Ka ditë kur njeriu ulet para kompjuterit, hap detyrën dhe shikon ekranin sikur të ishte një mur. As afati nuk e zgjon, as kafja nuk ndihmon. Trupi është aty, dita e punës vazhdon, por mendja nuk vihet në lëvizje. Sipas ekspertëve të produktivitetit në punë, motivimi nuk zhduket gjithmonë sepse dikush është dembel apo i papërgjegjshëm. Shpesh problemi është shumë më i zakonshëm: lodhja, rrëmuja në detyrime, informacioni i tepërt dhe ndjenja se gjithçka duhet të përfundojë menjëherë.

Ekonomistët prej kohësh paralajmërojnë se rënia e energjisë në vendin e punës nuk është vetëm një problem personal, por edhe një kosto për kompanitë. Kur njerëzit punojnë pa përqendrim, detyrat zvarriten, gabimet shtohen dhe pakënaqësia bëhet gradualisht pjesë e përditshmërisë.

“Motivimi i ulët zakonisht nuk shihet menjëherë në shifra, por reflektohet në cilësinë e punës, në shtyrjen e detyrave dhe në faktin që edhe punët e thjeshta fillojnë të zgjasin dyfish më shumë”, thonë ekonomistët që merren me tregun e punës.

1. Zvogëloni detyrën

Gjëja e parë që mund të ndihmojë është shumë e thjeshtë: zvogëloni detyrën. Jo ditën. Jo gjithë javën. Vetëm detyrën që keni përpara.

Ekspertët e produktivitetit thonë se njerëzit shpesh humbasin motivimin sepse përballë tyre shohin një detyrim tepër të madh: raport, projekt, plan, takim, afate. Gjithçka duket si një mal. Por kur puna ndahet në një hap të vogël fillestar, truri hyn më lehtë në ritëm.

Në vend që të thoni: “Duhet ta përfundoj të gjithë projektin”, është më mirë të thoni: “Do t’i rregulloj pesë rreshtat e parë”, “Do t’i hap dokumentet” ose “Do të bëj një listë të shkurtër.” Duket pak, por funksionon.

“Motivimi shpesh vjen pasi të filloni, jo para se të filloni. Njerëzit gabojnë kur presin që fillimisht t’u vijë dëshira për të punuar e pastaj të nisin punën”, shpjegojnë ekspertët e zakoneve të punës.

2. Lëvizni

Gjëja e dytë është lëvizja. Nuk është e nevojshme të shkoni në palestër, të bëni një pushim të gjatë apo diçka spektakolare. Mjaftojnë dhjetë minuta në këmbë, një shëtitje e shkurtër, disa shkallë ose pak ajër i pastër jashtë ndërtesës.

Trupi nuk është krijuar për të qëndruar ulur për orë të tëra nën dritë, përpara ekranit, me telefonin pranë tastierës dhe me pesë “dritare” të hapura njëkohësisht në mendje. Kur njeriu nuk lëviz, bie përqendrimi dhe lodhja bëhet më e madhe sesa përpjekja reale.

Ekspertët thonë se pushimet e shkurtra nuk janë humbje kohe, por një mënyrë që dita e punës të mos “shkatërrohet” që para mesditës.

“Një punonjës që bën pushime të shkurtra dhe të zgjuara është shpesh më efikas se një punonjës që rri tetë orë pa u ngritur, por gjysmën e kohës është pa përqendrim”, thonë ekspertët.

3. Vendosni rregull

Gjëja e tretë është të vendosni rregull në kaosin përreth: tavolina e punës, lista e detyrave, telefoni dhe njoftimet. Nuk është e nevojshme që gjithçka të jetë perfekte, por duhet të ketë rregull në gjërat më të rëndësishme.

Kur një person ka para syve dhjetë punë të papërfunduara, truri kalon vazhdimisht nga njëra te tjetra. Hapet një email, pastaj një mesazh, më pas një dokument dhe menjëherë një detyrë tjetër. Në fund, dita e punës kalon me stres, ndërsa asgjë nuk përfundon siç duhet.

Ekonomistët thonë se pikërisht kjo mënyrë e copëzuar e punës është një nga armiqtë e heshtur të produktivitetit. Punonjësi është i zënë gjatë gjithë ditës, por rezultati mbetet i dobët.

“Nuk është gjithmonë problemi te numri i orëve të punës. Problemi është se një pjesë e madhe e kohës humbet për shkak të ndërprerjeve, kërkimit të informacionit dhe rikthimit të përqendrimit”, thonë specialistët e proceseve të punës.

Prandaj, mënyra më praktike është që dita të fillojë me tre prioritete. Jo me njëzet. Vetëm tre.

  • Çfarë duhet të përfundohet patjetër?
  • Çfarë mund të presë?
  • Çfarë vetëm krijon zhurmë, por nuk është urgjente?

Motivimi nuk rikthehet me fjalë të mëdha apo këshilla boshe. Më së shumti rikthehet me një fillim të vogël, pak lëvizje dhe pak rregull. Gjithashtu, duhet të pranojmë se askush nuk mund të jetë çdo ditë në maksimum.

Ndonjëherë mjafton vetëm të bëhet hapi i parë. Pas kësaj, puna vetë fillon të marrë ritëm.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *