1. Udhëzimi i atij që gabon për ta korrigjuar gabimin e tij:

Pejgamberi ﷺ, e bënte këtë me disa metoda, ndër to:

1. Përpjekja për t’ia tërhequr vëmendjen atij që gabon për gabimin e tij, me qëllim që ai të angazhohet vet për ta korrigjuar atë.

Si shembull për këtë është hadithi i shërbëtorit të Ebu Seid el-Hudrij h, i cili tregon se ka qenë me Ebu Seidin h, dhe Pejgamberin ﷺ, në xhami. Pejgamberi ﷺ, e pa një njeri të ulur në mes të xhamisë, me gishta të gërshetuara dhe fliste me veten. Pejgamberi ﷺ, ia bëri me shenjë, por njeriu nuk e kuptoi. Më pas ju kthye Ebu Seidit h, dhe i tha: “Kur të jeni në namaz mos i gërshetoni gishtat tuaj, sepse gërshetimi në namaz është nga shejtani. Gjatë kohës që qëndroni në xhami llogariteni që jeni në namaz, derisa të dilni prej xhamisë.”[1]

2. Prej gabimtarit kërkohet ta përsërisë veprimin e tij në formën e saktë, nëse kjo gjë është e mundur.

Ebu Hurejra h, tregon se Pejgamberi ﷺ, ishte në xhami, ndërkohë kur hyri një njeri për ta falur namazin. Pas që e fali namazin shkoi ta përshëndesë Pejgamberin ﷺ, e pasi që ia ktheu selamin Pejgamberi ﷺ, i tha: “Ktheu e falu, sepse ti nuk je falur!” Njeriu e përsëriti namazin, pastaj sërish shkoi te Pejgamberi ﷺ, dhe i dha selam, ndërsa Pejgamberi ﷺ, edhe një herë i tha: “Kthehu e falu, sepse ti nuk je falur!”; këtë ia përsëriti tri herë, derisa njeriu i tha: “Pasha Allahun që të ka dërguar me të vërtetën, nuk di ma mirë të falem, mësoma faljen e namazit!” Pejgamberi ﷺ, tha: “Kur të ngritësh për namaz merre tekbirin fillestar (thuaj Allahu ekber), pastaj lexo diçka që di prej Kurani, pastaj bjer (përulu) në ruku, derisa të ndihesh i qetësuar në këtë pozitë, pastaj ngritu nga rukuja derisa të qëndrosh drejtë, pastaj bjer në sexhde derisa të ndihesh i qetësuar në këtë pozitë, pastaj ngritu nga sexhdeja derisa të ndihesh i qetë në ulje, pastaj sërish bjer në sexhde derisa të ndihesh i qetësuar në sexhde. Pastaj vepro kështu njëjtë në krejt namazin.”[2]

Ajo që vërehet është se Pejgamberi ﷺ, kujdesej për veprimet e njerëzve përreth tij që pastaj t’i korrigjoj ato nëse janë gabim. Sipas një transmetimi tjetër tregohet se një burrë hyri në xhami e fali namazin, ndërsa Pejgamberi ﷺ, e vështronte atë. Sahabët nuk ishin në dijeni për këtë gjë. Pasi që e përfundoi namazin, erdhi dhe e përshëndeti me selam, ndërsa Pejgamberi ﷺ, i tha: “Ktheu sërish falu, sepse ti nuk je falur!”[3]

Kjo na mëson se edukatori prej cilësive që duhet t’i posedojë është të jetë syçelur karshi veprimeve të atij që është me të.

Nga urtësia në mësimin e tjetrit është të kërkohet prej tij ta përsërisë veprën nëse e ka gabim. Ndoshta kështu e kupton gabimin dhe e përmirëson vet, në veçanti kur gabimi bëhet haptazi, gjë që nuk duhet të ndodhë prej tij, apo ndoshta e bën me harresë e kështu rikujtohet.

Ai që gabon nëse nuk është në dijeni për gabimin e tij, e kemi për detyrë t’ia sqarojmë dhe t’i shpjegohet.

Dhënia e informacionit atij i cili kujdeset për ta ditur, interesohet për të dhe shpirtërisht është i dhënë pas tij, lë gjurmë tek ai dhe nuk e harron lehtë, në krahasim me atë person që informacioni i jepet para se të shfaq paraprakisht interesim dhe dëshirë.

Edukatori duhet të dijë se metodat e mësimdhënies janë shumë, prandaj le ta zgjedhë atë më të mirën që i përshtatet rastit dhe kohës.

Prej shembujve tjerë që ndërlidhen me përsëritjen e veprës së gabuar në formën e saktë është hadithi që e tregon Xhabir ibn Abdullahu h, i cili thotë: “Omer ibn Hatabi h, më ka rrëfyer për një person i cili morri abdes dhe nuk e lau sa thoni një pjesë të këmbës, e Pejgamberi ﷺ, e pa dhe i tha: “Kthehu, merr përsëri abdes si duhet.” Personi u kthye, (morri abdes) dhe pastaj u fal.[4]

Shembull tjetër është hadithi që e tregon Kelde ibn Hanbel h, i cili thotë: “Safvan ibn Umeje h, më dërgoi për te Pejgamberi ﷺ, me qumësht, kulloshtër dhe tranguj. Pejgamberi ﷺ, gjendej në majë të luginës. Hyra tek ai pa e përshëndet dhe pa marrë leje, e Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Kthehu dhe thuaj: ‘Es-selamu alejkum’, a mundem të hyjë?’ Ngjarja ndodhi pasi që Safvani e pranoi islamin.”[5]

3. Korrigjimi i gabimit duhet të kërkohet përderisa mundet:

Ibn Abasi h, tregon se e dëgjoi Pejgamberin ﷺ, duke thënë: “Burri mos të vetmohet me grua të huaj (që nuk e ka mahrem) dhe gruaja mos të udhëtojë përveçse me mahrem.” Një burrë u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! E regjistrova emrin të luftoj në filan dhe filan betejën, ndërsa gruaja ime dëshiron të shkojë ta kryejë haxhin (detyrues)?” Pejgamberi ﷺ, tha: “Shko me gruan tënde kryeje haxhin.”[6]

4. Duhet të korrigjohen gjurmët e gabimit:

Abdullah ibn Amri h, tregon se një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ, dhe i tha: “Kam ardhur ta jep besatimin për hixhret (shpërnguljen nga vendi i kufrit për në vend të imanit), porse prindërit i lash duke qarë (shkaku i vendimit tim).” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Kthehu tek ata, bëji të qeshen sikur i bëje të qajnë.”[7]

5. Shlyerja e gabimit duke e shpaguar:

Nëse disa prej gabimeve nuk mund të korrigjohen, sheriati hapi dyer tjera për t’i shlyer gjynahet. Në to bëjnë pjesë kefaratet (shpagimet) të cilat janë shumë, si shpagimi i betimit, i dhiharit, i vrasjes pa qëllim, i kryerjes së marrëdhënieve gjatë ditës në Ramazan, etj.

  1. Kundërshtoje veç pjesën ku ka gabim dhe mos e përgjithëso krejt veprimin:

Mund që fjalët apo veprat të mos jenë gabim krejtësisht, andaj nga urtësia gjatë kundërshtimit të gabimit është të përkufizohet vetëm pjesa ku ka gabim dhe mos të përgjithësohet e të përfshihen edhe fjalët apo veprat e tjera.

Er-Rebia bint Muavidh i, tregon: “Në mëngjesin e natës që u martova, hyri Pejgamberi ﷺ, në shtëpinë time dhe u ul në shtratin tim, sikur që je ti i ulur në këtë moment (i drejtohet atij që i transmeton fjalët e saj).[8] Vogëlushet i binin defit dhe recitonin fjalë miradije për baballarët e tyre të vdekur në luftën e Bedrit, derisa njëra prej tyre tha: ‘Në mesin tonë kemi Pejgamber, i cili e di të nesërmen!’ Pejgamberi ﷺ, tha: “Mos thuaj ashtu, por thuaje atë që e thoshe më herët.[9][10]

Sipas një transmetimi tjetër Pejgamberi ﷺ, i tha: “Heshtë, mos i thuaj këto fjalët e fundit, por thuaje atë që e thoshe para këtyre fjalëve.”[11]

Sipas një transmetimi tjetër Pejgamberi ﷺ, i tha: “Këto fjalët e fundit, (që Pejgamberi e di të nesërmen), mos i thuaj, sepse të nesërmen nuk e di askush përveç Allahut.”[12]

S’ka dyshim që ky trajtim e bën gabimtarin të ndjejë drejtësi në kundërshtimin e gabimit të tij dhe e bën zemrën e tij ta pranojë më lehtë gabimin dhe ta përmirësojë atë. Kjo në krahasim me disa, të cilët zemërohen tejmase kur shohin gabime, saqë i tejkalojnë kufijtë gjatë kundërshtimit të gabimit, e kjo i çon të bien në gabim dhe përveç fjalëve të kota, t’i mohojnë edhe ato të vërtetat që janë përfshirë në fjalim. Njeriut të tillë as nuk ju pranohet fjala e as nuk ju bindet gabimtari.

Te disa gabimtar ndodh që gabimi të mos jetë në vet fjalët që i shqiptojnë, por në rastin që i thuan ato fjalë. Sikur shembulli i disave që kur vdes dikush ju thonë të pranishmëve lexojeni suren el-Fatiha, e ata e lexojnë suren el-Fatiha për të vdekurin, me pretekst se ajo që e lexuan është Kuran dhe nuk është muzikë, etj. Atyre patjetër duhet t’u sqarohet se veçimi i sures el-Fatiha si ibadet në këtë rast është gabim, sepse nuk ka argument fetar dhe llogaritet risi në fe.

Simbas këtij kuptimi punoi Ibn Omeri j, kur ia tërhoqi vërejtjen atij që teshtiu pranë tij dhe tha: “Elhamdulilah, ves-selamu ala resulilah (falënderimi i takon Allahut dhe paqja qoftë për të Pejgamberin e Allahut ﷺ)”. Ibn Omeri j, i tha: “Edhe unë them ‘Elhamdulilah, ves-selamu ala resulilah’, mirëpo kështu nuk na mësoi Pejgamberi ﷺ. Ajo që na mësoi është të themi: ‘Elhamdulilah ala kul-li halin (falënderimi i takon Allahut në çdo situatë).’ ”[13]


[1] Ahmedi në el-Musned (3/54). El-Hejthemij thotë në el-Mexhmea (2/25), se zinxhiri është i mirë. Shejh Albani e vlerësoi të dobët në Es-Silsiletu es-Daife (2628).

[2] Buhariu (6251).

[3] El-Muxhteba (2/193), Albani në Sahih Sunen en-Nesaij thotë që është hasen sahih.

[4] Muslimi (243).

[5] Tirmidhiu (2710), dhe tha: hadithi është hasen garib. Shejh Albani e saktësoi në Sahih Sunen et-Tirmidhij.

[6] Buhariu (5233), Muslimi (1341).

[7] El-Muxhteba (7/143). Albani e saktësoi në Sahih Sunen en-Nesaij (3881).

[8] Për të thuhet që është Halid ibn Dhekvan, ndërsa ulja Pejgamberit ﷺ, në shtratin e saj nuk do të thotë që ajo ka qenë afër, por përkundrazi ajo ka qenë larg, sepse kur ia ka thënë këto fjalë Halid ibn Dhekvanit ka qenë larg tij, ngase nuk ishte mahrem i saj. (sh.p.)

[9] Do të thotë lavdëroji baballarët që i lavdëroje më herët dhe fshije atë që e the për mua, sepse është gabim. Veç Allahu e di të nesërmen dhe s’ka kush tjetër. (sh.p.)

[10] Buhariu (5147).

[11] Tirmidhiu (1090), Albani e saktësoi në Sahih et-Tirmidhij.

[12] Ibn Maxhe (1879), Albani e saktësoi në Sahih Ibn Maxhe.

[13] Tirmidhiu (2738), Albani e vlerësoi të mirë në Sahih Sunen et-Tirmidhij.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *