Përkujdesja për ndjenjat e njerëzve ishte nga morali i profetëve. Këtë e dëshmon Allahu dhe thotë: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj faljua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Ali Imran: 159)

El-Kasimij, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti tha: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed)…”; do të thotë me besimtarët në përgjithësi, ashtu siç Allahu thotë: “…dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Et-Teube: 128)

“…Sikur të ishe i ashpër…”; i keq në sjellje dhe moral, i ashpër në fjalim.

“…dhe i vrazhdë…”; zemërashpër, i vrazhdë dhe i ftohtë në sjellje.

“…ata do të largoheshin…”; do të iknin dhe do të shpërndaheshin.

“…prej teje…”; nuk do të të afroheshin, nuk do të gjenin strehim dhe qetësi te ti, e kështu nuk do të plotësohej misioni yt, thirrja në fenë e Allahut.

Por Allahu bëri të jesh i lehtë, shpirtmadh, i buzëqeshur, i butë, i ndjeshëm, i respektueshëm, i mëshirshëm: “…Prandaj faljua atyre gabimin…”; faljua gabimet të cilat i bënë ndaj teje ashtu si Allahu ua fali atyre.

“…kërkoji falje Allahut për ata…”; pasi t’ua falësh gabimet, plotësoje mëshirën dhe keqardhjen për ta, kërkoji falje Allahut për ta.

“…dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme…”; këshillohu për çështje lufte dhe jashtë saj, kështu ua shpreh dashurinë për ta, ua kënaq shpirtrat dhe merren parasysh mendimet e tyre.

Disa komentues të Kuranit thanë: ‘Ajeti na mëson që e kemi për detyrë të kapemi për virtytet e larta të moralit, në veçanti ai që thërret në fenë e Allahut dhe thërret në të mirën’.”

Dijetari i mirënjohur Es-Sadij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Sjellja e mirë që del nga prijësi fetar, i tërheq njerëzit për kah feja e Allahut dhe ua bën të dashur fenë, duke mos e harruar këtu atë që prej tij buron sjellja e mirë, sepse ai fiton lëvdata dhe shpërblim të veçantë, kurse sjellja e keqe që buron nga prijësi fetar, bën që njerëzit të largohen nga feja dhe ua bën të urryer fenë, duke mos e harruar këtu atë që prej tij del sjellja e keqe, sepse ai fiton qortim dhe ndëshkim të veçantë.

Allahu në këtë ajet iu drejtua Të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që ishte i mbrojtur nga mëkatet dhe profet i nderuar, duke e porositur atë me porosi, e vallë si është çështja me të tjerët?! A nuk është detyrim i madh dhe objektiv i rëndësishëm që për shëmbëlltyrë të merret morali i tij fisnik, të sillemi me njerëzit si sillej Ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për

të, me butësi, sjellje të mirë dhe afrim të zemrave. Kështu e zbaton urdhrin e Allahut dhe njëkohësisht i tërheq njerëzit për kah feja e Allahut.”

Këto virtyte të larta i kanë poseduar edhe profetët e tjerë, sikurse rasti i Jusufit, alejhi selam, me vëllezërit e tij, të cilët kur e pranuan fajin dhe gabimin që ia bënë, Jusufi ua fali atyre: “Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar.” (Jusuf: 91)

Kur pas shumë viteve u takua dhe u bashkua me familjen, pasi që Allahu ia dha pushtetin, i mirëpriti dhe u nis drejt tyre: “Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!” (Jusuf: 100)

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Jusufi, alejhi selam, nga edukata e tij nuk tha që Allahu më nxori nga pusi (por tha që më nxori nga burgu), t’i nderojë vëllezërit dhe t’ua ruajë fytyrën para prindit duke mos e përmendur atë që ndodhi te pusi. Edukata e tij doli në pah edhe atëherë kur tha: ‘kurse juve ju solli nga shkretëtira’ dhe nuk iu tha se juve jua largoi urinë dhe nevojën, si dhe për gjithë atë që ndodhi në mes tij dhe vëllezërve, ia atribuoi atij që i nxiti ligësitë (shejtanit) dhe jo atyre që e vepruan (vëllezërve të vet), edhe pse ai që e vepron veprën është më afër (fajit) se ai që e nxit atë dhe tha: ‘pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi’. Zemërgjerësisë, bujarisë dhe edukatës së tij ua dha hakun e merituar, e këtë moral të plotë nuk e kanë pasur përveç të dërguarve dhe lajmëtarëve, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për ta.”

Es-Sadij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kjo ishte nga butësia dhe fjalimi i tij i mirë, duke e përmendur gjendjen e tij në burg dhe duke mos e përmendur gjendjen e tij në pus, ngase falja për vëllezërit e tij ishte e plotë duke mos e përmendur mëkatin e tyre. Ardhjen e familjes nga shkretëtira e llogariti mirësi nga Allahu për të, nuk iu tha që Allahu juve ju solli nga uria dhe halli, nuk iu tha që Allahu juve ju bëri mirësi, por tha: ‘Mua më bëri mirësi’, pra mirësinë ia ktheu vetes; andaj qoftë i lartësuar Allahu, I Cili mëshirën e Vet ia dhuron kujt të dojë. Pastaj për armiqësinë e vëllezërve ndaj tij tha: ‘pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi’, pra e mohoi që faji të jetë veç te vëllezërit e tij dhe sikur deshi të thoshte që mëkati dhe padija buruan nga të dy anët.”

Ky qëndrim madhështor që buroi nga ky profet fisnik (Jusufi), i biri fisnikut (Jakubit), nipi i fisnikut (Is’hakut), stërnipi i fisnikut (Ibrahimit, alejhi selam), na e qartëson se sa thellë kishte depërtuar ky moral i lartë në shpirtrat e profetëve, lajmëtarëve dhe njerëzve të zgjedhur të Allahut.

O Allah, na e mundëso ndjekjen e tyre, që me këtë ta zbatojmë fjalën Tënde: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiqe rrugën e tyre…” (El-Enam: 90)

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *