Në fjali dallohen dy anë; ana kuptimore dhe ana strukturore. Ana kuptimore e fjalisë është përcaktuar në historinë e gjuhësisë me terma të ndryshëm, zakonisht me fjalët se fjalia është shprehje e një “mendimi”. Por kur termi “mendim” njëjtësohet me brendinë e termit “gjykim” të logjikës, atëherë mbeten jashtë ato thënie që përmbajnë ndjenjat, vullnetin dhe pyetjen. Prandaj në përkufizimin e fjalisë për sa i përket anës kuptimore duhet theksuar se në fjali formësohet dhe shprehet një gjykim, një pyetje, një ndjenjë ose një dëshirë, d.m.th një kumtim relativisht i plotë.
Ana formale e fjalisë, d.m.th. ana Ieksikore-gramatikore dhe fonetiko-gramatikore, ka të bëjë me lidhjen e fjalëve sipas ligjeve të gjuhës shqipe, sipas llojeve të lidhjeve sintaksore që funksionojnë në fjali, dhe sipas tiparit tjetër të domosdoshëm të çdo fjalie, intonacionit të mbarimit, intonacion karakteristik për një tip të caktuar të fjalisë.
Brendia reale e fjalisë mund të jetë shumë e ndryshme. Ajo gjen shprehjen e saj në kategorinë gramtikore të kallëzuesisë, që është unitetii pandashëm i kategorisë së modalitetit sintaksor, të kohës sintaksore dhe të vetës sintaksore.
Në çdo kumtim folësi vë në lidhje brendinë e kumtuar në fjali me realitetin, duke treguar se brendia jepet si diçka reale ose joreale, e mundshme e domosdoshme, e dëshiruar, e kërkuar, e sigurt, ose e supozuar a hipotetike etj.
Në çdo kumtim folësi vë gjithashtu në lidhje shtjellimin e procesit të shprehur në fjali me çastin e ligjërimit, të shqiptimit të fjalisë (drejtpërdrejt ose nëpërmjet një çasti tjetër).
Nocioni i modalitetit përfshin shprehjen e qëndrimit të folësit ndaj realitetit me mjete të ndryshme morfologjike, sintaksore, leksikore dhe intonacionore. Modaliteti i fjalisë është më i gjerë se modaliteti i mënyrave morfologjike (dëftore, lidhore, urdhërore etj.), prandaj në fjali bëhet fjalë për modalitetin sintaksor.
Trajtat morfologjike të mënyrës në gjuhën shqipe shprehin realitetin e procesit ose jorealitetin e tij. Kështu, mënyra dëftore e tregon procesin si diçka reale; habitorja zakonisht si diçka reale që shkakton habi, si diçka të
papritur; mënyra dëshirore si diçka të dëshiruar, mënyra urdhërore si diçka të kërkuar, Iidhorja si diçka të mundshme, të dëshirueshme etj.
Po bie shi. Rënka shi. Të binte një shi tani në korrik, do të bëhej misri det. – Të nisemi! – Që tani të nisesh! – Mos u nis!
Te fjalitë si: Natë – shqiptuar me intonacionin e shpalljes, deklaratës, folësi kumton praninë e dukurisë si diçka reale përgjithësisht në kohën ë tashme (=Është natë). Te fjalia “Zjarr” mund të kemi ose modalitetin sintaksor të dëftores (=Ka rënë zjarr), ose modalitetin e nxitjes, kur shqiptohet me intonacionin e urdhërit, kur jepet urdhëri për të shkrehur armët (“Zjarr.’).
Qëndrimi modal i folësit ndaj realitetit që shfaqet në fjali, mund të theksohet me mjete leksikore, konkretisht me fjalë modale, që përforcojnë çka është shprehur nga mënyra e foljes. Ato mund të tregojnë ose sigurinë e folësit për përputhjen e brendisë së kumtimit me realitetin, siç është rasti me fjalët modale vërtet, sigurisht, me siguri, natyrisht, pa dyshim etj., ose pasigurinë e tij, dyshimin e tij për këtë, siç është rasti, i fjalëve dhe togjeve: ndoshta, sikur, ka të ngjarë etj. Krahasoni p.sh.: Hidrauliku do të vijë pasnesër (modalitet i realitetit) dhe: Me siguri, hidrauliku do te vijë pasnesër (modalitet i realitetit i përforcuar Hidrauliku ndoshta do të vijë pasnesër (modalitet i pasigurisë). Modaliteti i gjasësisë, i pasigurisë, i shprehur këtu me fjalë modale, mbulon, neutralizon modalitetin e realitetit të shfaqur në mënyrën ‘ morofologjike të dëftores.
Kategoritë e modalitetit dhe të kohës kanë pra edhe fjalitë pa folje. Në të tilla raste ato shprehen me mjete sintaksore dhe intonacionore.
Pjesë përbërëse e kallëzuesisë është edhe kuptimi sintaksor i kohës, kuptim i kushtëzuar herë-herë edhe nga konteksti (a situata). Kështu kemi p.sh. përdorimin e trajtës të së kryerës së thjeshtë të dëftores me kuptimin sintaksor të së ardhmes së afërt, si te shembulli: Petrit! Ja erdha! (=nji tash do të vij), ose përdorimin e trajtës së tashme të dëftores me kuptimin sintaksor të së ardhmes, si te shembulli: Nisemi nesër në mëngjes (=Do të nisemi nesër në mëngjes).
Kështu përdorimet e ndryshme të trajtave morfologjike të mënyrave dhe të kohëve janë, në të vërtetë, vlerat sintaksore që marrin këto trajta në kontekste e situata të ndryshme, në bashkëveprim edhe me mjete të tjera leksiko-gramatikore, leksikore dhe intonacionore.
Fjalisë mund t’ i jepet ky përkufizim:
Fjalia është njësia sintaksore themelore e kumtimit ligjërimor, që shprehet me një a më shumë fjalë teë lidhura gramatikisht, të shqiptuara me një intonacion mbarimi, dhe që shpreh një gjykim, njeë pyetje, një dëshirë, një nxitje a një ndjenjë, si dhe qëndrimin e folësit ndaj realitetit të brendisë së kumtimit.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe