Ndarja e letërsisë në gjininë letrare dhe në trajtat prozë e poezi
Meqë, letërsia na mëson jetën dhe marrëdhëniet në shoqëri, atëherë duhet patjetër të dihet se midis veprave letrare mund të bëhen dallime të rëndësishme për mënyrën e pasqyrimit të realitetit. Kështu, p.sh. ndryshe e pasqyron realitetin jetën reale një roman nga një novelë, dramë ose komedi.
Ndarja në letërsi e në arte, që përfshin vepra të cilat kanë një varg tiparesh dalluese të përbashkëta, si mënyrën e pasqyrimit të realitetit e të ndërtimit të subjektit, stilin, gjuhën etj.
Kështu, që në kohët e lashta dallohen tri mënyra kryesore për pasqyrimin e realitetit, secila me tipare të veta. Këto mënyra, që zakonisht në lëmin e letërsisë i quajmë gjini janë: gjinia epike, gjinia lirike dhe gjinia dramatike.
Në veprat letrare që i përkasin gjinisë epike, shkrimtari zakonisht tregon, ndjek rrugën e rrëfimit për pasqyrimin e realitetit.
Kurse në veprat e gjinisë dramatike fjala e autorit pothuajse mungon, realiteti pasqyrohet me anë të dialogëve, monologëve e marrëdhënieve të personazheve.
Sa u përket veprave të gjinisë lirike gjejmë kryesisht botën shpirtërore të autorit, mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tij për realitetin.
Gjinitë letrare, me gjithë veçoritë e tyre nuk janë të ndara kaq prerazi njëra nga tjetra. Një numër i madh i tyre i përfshijnë së bashku edhe elementin lirik, edhe elementin epik. Këto dy elemente gërshetohen në mes veti. Andaj, kur në veprën letrare zë vend më tepër elementi lirik, atëherë ajo quhet vepër liriko-epike dhe përkundrazi kur në të dominon elementi epik më tepër, atëherë ajo quhet vepër epiko-lirike.
Përveç kësaj ndarje kryesore të gjinive letrare, kemi edhe një nënndarje tjetër të gjinive letrare në lloje e nënlloje.
Në epikë, si lloje letrare dallojmë: romanin, novelën, tregimin, poemën epike etj. Në gjininë dramatike dallojmë: dramën, tragjedinë, komedinë etj., kurse në lirikë dallojmë: vjershën lirike dhe poemën lirike.
Si ndarje e nënllojeve të tyre në letërsinë e re dallojmë: romanin shoqëror, historik, psikologjik, për fëmijë etj. Në komedi kemi: komedia e karaktereve, komedia e zakoneve ose e mënyrës së jetesës etj.
Shkrimtari duke i njohur mirë veçoritë gjinore, zgjedh llojin dhe nënllojin që përmbush dhe i përgjigjet më mirë qëllimit, sipas materialit jetësor që do të trajtojë, por edhe sipas prirjes së tij dhe përvojës artistike. Sa i përket zhvillimit të gjinive letrare ai është kushtëzuar nga kërkesat historike-shoqërore të realitetit dhe nga materiali jetësor që në një fazë të caktuar e ushqen më shumë këtë apo atë gjini letrare.
Gjithashtu, duhet theksuar se ekzistojnë dallime ndërmjet gjinive letrare, të cilat shprehen nga ana e formës gjuhësore edhe atë sipas ndarjes prozë dhe poezi. Vepra letrare në prozë mbështetet, jo vetëm në rregullat gramatikore, por edhe në kërkesat e një gjuhe artistike. Vepra në poezi, veç anës gramatikore, ndjek edhe kërkesat e vjershërimit. Lirika jepet kryesisht në poezi, kurse veprat dramatike dhe shumica e veprave epike, kryesisht në prozë. Përjashtim mund të bëjnë vetëm poemat epike dhe shumë rrallë ndonjë roman.
Nga format gjuhësore buron edhe emërtimi: autorët që krijojnë vepra në poezi, quhen p o e t ë; ata që krijojnë vepra epike në prozë, quhen p r o z a t o r ë, kurse ata që krijojnë vepra dramatike, quhen d r a m a t u r g ë.
Përmblodhi dhe përshtati:
STUDENTET.MK