Siç edhe e dimë tashmë, fëmijët me ADHD janë hiperaktivë, kanë vështirësi përqëndrimi dhe kjo natyrë e tyre ndikon  në bashkëveprimin social, akademik po aq sa dhe sjelljen në shtëpi.  Në rastin e fëmijëve/personave hiperaktive apo që mund të kenë  sjellje të ndryshme nga ne të tjerët, nuk mjafton thjesht dëshira e mirë për mirëkuptim apo për të mos i diskriminuar ata. Mosdiskriminimi dhe pranimi i tyre si çdo person tjetër supozohet që duhet të ishte i padiskutueshëm tashmë. Diskursi duhet të ngrihet mbi metodat si mundemi ne të gjithë ti vijmë në ndihmë konkrete atyre. Mesazhi im shkon në vecanti për të gjithë arkitektët, arreduesit, prindërit dhe mësuesit e tyre. Ambjenti rrethues është mjaft i rëndësishëm për të gjithë dhe duhet t’i shërbejë çdo njeriu maksimalisht; si fëmi apo i rritur, hiperaktiv, autik apo një personi me karrocë. Mund të duket jo i rëndësishëm por është e pamundur të ndash aktivitetin jetësor dhe mësimor nga ambienti fizik në të cilin ne të gjithë ndodhemi. Ndaj, krijimi i një hapësire të shëndetshme ku fëmijët mund të ndjehen të sigurtë, është celësi kyç për progresin e tyre. Meqënëse shtëpia është  ambjenti i parë më i rëndësishmi dhe mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e fëmive do ju lutesha prindërve të krijonin një mjedis të shëndetshëm për fëmijët me ADHD , krijimin e një vendi të mirë organizuar dhe të strukturuar për të jetuar dhe luajtur në mënyrë sa më komforte.Çdo fëmijë është unik dhe secili fëmijë mund t’i përgjigjet sfidave të ADHD ndryshe, ndaj nuk ka një dizajn fiks apo standart që të mund t’i përgjigjet cdo rasti, apo do mund të funksiononte tek çdo familje në mënyrë absolute. Megjithatë disa këshilla të përgjithshme mund të përfshinin:

Krijoni një ambient relaksues. Shpeshherë hapësirat e rrëmujshme na japin ndjesinë e nervozizmit dhe ngarkesës edhe atyre që nuk kanë siptomën e AHDH, ndaj njiheni mirë fëminë tuaj; cilat janë sendet apo gjërat të cilat i krijojnë parehati dhe eliminojini sa më shumë ato. Largojini nga dhoma pajisjet elektronike, lodrat me të cilat nuk luan apo nuk i pëlqejnë. Zëvendësoni sirtaret me raftet, vendosni çengela në mur ku mund të varin rrobet.

Përdorni një stil minimalist, sa më pak mobilje, apo detaje të ngarkuara. Një dhomë e mbushur me mobilje, shkresa ose aksesorë mund të jetë një mbingarkesë për mendjen, ndërsa thjeshtimi i thekseve në “një skemë ngjyrash monokromatike” do të minimizojë shpërqëndrimin.

Ngjyrat: Një rol të rëndësishëm kanë ngjyrat e përdorura në mure, në mbulesën e krevatit, cërcafët, dekorimin e dhomës.  Psh: ngjyra e bardhë është e ftohtë, e ashpër dhe mund të shkaktojë ankth. E kuqja është një ngjyrë me energji të lartë që nxit presionin e gjakut të një fëmije dhe kontribon në stres dhe agresion. Për të ulur ankthin, zgjidhni tonet e ngrohta të tokës. Ngjyrat blu janë të njohura për ngadalësimin e rrahjeve të zemrës, uljen e ritmit të frymëmarrjes dhe inkurajimin e qetësisë dhe përqendrimit. Në përgjithësi, qëndroni tek ngjyrat pastel, të buta, tek ngjyrat e tokës(jeshile, bezhë, kafe) dhe shmangni ngjyrat parësore.

Drita: Përdorimi i një drite të butë ndikon në qetësimin e personit. Ndricimi mund të arrihet duke përdorur pajisje ndricimesh të varura ose me shtresa të cilat përthyejne dritën.

Spoti kreativ/relaksues. Lokalizoni një pjesë të murit për fëminë të listojë gjërat që ka për të realizuar, apo nëse ka nevojë të shprehet të ketë mundësi të pikturojë dhe shkruaj. Mund të jetë një tabelë e zezë tek e cila mund të shkruash me laps / shkumës të bardhë.  Njëkohësisht krijimi i një hapësire për t’u vecuar paksa nga pjesëtarët e tjerë, për t’u relaksuar, apo lexuar një libër i ndihmon ata kur janë të nervozuar. Mund të jetë një kolltuk pranë dritares, apo një tendë në qoshe të dhomës.

Materialet: Është provuar se materialet e përdorura janë mjaft relaksuese nëse përbëhen nga tekstil i butë. Në vend të një tapeti të ashpër mund të përdorni qilima, mbi karriget prej druri mund të vendosni një jastik të hollë mbi të.

Është e rëndësishme të kuptojmë faktin se çdo njeri duhet të jetë në gjendje të orientohet lehtësisht në çdo ambjent, si shtëpi, shkollë, insitucione të ndryshme dhe ato vende i vijnë në ndihmë atij të përballojë më me lehtësi natyrën antropoligjike dhe emocionale tonën.

Shkruan: Brunilda Basha, ndjek doktoraturën për arkitekturë në Universitetin “Yildiz Teknik”, Turqi.

STUDENTET.MK

About Author