Diabeti mellitus, apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulin, ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë së veprimit te insulines në qelizat e organizmit.
Format e diabetit janë diabeti tip 1, i cili haset në rreth 10-15 % të të sëmurëve, ndërsa shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës.
Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë dhe haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnje dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze.
Diabeti i shtatzanisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë, që mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm, por kërkon një mbikqyrje të rreptë mjekësore gjatë shtatzanisë.

– Kush mund të preket nga diabeti ?
Diabeti mund të prekë çdo njeri. Faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet, moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale, etj.

– Cilat janë shenjat e diabetit? 
Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme.

– A mund të parandalohet diabeti? 
Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë. Mosha apo trashëgimia nuk mund të ndryshohet, por për faktorët që rrisin rrezikun për t’u bërë diabetikë, si mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori etj, mund të bëhet shumë.
Diabeti është i parandalueshëm, nëse merren parasysh disa këshilla; kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet; kontroll te tensionit te gjakut; mbajtje e peshes nën kontroll; aktivitet fizik 30 minuta të paktën në 5 ditë të javës; pakesim te yndyrnave në ushqim, sidomos ato shtazore; perdorimi i ushqimeve të pasura me fibra, si fruta, zarzavate, etj; mosperdorimi i duhanit dhe alkoolit.

 

Përgatiti dhe përshtati
STUDENTET.MK

 

About Author

Admin_S