Përcaktorët kallëzuesor të kryefjalës homogjene përshtaten me to. Po ashtu si përshtaten në numër të kallëzuesit foljor me të cilin lidhet. Vihen njëkohësisht në rasën e kryefjalëve homogjene, në rasën emërore.
Kur kryefjalët homogjene janë në shumës, edhe përcaktori kallëzuesor i tyre vihet në shumës, zakonisht në gjininë mashkullore nëse kryefjalët janë të gjinive të ndryshme:
Dëgjoheshin gjithnjë e më të fuqishme britma, të thirrura këngë. Flutura dhe Petriti ikën të zemëruar.
Kur kryefjalët homogjene janë të numrit edhe njëjës edhe shumës dhe kallëzuesi është vënë në shumës, në shumës vihet edhe përcaktori kallëzuesor i kryefjalës, zakonisht ne trajtën mashkullore, nëse kryefjalët janë të gjinive të ndryshme.
Nëna dhe motra e tij mbetën të çuditura. Nëna dhe ne të tjerët e shikonim të hutuar.
Kur kryefjalët homogjene janë të numrit njëjës dhe kallëzuesi është vënë në shumë, edhe përcaktori kallëzuesor i tyre vihet në shumës. Kur kryefjalët homogjene janë gjinish të ndryshme, përcaktori kallëzuesor mbiemër vihet përgjithësisht në trajtën e mashkullores:
Babai dhe nëna u ngritën menjëherë të alarmuar. Të parët zbritën shoferi dhe një grua me një fëmijë.
Gjithsaherë kallëzuesi, për ndonjë arsye a tjetër, vihet në njëjës, në njëjës vihet edhe përcaktori kallëzuesor i kryefjalës. Për nga gjinia ai shkon me gjininë e kryefjalës më të afërt:
Në gjirin e tyre rronte vigane dhe frymëzuese figura e udhëheqësit të madh popullor, kujtimi i asaj lufte që habiti botën me fitoren e saj legjendare. Petriti dhe jo Skënderi arriti i pari.
Përcaktorët kallëzuesor emra të kryefjalës homogjene vihen në njëjës ose shumës, sipas rasteve, po ashtu siç ndodh me kallëzuesin emëror:
Petriti dhe Gjergji u pranuan anëtarë të Këshillit Shkencor. Ja kështu nuk u bëra vetëm unë rogeç atij moti në Korçë, po dhe nëna me babanë.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe