1. Përkujdesja për ndjenjat e bashkëbiseduesve dhe atyre që janë ulur afër njëri-tjetrit në mexhlis:
Nga edukata islame është që kur dy ose më shumë veta bashkëbisedojnë në vendtubim, duhet që paraprakisht të merret leja e tyre për t’u ulur me ta. Ndoshta ata mund të kenë fshehtësi të cilat nuk duan t’i shpalosin, e kur njeriu ulet pa leje mund t’i dëgjojë ato fshehtësi, ose mund t’i detyrojë bashkëbiseduesit të heshtin, ose ta ndryshojnë temën, kështu që kyçja e tij në bisedë pa leje mund t’i dëmtojë ata. Andaj kush dëshiron që të tjerët të gëzohen dhe ta mirëpresin ardhjen e tij, le ta respektojë edukatën islame, të marrë leje nga bashkëbiseduesit para se të hyjë.
Seid El-Makburij thotë: “Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ishte duke bashkëbiseduar me një burrë, unë u afrova të bashkëngjitesha në muhabet, por Abdullahu më ra me dorë në gjoks dhe më tha: ‘A nuk e mësove që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: ‘Kur dy veta janë duke bashkëbiseduar, mos u ul me ta pa lejen e tyre’. ”
E përafërt me këtë është edhe kur i treti ulet në mes dy vetave duke i ndarë ata pa lejen e tyre. Abdullah ibën Amri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk i lejohet ndonjërit që t’i ndajë dy veta (që janë ulur njëri afër tjetrit) përveçse me lejen e tyre.”
“Fjalët ‘që t’i ndajë dy veta’; nënkupton të vijë i treti dhe të ulet në mes dy vetave që janë afër njëri-tjetrit.
‘përveçse me lejen e tyre’; nënkupton që duhet të merret leja e tyre, ngase është e mundshme që mes tyre të ketë dashuri, afërsi, fshehtësi, amanet, kështu që t’iu vështirësohet gjendja kur i treti ulet pa leje në mes tyre dhe i ndan ata.”
2. Përkujdesja për ndjenjat e atij që është i ulur në bashkëbisedim:
Islami ndaloi që në një mexhlis kur janë tre veta, dy nga ta të vetmohen dhe të bisedojnë duke mos e lejuar të tretin t’iu bashkëngjitet, edhe nëse biseda e tyre është për hair dhe mirësi, sepse ky i fundit mund të mendojë se ata të dy flasin rreth tij për diçka që ky nuk e do, e kjo të jetë shkak që ta pikëllojë dhe t’i japë mërzi në shpirt.
Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur jeni tre veta, nuk lejohet që për bisedë të vetmohen dy veta pa të tretin, derisa nuk përziheni me njerëzit. Kjo do ta mërzitë atë.”
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Urdhri është për ndalesë, që nënkupton se ndalohet një grup bashkëbiseduesish të vetmohet duke mos e bashkëngjitur në bisedë njërin nga ta. Dispozita ndryshon vetëm atëherë kur ata vetmohen me lejen e tij.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjalët në hadith: ‘derisa nuk përziheni me njerëzit’ nënkuptojnë derisa ata tre veta të përzihen me njerëz të tjerë, qofshin ata një ose më tepër. Prandaj, nëse ata janë katër në numër, nuk ndalohet që dy nga ta të vetmohen dhe të bashkëbisedojnë, sepse edhe ata dy të tjerët që mbeten munden të bashkëbisedojnë. Rreth kësaj ka ardhur edhe argument i qartë që e shënon imam Buhariu në ‘El-Edeb El-Mufrad’ dhe Ebu Davudi, kurse hadithin e saktësoi Ibën Hibani, dhe atë e transmeton Ebu Salih prej Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, i cili thotë se e pyeta Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i thashë: E nëse ata janë katër në numër? Tha: ‘Atëherë kjo nuk e dëmton.’
Në një transmetim tjetër që e shënon imam Maliku prej Abdullah ibën Dinarit, ky i fundit thotë: ‘Ibën Omeri kur dëshironte të bisedonte me dikë në vetmi dhe ishte vetë i treti, e ftonte edhe dikë tjetër t’iu bashkëngjitej dhe të bëheshin katër, pastaj atyre dy të tjerëve u thoshte: ‘Na pritni dhe pushoni pak, sepse e kam dëgjuar…’; dhe e përmendte hadithin.’
Fjalët në hadith: ‘Kjo do ta mërzitë atë’; shkaku se kjo mund ta nxisë të mendojë që ata dy kanë parë diçka të keqe tek ai apo po i përgatisin kurth ta tradhtojnë.
Sqarimi në fjalë na bën me dije që kur ndonjëri vetmohet me dikë në bashkëbisedim duke e lënë anash personin e tretë, e pikëllon atë, por kjo ndalesë largohet vetëm atëherë kur dy veta detyrohen të vetmohen për bisedë rreth ndonjë çështjeje të rëndësishme ku nuk diskreditohet feja e tjetrit.
Imami El-Mazerij, Allahu e mëshiroftë, dhe disa të tjerë thonë: ‘Nuk luan rol në dispozitë numri i bashkëbiseduesve, dy ose grup, nëse ata vetmohen për bisedë dhe shkaktohet kuptimi i mërzisë tek ai që lihet i vetëm.’ Imam Kurtubij shton duke thënë se madje kur është më i madh numri i bashkëbiseduesve, është edhe më rëndë dhe ndalesa është më e thellë, kurse është veçuar përmendja e tre vetave në hadith, shkaku që nuk mund të paramendohet shifër më e vogël se kaq ta shkaktojë atë kuptim, dhe sado që të gjendet në të kuptimi i mërzisë, e pason atë dispozita e ndalesës.
Ibën Batali thotë: ‘Sa më shumë njerëz i bashkëngjiten atij që nuk ftohet për bisedë, është më e vështirë të vijë deri te mërzia dhe akuzimi. Kjo është më e mirë dhe më e preferuar’. ”
Imam El-Hatabi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kjo e mërzit atë, sepse mendon që ata veçohen dhe flasin për dinjitetin e tij. Kjo është e mërzitshme për çdonjërin që gjendet në situatë të tillë.”11
Ibën Alani, Allahu e mëshiroftë, në komentin e librit “Rijadu Es-Salihin”, tha: “Kapitulli që flet rreth ndalesës së vetmimit të dy vetave në bashkëbisedim pa lejen e të tretit (kur janë tre veta), përveçse për ndonjë nevojë, që e bën të lejuar këtë bashkëbisedë, sepse supozohet që dobia të jetë më e madhe sesa dëmi në këtë rast. Ajo që i ngjason në kuptim është kur dy veta flasin me një gjuhë që i treti nuk e kupton atë gjuhë.”
3. Përkujdesja për ndjenjat e atij që është i ulur duke mos e ngritur nga vendi ku është ulur:
Ai që ulet në një vend, është më meritori për atë vend se të tjerët dhe nuk u takon të tjerëve ta ngritin nga ai vend. Kjo është edukatë islame që synon përkujdesjen për ndjenjat e atij që është ulur në një vend. Ai është më meritori për vendin e tij, sepse është ulur aty më herët se të tjerët.
Ndalesa bëhet edhe më e thellë atëherë kur ai që e ngrit tjetrin nga vendi që është ulur, mendon që është më meritor sesa ai që është ulur para tij.
Kjo meritë (për atë që ulet në një vend) është e përgjithshme dhe vlen për të gjitha mexhliset, por më e vërtetuar si meritë është në mexhliset e ibadetit. Islami nxit që të ngutemi për në mirësi dhe të shkojmë herët për faljen e namazit me xhemat në xhami. Ai që shkon më herët në xhami dhe ulet me një vend që është i përgjithshëm, nuk i takon askujt që ta ngritë nga ai vend. E kush e ngrit tjetrin nga vendi i tij, vetëm se i ka bashkuar dy cilësi që urrehen, ngjashëm me atë që kur t’i shet hurmat, t’i jep ato me cilësi të keqe dhe nuk i mat drejt.
Ebu El-Hasib thotë: “Isha i ulur në një vend, ndërkohë erdhi Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Njëri nga të pranishmit u ngrit e ia liroi vendin e tij, por Ibën Omeri refuzoi të ulej në atë vend dhe u ul diku tjetër. Ai që ia liroi vendin, i tha: ‘Pse nuk u ule te vendi im?’ Ibën Omeri tha: ‘Nuk ulem në vendin tënd, e as në vendin e askujt tjetër, pas asaj që e pashë se e veproi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Kur shkoi një burrë tek ai, u ngrit njëri ia liroi vendin dhe kur burri u nis të ulej, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ndaloi të ulej në atë vend’.”
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nuk i lejohet askujt që ta ngritë dikë tjetër nga vendi i tij dhe të ulet ai vetë në atë vend, por bëni hapësirë dhe zgjerohuni.”
Me një transmetim tjetër: I thashë: E në ditën e xhuma? Tha: ‘As në ditën e xhuma dhe as në ditët e tjera.’ Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, nëse çohej ndokush nga vendi dhe ia lironte vendin, nuk ulej në atë vend.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nuk i lejohet askujt që ta ngritë dikë tjetër nga vendi i tij dhe të ulet ai vetë në atë vend, por zgjerohuni dhe bëni vend që Allahu t’ju bëjë vend (në Xhenet).”
Dijetari Nasirudin Albani, Allahu e mëshiroftë, për këtë hadith thotë: “Hadithi dukshëm aludon se nuk është nga edukata islame që ndonjëri të çohet nga vendi që është ulur dhe t’ia lirojë tjetrit në shenjë respekti. Ngritja e tillë nga vendi bie në kundërshtim me udhëzimin profetik. Ajo që më së paku mund të themi rreth dispozitës është që kjo vepër urrehet, bazuar në fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: ‘Nuk i lejohet askujt që ta ngritë dikë tjetër nga vendi i tij’; fjalët e hadithit aludojnë në mohim që nënkupton se ndalohet. Esenca e kësaj meseleje është që ndalohet e jo vetëm që urrehet. Allahu e di më së miri.”
4. Përkujdesja për ndjenjat e atij që ngritet nga vendi ku ka qenë i ulur duke ia ruajtur atë derisa të kthehet përsëri aty:
Islami i përcaktoi të drejtat dhe e garantoi ruajtjen e tyre për çdonjërin që i meriton ato, që të mos vijë deri te mospajtimi në mendime e ndonjëri të pretendojë se ka hak për diçka që nuk është e veta dhe kjo të bëhet shkak për armiqësi dhe urrejtje.
Këtu bën pjesë edhe çështja e vendit ku ulemi, prandaj kushdo që ulet i pari me një vend publik ai është më meritori për të. Nëse çohet nga vendi i tij për ndonjë nevojë, me qëllim që të kthehet përsëri, ai është më meritori për atë vend, nëse kthehet, kurse tjetri që është ulur në vendin e tij, e ka për obligim të ngritet prej aty.
Është mirë, për atë që ngritet përkohësisht nga vendi i tij, ta lërë ndonjë shenjë që aludon se vendi është i tij, kështu të largohen shkaqet e armiqësisë dhe urrejtjes.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju ngritet nga vendi i tij ku ishte ulur dhe pastaj kthehet përsëri, ai është më meritori për atë vend.”
Kjo çështje shpesh anashkalohet nga njerëzit, e në veçanti nëpër tubime dhe ndeja, ku zakonisht nuk ka vend dhe hapësirë të mjaftueshme .
5. Përkujdesja për ndjenjat e të moshuarve në mexhlis, respektimi i tyre, dhënia përparësi në fjalim etj.:
Kjo çështje është nga specifikat e mëdha të Islamit; i vogli nuk flet para të madhit, madje u llogarit nga morali i mirë kur i vogli me vëmendje e dëgjon fjalimin e të madhit.
Fatkeqësisht, kjo edukatë e lartë islame mungon te disa fëmijë të myslimanëve. Ata nuk po i kushtojnë rëndësi kësaj edukate në jetën e tyre, prandaj prindërit dhe edukatorët duhet të mundohen që këtë virtyt të lartë t’ua mbjellin në shpirt dhe zemër.
Nga argumentet që kanë ardhur për respektimin e të moshuarit, përmendim:
Ebu Musa El-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nga madhërimi e respektimi i Allahut janë respektimi i të moshuarit mysliman, i hafëzit të Kuranit, i cili nuk e tepron me të dhe nuk e braktis atë, dhe i prijësit të drejtë.”
Ubade ibën Es-Samit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Nuk është nga umeti im ai që nuk e respekton të madhin, nuk e mëshiron të voglin dhe nuk ia di vlerën dhe hakun dijetarit.”
Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “E pashë veten në ëndërr që po e përdorja misvakun, kur dy burra më tërhoqën, njëri më i vjetër në moshë se tjetri. Ia dhashë misvakun atij që ishte më i ri në moshë, por (Xhibrili) më tha: ‘Jepja më të vjetrit.’ Kështu edhe veprova, ia dhashë më të vjetrit.”
Respektimi i të vjetrit dhe të moshuarit ishte nga morali i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ashtu siç dëshmon edhe kjo ngjarje që ndodhi gjatë çlirimit të Mekes:
Esma bint Ebu Bekër, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, thotë: “Kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri në Meke dhe shkoi te Qabeja, erdhi Ebu Bekri me babanë e tij. Kur e pa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Pse e mundove të vinte këtu, më mirë të qëndronte në shtëpinë e tij, unë do të shkoja tek ai.’ Ebu Bekri i tha: ‘O I Dërguar i Allahut! Ai është më meritor të vijë te ti sesa ti të shkosh tek ai.’ E uli para Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ia fërkoi gjoksin e tij dhe i tha: ‘Pranoje Islamin.’ E pranoi Islamin dhe u bë mysliman.”
Rafi’ ibën Hadixh dhe Sehl ibën Ebu Hathme përcjellin që Abdullah ibën Sehl dhe Muhejisa ibën Mesud erdhën në Hajber dhe u shpërndanë në një kopsht me palma të hurmës. Aty u vra Abdullah ibën Sehl, kurse të tjerët Rafi’ ibën Hadixh, Sehl ibën Ebu Hathme dhe Muhejisa ibën Mesud shkuan te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia cekën rastin e shokut të tyre. I pari që filloi të fliste ishte Abdurrahmani, më i riu në moshë nga të tjerët, por Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, atij i tha: “Jepi përparësi më të vjetrit të flasë dhe ta tregojë rastin e shokut tuaj.” Jahja, njëri nga transmetuesit e hadithit, tha d.m.th. le të flasë më i madhi nga ju, pastaj folën dhe ia cekën atë që ndodhi me shokun e tyre.
Në një transmetim tjetër që e shënon Buhariu përcillet se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Më i madhi, më i madhi (d.m.th. të flasë më i madhi nga ju).”
Kurse në transmetimin e Muslimit: “Jepi përparësi të vjetrit në moshë, ai le të flasë.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadithi është argument se në çështjet e rëndësishme i jepet përparësi më të moshuarit, nëse ai është kompetent dhe ka dije për atë gjë, përndryshe nëse nuk është i tillë, atëherë nuk i jepet përparësi atij. Urdhri për t’i dhënë përparësi të vjetrit në këtë hadith ka qenë ose shkaku që familjari i ngushtë i të vrarit nuk ka qenë i aftë dhe adekuat për të folur, e në këtë rast gjykatësi i jep përparësi tjetrit më të përshtatshëm nga të afërmit ta ngrisë padinë, ose për ndonjë shkak tjetër jashtë asaj që u cek në hadith.”
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hadithi është argument se kur njerëzit janë të barabartë në merita, i jepet përparësi më të moshuarit prej tyre. Njëjtë përparësia jepet edhe në çështjen e udhëheqësisë, pëlqehet në përgjegjësinë e niqahut etj.”
Dijetarët stoliseshin me këtë edukatë dhe e ndiqnin këtë rrugë. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, dijetar i madh, i njohur për devotshmërinë dhe dijen e tij, pozita e tij ishte e madhe te njerëzit, për të imam El-Merudhij thotë: “Imam Ahmedi kishte respekt të madh për shokët e tij, e posaçërisht për ata që ishin më të moshuar se ai. Një ditë i erdhi në vizitë Ebu Hamami i hipur në gomar, ndërsa imam Ahmedi ia kapi rripin e yzengjisë gomarit. Njëjtë e pashë duke vepruar edhe me dijetarët që ishin më të vjetër në moshë se ai.”
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK