjelljen e respektimit të dijes në shpirtrat e tyre duke u përkujdesur për librat shkollorë dhe moshedhjen e tyre nëpër skaje apo më e keqja në bërllok.
Me rëndësi për prindërit gjatë mësimit të fëmijëve të tyre në kohën e provimeve është që të fokusohen në zhvillim e mendjes dhe jo në mbushjen me informata. Informata shumë shpejt ikën dhe harrohet, ndërsa zhvillimi i mendjes mbetet dhe vazhdon deri në pleqëri.
Dështimi në një gjë nuk do të thotë dështim në çdo gjë
Shpeshherë fëmijën e dështuar në mësime e shikojmë si të jetë i dështuar në çdo gjë. Kjo ndikon në personalitetin e tij e kjo na çon ne dhe atë në dështim. Patjetër ta kujtojmë çdoherë se njerëzit kanë aftësi, anime dhe talente, e çdokujt i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar, siç tha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK