Të gjitha të dhënat e diskut janë të vendosura nëpër fajlla. Fajlli paraqet një përmbledhje të emërtuar të informacioneve të ruajtur në disk apo mjedis tjetër afatgjatë. Ekzistojnë dy lloje kryesore të fajllave: fajllat programorë, të cilët përmbajnë instruksione për kompjuter dhe fajllat me të dhëna të cilët përmbajnë të gjitha të dhënat të cilat futen me anë të programit aplikativ të caktuar. (Fajllat me të dhëna mjaftë shpesh quhen dokumente).
Përveç fajllave që krijohen gjatë programimit të kompjuterit, të gjithë fajllat e tjerë që krijohen gjatë punës me kompjuter do të jenë fajlla me të dhëna (data file). Çdo herë gjatë futjes së të dhënave në programin aplikativ të caktuar, çofshin ato në formë të: tekstit, numrave, figurave ose çfarëdo forme tjetër e të dhëna, gjatë ruajtjes së parë të tyre krijohet një fajll i caktuar. Meqenëse të gjithë fajllat, sipas përkufizimit duhet të kenë emrin përkatës, me rastin e dhënies së komandës për ruajtje do të paraqitet kërkesa nga programi për t’i dhënë emrin fajllit i cili është aktiv.