1. Ofrimi i alternativës së drejtë:

Abdullah ibn Mesud h, tregon se kur faleshim pas Pejgamberit ﷺ, thoshim: “Paqja qoftë për Allahun, prej robërve të Tij. Paqja qoftë për filanin dhe filanin (sipas një versioni tjetër: paqja qoftë për Xhibrilin, paqja qoftë për Mikailin[1]).” Pejgamberi ﷺ, kur na dëgjoi tha: “Mos thuani paqja qoftë për Allahun, sepse Vetë Allahu është es-Selam (Paqedhënësi), por thuani: ‘et-tehijatu lilahi ve salavatu vet-tajibatu, es-selamu alejke ej-juhen nebiju ve rahmetullahi ve bereketuhu, es-selamu alejna ve ala ibadilahi es-salihin (nderimi, lutjet dhe të gjitha mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin për ty, o i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë për ne dhe për robërit e Allahut të drejtë); po ta thoni këtë, kjo përfshin çdo rob në qiell, apo në mes qiellit dhe tokës. ‘Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu (dëshmoj që nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij)’. Më pas le t’i zgjedhë cilat lutje i (di dhe i) do, të lutet me to.”[2]

Me një hadith tjetër që ka lidhshmëri me këtë pikë Enes ibn Malik h, tregon se Pejgamberi ﷺ, vërejti pështymë në murin e xhamisë në drejtim të Kibles. Për këtë i erdhi rëndë dhe kjo u pa nga reagimi i fytyrës, pastaj u ngrit e fshiu me dorën e tij dhe tha: “Kur ndonjëri prej jush ngritet për të fal namaz, ai (gjatë namazit) flet me Zotin e tij, apo Zotin e ka në mes të tij dhe Kibles, prandaj mos pështyni (duke qenë në namaz) në drejtim të Kibles, por (nëse dikush detyrohet të pështyjë, le të pështyjë) në të majtën apo poshtë këmbëve të tij”; pastaj e morri njërin skaj të petkut të tij, pështyu në të dhe e palosi, dhe tha: “Apo le të veprojë kështu.”[3]

Sipas një transmetimi tjetër: “Mos të pështyjë ndonjëri prej jush përpara dhe as në të djathtën e tij, por në të majtën apo poshtë këmbëve të tij.”[4]

Shembull tjetër: Ebu Seid el-Hudrij h, tregon: “Erdhi Bilali h, te Pejgamberi ﷺ, me një lloj të hurmave të mira. Pejgamberi ﷺ, e pyeti: “Prej ku i more hurmat?” Bilali h, tha: “Kishim hurma jo të mira, e dy sa’a prej tyre i ndërrova me një sa’a prej hurmave të mira, që me to të ushqehet Pejgamberi ﷺ.” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Ah, ah! Kamatë e vërtetë, kamatë e vërtetë! Mos bëj kështu! Nëse dëshiron t’i blesh hurmat e mira, atëherë shiti hurmat e tjera me mall tjetër (të holla, etj.) dhe pastaj bliji hurmat e mira.”[5]

Sipas një transmetimi tjetër: “Shërbëtori i solli Pejgamberit ﷺ, hurma të freskëta të një lloji të mirë, ndërsa hurmat e Pejgamberit ﷺ, nuk ishin të tilla, kishte edhe të thata në mesin e tyre, e i tha: “Prej ku i more këto hurma?” I tha: “I shita (ndërrova) dy sa’a prej hurmave tona me një sa’a prej hurmave të mira.” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Kjo nuk lejohet, njëherit shiti hurmat e tua, e pastaj bliji nevojat e tua.”[6]

Shohim në teren se disa thirrës në fenë e Allahut kanë mangësi gjatë kundërshtimit të gabimeve të njerëzve. Atyre ju mjafton t’ju tregojnë njerëzve për gabimin dhe t’i lajmërojmë për ndalesën pa ju ofruar alternativë tjetër, apo pa ju sqaruar se çfarë detyrohen të veprojnë nëse vjen deri te gabimi. Ajo që dihet nga feja është se ofron opsione tjera, si kompensim nga çdo përfitim i ndaluar. Kur u ndalua imoraliteti, u ligjërua nikahu në hallall. Kur u ndalua kamata, u lejua shitblerja. Kur u ndalua ngrënia e mishit të derrit, e ngordhësirës, e kafshëve të egra dhëmbëshqyes dhe shpendëve që kanë kthetra, u lejua ngrënia e bagëtive dhe të tjera. Më pas, nëse një person bie në ndonjë ndalesë sheriati i gjen rrugëdalje, prej tij kërkohet pendimi dhe shpagimi i gabimit, ashtu siç është e sqaruar në citatet e shpagimeve. Për këtë arsye thirrësit në fenë e Allahut duhet të ndjekin rrugën e sheriatit në ofrimin e opsioneve dhe gjetjen e rrugëdaljeve që i lejon feja.[7]

Ajo që duhet marrë parasysh është se ofrimi i alternativës bëhet sipas mundësisë dhe fuqisë. Ndodh nganjëherë të ballafaqohemi me një gabim që detyrohet ta largojmë, por realisht nuk ka alternativë të përshtatshme për të, ose për shkak të gjendjes jo të mirë dhe largimit të njerëzve nga feja e Allahut, ose për shkak se thirrësit në fenë e Allahut nuk i bie ndërmend diçka në atë moment apo nuk ka njohuri rreth një alternative që ta thotë dhe të udhëzon drejt saj. Kjo ndodhë shpesh me disa transaksione tregtare dhe sisteme investimi të cilët janë zhvilluar në shoqëri jomyslimane dhe janë transferuar në shoqëritë myslimane ashtu si janë, me gjitha gabimet që e kundërshtojnë fenë, ndërsa myslimanët janë të pafuqishëm të gjejnë alternativë sheriatike. Sidoqoftë, mangësitë dhe dobësitë janë rezultat i njerëzve, sepse në metodologjinë hyjnore ka alternativ, dhe rrugëdalje që e largojnë vështirësinë dhe sikletin prej myslimanëve. I njeh ato ai që i di, i injoron ato ai që nuk i di.

  1. Udhëzimi drejt asaj që e parandalon gabimin:

Ebu Umame ibn Sehl përcjell prej babait të tij Sehl ibn Hanif h, ngjarjen që ia rrëfeu ai vet: “Ishte nisur Sehl ibn Hanif h, (dhe disa të tjerë) bashkë me Pejgamberin ﷺ, për në Meke. Kur arritën në rrugët malore të Hezarit në Xhuhfe mori të lahet. Sehl ibn Hanif h, ishte lëkurëbardhë e i bukur dhe me trup të hijshëm. Amir ibn Rebia h,  vëllai i fisit Beni Adij ibn Kab kur e pa duke u larë tha: ‘Nuk kam parë deri më sot lëkurë më të bukur se kjo, as lëkura e virgjëreshës së fshehur nuk është e tillë (për qëllim e kishte bardhësinë e lëkurës)!’ Sehli h, ra përtokë (nga mësyshi). Të tjerët shkuan e lajmëruan Pejgamberin ﷺ: ‘O i Dërguari i Allahut! A mund t’i ndihmosh Sehlit? Pasha Allahun, nuk e ngrit kokën dhe nuk ka vetëdije!’ Pejgamberi ﷺ, ju tha: ‘Te kush po dyshoni?’ I thanë: ‘Amir ibn Rebia h, e pa duke u larë.’ Pejgamberi ﷺ, e thirri menjëherë Amirin dhe i zemëruar me të i tha: “Përse ndonjëri prej jush e vret vëllain e vet? Pse kur shikove që të pëlqeu diçka tek ai, nuk u lute për të t’i shtohet e mira (duke thënë: tebarekallah, mashallah, la haule ve la kuvete il-la bil-lah)?’ Pastaj e urdhëroi të merr abdes, të lajë fytyrën, duart, krahët deri në bërryla, gjunjët, anët e këmbëve dhe brendësinë e izarit të tij (izar quhet rroba që e mbulon pjesën e poshtme të trupit) në një enë. Ujin e abdesit urdhëroi t’i hidhet sipër të sëmurit. Ia hodhën ujin sipër kokës dhe pas shpinës, ndërsa enën e larguan pas tij. Sehli h, menjëherë u ngrit dhe ju bashkua njerëzve sikur të mos i kishte ndodhur gjë.”[8] 

Sipas një versioni tjetër, Muhamed ibn Ebu Umame ibn Sehli, tregon se e ka dëgjuar babën e vet Ebu Umame ibn Sehlin duke thënë: “Babai im, Sehl ibn Hanif h, kur arriti në Hezar mori të lahet. E zhveshi xhyben prej veti, ndërsa Amir ibn Rebia h, e shikonte. Sehli h, ishte lëkurëbardhë dhe lëkurëmirë. Kur Amiri h, e pa lëkurën e tij tha: ‘Nuk kam parë deri më sot lëkurë më të bukur se kjo, as lëkura e virgjëreshës së fshehur nuk është e tillë (për qëllim e kishte bardhësinë e lëkurës)!’ Sehli h, ra përtokë dhe ju përkeqësua gjendja. Të tjerët shkuan i treguan Pejgamberit ﷺ, për Sehlin që ra përtokë i sëmurë dhe nuk mund të vazhdojë rrugëtimin. Pejgamberi ﷺ, shkoi te vendi i ngjarjes dhe Sehli e lajmëroi se çfarë bëri Amir ibn Rebia h. Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Përse ndonjëri prej jush e vret vëllain e vet (me mësysh dhe zili)? Pse kur shikove që të pëlqeu diçka tek ai, nuk u lute për të t’i shtohet e mira (duke thënë: tebarekallah, mashalla la haule ve la kuvete il-la bil-lah)? Mësyshi është hak. Merr abdes që të lahet me mbetjen e ujit të abdesit tënd’ Mori abdes dhe e hodhi sipër tij. Sehli u ngrit menjëherë dhe ju bashkëngjitë Pejgamberit ﷺ, në udhëtim sikur pa i ndodhur gjë.”[9]

Nga kjo ngjarje përfitojmë:

– Edukatori duhet ta paraqesë zemërimin ndaj atij që e dëmton apo e lëndon vëllain e tij mysliman.

– Duhet të qartësohet dëmi i gabimit, duke sqaruar që ka mundësi gabimi të çojë edhe deri në vrasje.

– Dhënien e udhëzimeve për ta parandaluar dëmtimin dhe lëndimin e myslimanit.

  • Me disa gabimtar nuk duhet të ballafaqohemi direkt, porse na mjafton një sqarim i përgjithshëm (në prani të tjerëve) i gabimit:

Enes ibn Malik h, tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Si është puna e disave që gjatë faljes së namazit i ngrisin shikimet e tyre kah qielli”; dhe këmbënguli në fjalët e tij derisa tha: “Ose le t’i largohen veprimit të tyre ose Allahu do t’ja u verbëron sytë e tyre.”[10]

Kur Aisha i, dëshiroi ta blejë një shërbëtore që quhej Berira. Pronarët e saj pranuan ta shesin, por me një kusht, trashëgimia e saj të vazhdojë të jetë i lidhur me ta. Lajmi i shkoi Pejgamberit ﷺ, ai u ngrit në mesin e njerëzve, e mbajti një fjalim, ku në të e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, dhe tha: “Çfarë është puna e disa burrave që kushtëzojnë kushte që nuk janë në Librin e Allahut? Çdo kusht që nuk është në Librin e Allahut është i kotë, qofshin ato edhe njëqind kushte, sepse caktimi i Allahut është më meritor dhe kushti i Allahut është më i fortë. Me të vërtetë, e drejta e trashëgimisë i takon atij që e liron.”[11]

Mesruki, Allahu e mëshiroftë, përcjell për Aishen i, të ketë thënë: “Pejgamberi ﷺ e veproi një gjë dhe lehtësoi në të, ndërsa njerëzit u ruajtën dhe nuk e vepruan. Lajmi i shkoi Pejgamberit ﷺ, andaj u ngrit dhe e mbajti një fjalim, në të e falënderoi Allahun dhe pastaj tha: “Çfarë është puna e disave që ruhen nga ajo që unë e veprojë. Pasha Allahu, unë jam më i dituri për Allahun dhe më shumë që i frikësohem.”[12]

Ebu Hurejra h, tregon se Pejgamberi ﷺ, vërejti pështymë në murin e xhamisë në drejtim të Kibles, (e i erdhi rëndë për këtë), kështu që u drejtua kah njerëzit dhe tha: “Si është puna e juaj që qëndroni para Allahut në namaz dhe pështyjnë përpara tyre. A dëshiron ndonjëri prej juve që dikush tjetër të drejtohet në drejtim kah ju dhe të pështyjë në fytyrën tuaj? Nëse dikush detyrohet të pështyjë, le të pështyjë në të majtën apo poshtë këmbëve të tij, e nëse nuk mundet, le të veprojë kështu”; pastaj e morri njërin skaj të petkut të tij, pështyu në të dhe e palosi.[13]

Përcillet se Pejgamberi ﷺ, një ditë në namazin e sabahut e lexoi suren er-Rum dhe u ngatërrua gjatë leximit, e pasi që e përfundoi namazin tha: “Si është puna me ata që falen me neve dhe nuk dinë të marrin abdes. Ata na e ngatërruan leximin e Kuranit.”[14]

Ka plotë shembuj të ngjashëm dhe e përbashkëta e tyre është se Pejgamberi ﷺ, gabimtarin se ka turpëruar dhe se ka demaskuar në publik. Kjo metodë, që të tërhiqet vërejtja në mënyrë të përgjithshme, pa e cekur emrin e gabimtarit, i ka dobitë e veta:

1. E largon reagimin negativ që mund të del prej gabimtarit, e largon mundësinë që shejtani t’ia zbukurojë hakmarrjen personale dhe përkrahjen e nefsit.

2. Është metodë më e pranuar dhe ka ndikim më të thellë për shpirtin.

3. E mbulon gabimtarin prej turpit në mesin e njerëzve.

4. E rrit pozitën e edukatorit dhe e shton dashurinë për këshilluesin.

Duhet të merret parasysh fakti që kjo metodë praktikohet atëherë kur çështja e gabimtarit është e fshehur dhe nuk e dinë shumica e njerëzve, ndërsa nëse shumica e dinë çështjen dhe gabimtari e di që njerëzit janë në dijeni për të, atëherë kjo metodë shndërrohet në metodë qortimi, turpërimi të rëndë dhe gabimtari vihet në siklet të madh. Ai në këtë rast ndoshta do të kishte parapëlqyer të udhëzohet për gabimin e tij dhe jo të përdoret kjo metodë me të.

Prej gjërave që ndikojnë në këtë rast janë: Kush duhet të flet? Në prezencë të kujt duhet të jetë fjalimi? Fjalimi a duhet të jetën në mënyrë provokimi dhe ngacmimi apo këshille dhe dashamirësie?

Andaj metoda jo direkte është metodë edukative, e dobishme për gabimtarët dhe për të tjerët, nëse ajo përdoret me urtësi dhe dijeni.


[1] El-Muxhteba: Libri i faljes të namazit, kapitulli: Teshehudi i parë. Hadithi është në Sahih Sunen et-Tirmidhij (835), Muslimi (4012).

[2] Buhariu (835), Muslimi (402).

[3] Buhariu (405).

[4] Buhariu (412).

[5] Buhariu (2312), Muslimi (1594).

[6] Musnedi i imam Ahmedit (23/31).

[7] Nga shembujt e ofrimit të alternativës është përmendja e hadithit të vërtetë i cili mjafton karshi hadithit të dobët apo të shpikur. (sh.a.)

[8] El-Musned (3/486). El-Hejthemij tha: zinxhiri i hadithit që e shënon imam Ahmedi është i drejtë. (El-Mexhmea: 5/107), shejh Albani e saktësoi në Mishkatul Mesabih (4562).

[9] El-Muvata (1972), shejh Albani e saktësoi në et-Talikat el-Hisan ala Sahih Ibn Hiban (8/458).

[10] Buhariu (750), Muslimi (428). Xhabir ibn Semure h, tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Ata që shikimin e tyre e mbajnë kah qielli gjatë faljes së namazit, le ti largohen këtij veprimi ose nuk do t’ju kthehet shikimi (d.m.th. do të verbërohen).”

[11] Buhariu (2168), Muslimi (1504).

[12] Buhariu (6101).

[13] Muslimi (550).

[14] Nesaiu (947). Shejh Albani e vlerësoi të dobët hadithin në Daif en-Nesaij. Shënon imam Ahmedi (15872) prej Ebu Revh el-Kelaij h, i cili tregon se Pejgamberi ﷺ, na priu në namaz, në të e lexoi suren er-Rum dhe u ngatërrua gjatë leximit, dhe tha: “Shejtani na e ngatërroi leximin shkaku i disave që vijnë në namaz pa abdes. Kur të vini për në namaz, merrni abdes në formën më të mirë.” Hadithin recensuesit e haditheve të Musnedit e vlerësuan si të mirë.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *