-Kategoritë dhe dukuritë sintaksore nuk janë të shkëputura, por të ndërlidhura në shkallë të ndryshme me kategoritë e rrafsheve të tjera gjuhësore, me morfologjinë, me leksikun, me fonetikën. ‘

-Sintaksa është e lidhur shumë ngushtë e në mënyrë pothuajse të përhershme me morfologjinë. Duke qënë pjesë të gramatikës, morfologjia dhe sintaksa trajtojnë anë të ndryshme të një realiteti të vetëm: e para merret me trajtat e fjalëve, e dyta me bashkimet e fjalëve e përdorimin e tyre. Ato janë të ndërkushtëzuara njëra nga tjetra me kufij gjithmonë të prerë midis tyre. Trajtat e fjalëve janë përgjithësisht të lidhura me funksionet e tyre, janë në një masë të madhe, shprehëse të tyre. Trajtat e ndryshme që marrin fjalët e ndryshueshme janë pasqyruese të ndryshimit të funksioneve të këtyre fjaléve, kushtëzohen prej tyre, përftohen nga nevoja që ndien folësi, për të dhënë raporte të ndryshme kuptimore midis nocioneve që ato shprehin, të diktuara nga realiteti objektiv. Në bazë të shumë kategorive sintaksore qëndrojnë kategoritë morfologjike e anasjelltazi.

-Kjo lidhje e sintaksës me morfologjinë është veçanërisht e ngushtë në një gjuhë eptuese (Hektive) si shqipja, ku, për shprehjen e raporteve sintaksore, rolin më të madh e luajnë trajtat e fjalëve dhe fjalët ndihmëse siç janë parafjalët e lidhëzat.

-Midis gjymtyrëve të fjalisë dhe pjesëve të ligjëratës ka një lidhje, po jo një paralelizëm të plotë, të përhershëm. Në përcaktimin e natyrës së një pjese të ligjëratës merret parasysh edhe ana sintaksore, bashkëlidhja me njësi të tjera të ligjërimit dhe përdorimi i saj në të folur. Anasjelltas, funksioni i një fjale në fjali, përcaktimi i një gjymtyre të fjalisë e mundësitë e kombinimit të një fjale me fjalë të tjera për formimin e togfjalëshave të ndryshëm varen edhe nga natyra leksikogramatikore e saj, nga pjesa e ligjëratës në të cilën hyn. Një mbiemër, kur s’është kallëzues emëror mund të jetë vetëm përcaktor ose përcaktor kallëzuesor: kallëzues mund të jetë rregullisht një folje ose një folje e bashkuar me një fjalë emërore a me një mbiemër, ndajfolja është shprehja më tipike e mjaft rrethanorëve. Mbiemri e përemri mbiemëror bashkohen me një emër a fjalë emërore ( ejo me një folje, veçse kur dalin me lidhje dyanësore në rolin e përcaktorit kallëzuesor): në këtë rast ata i përshtaten emrit a përemrit emër në kategoritë gramatikore. Ndajfojla bashkohet kryesisht me një folje, në raste të caktuara me një mbiemër, kurse me një emër rrallë, e atëherë në radhë të parë me një emër foljor.

-Trajtat gramatikore, të shumtën e herës, kanë një rol të rëndësishëm, në shprehjen e funksioneve sintaksore të fjalëve. Kështu , emri e përemri mund të kenë në fjali funksionet e kryefjalës, të kallëzuesit emëror, të përcaktorit kallëzuesor. Ata dalin atëherë në trajtën e emërores; mund të kenë funksionet e kundrinës së drejtë e të përcaktorit kallëzuesor të saj ose të së zhdrejtës pa parafjalë, e dalin atëherë përkatësisht në trajta të kallëzores e të dhanores pa parafjalë. Mund të jenë përcaktorë, duke dalë në trajtat e gjinores e të rrjedhores pa parafjalë.

Burimi: “Gramatika e gjuhës shqipe 2”

About Author

Admin_S