Këshilla e investitorit legjendar Voren Bafet vjen në një kohë kur shumë njerëz po përballen me paqëndrueshmëri financiare, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më shumë se gjashtë dekada përvojë në investime e kanë mësuar Bafet-in disa rregulla shumë të thjeshta që, siç thekson ai, çdokush mund t’i zbatojë. Rekomandimi i tij kryesor është një strategji e thjeshtë dhe këmbëngulëse: investim i vazhdueshëm në një fond indeksor me kosto të ulët të S&P 500.
“Blini vazhdimisht fondin indeksor me kosto të ulët S&P 500. Vazhdoni ta blini në kohë të mira dhe të këqija, veçanërisht në kohë të këqija,” tha Bafet.
Përveç kësaj, Bafet paralajmëron për rreziqet e borxhit konsumator, duke theksuar se pagesa me para në dorë është një rrugë më e sigurt drejt stabilitetit financiar. Ai beson se borxhi shpesh çon në pasiguri dhe e kufizon lirinë afatgjatë të individit.
Një nga këshillat e tij kyçe lidhet edhe me investimin në veten, pasi siç thekson ai: dijet dhe aftësitë sjellin kthimin më të madh dhe më të qëndrueshëm. Ai e sheh arsimin, zhvillimin personal dhe përmirësimin e vazhdueshëm si themelin e suksesit afatgjatë.
Edhe pse njihet për disiplinën dhe kursimin, Bafet nuk përkrah një jetë asketike. Përkundrazi, ai kujton se është e rëndësishme të jetohet një jetë e balancuar, të kultivohen gëzimi, marrëdhëniet njerëzore dhe mirëqenia personale, sepse paratë nuk janë qëllim në vetvete, shkruan Poslovni.
Këshilla e tij është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur shumë njerëz po përballen me rritjen e kostove të jetesës. Theksi te kursimi para shpenzimit, investimi i mençur dhe shmangia e borxhit mund të ofrojnë një hartë të qartë rrugore për ata që kërkojnë siguri financiare afatgjatë.
Bafet rekomandon që paratë fillimisht të ndahen për kursime dhe investime, e vetëm më pas të shpenzohen për nevoja të tjera.
“Mos kurseni atë që ju mbetet pasi të shpenzoni, por shpenzoni atë që ju mbetet pasi të keni kursyer,” tha ai njëherë në mbledhjen vjetore të Berkshir Hatavay.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK