Histroria e letërsisë shqiptare (që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare) e vitit 1983, është vepër kolektive, e bërë nën drejtimin e Dhimitër S. Shuteriqit. Do theksuar që kjo vepër është e mbështetur fort në veprën pararendëse, po ashtu të Dhimitër S. Shuteriqit, të botuar më 1959-1960. Këtu letërsia shqipe ndahet në tri periudha:
1. Letërsia e vjetër shqiptare
2. Letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare
3. Letërsia e periudhës (së shtetit shqiptar të viteve) 1912-1939.
Do të thotë nuk përfshin atë që do të quhej eventualisht letërsia bashkëkohore. Këtu shohim që ka kritere të ndryshme për emërtimin e secilës periudhë: e para është arbitrare, si letërsi e vjetër; e dyta është kulturore nacionale, si letërsi e Rilindjes; e treta është politike e shtetërore, si letërsi e shtetit shqiptar. Autorët që në parathënie nënvizojnë: “kur është çështja për periodizimin, në këtë vepër të re u adoptua periodizimi i njohur, sipas etapave të historisë së popullit tonë.”
Kjo histori e letërsisë shqipe, me pretendime akademike, është një rend kronologjik i trajtimit kritik të autorëve, por me parabazë ideologjike. Kjo vërehet në mënyrë tepër të veçantë me përjashtimin e disave nga autorët e njohur shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit njëzet, të cilët në pasqyrimet e përparme të përgjithshme të letërsisë shqipe kishin një vend dhe një trajtim të veçantë. Historiani i njohur i letërsisë Rexhep Qosja, në studimin Periodizimi i letërsisë shqipe, të vitit 1979, duke shqyrtuar kriteret e një historie të letërsisë shqipe propozonte këtë periodizim:
1. Romantizmi (që nis më 1836)
2. Romantizmi-Realizmi-Simbolizmi (që nis më 1902)
3. Letërsia sociale (që nis më 1934)
4. Realizmi integral (pa një datë të fiksuar të nisjes).
Qosja këtë periodizim e jep në trajtë të tabelës me dy hyrje: Jeta dhe Forma. Rexhep Qosja në veprën e tij Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I, II, III21 të vitit 1984, që në parathënie skicon një periodizim tjetër të plotësuar të letërsisë shqipe, duke e paralajmëruar me titujt punues të veprave të veta: Letërsia e vjetër, Romantizmi, Prej romantizmit deri te realizmi, Letërsia sociale dhe Letërsia e sotme. Edhe Qosja, që teorikisht e kundërshton periodizimin në bazë të periudhave historike apo ideologjike, duke kërkuar një periodizim letrar, nuk arrin ta përmbyllë kërkesën e vet, sepse kriteret e periodizimit i ka të natyrave të ndryshme. Kemi përkufizim letërsi e vjetër e letërsi e sotme si përcaktim kohor pa cilësim letrar, pastaj periodizim me formacione stilistike, si romantizmi e realizmi, për të arritur te përkufizimi me zotërimin tematik, letërsi sociale. Në anën tjetër studimi i Qosjes për romantizmin kapërthen dy kërkesa të tij si kritere për shkrimin e historisë së letërsisë shqipe, atë të mbrendshme dhe të jashtme. Prandaj, studimi i tij përbëhet nga një vëllim që merret me poetikën e romantizmit dhe nga dy vëllime të tjera që përmbajnë studime monografike për shkrimtarët kryesorë të romantizmit.
Ibrahim Rugova në veprën Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504-1983)22, të vitit 1986, i hyn i pari sistematizimit historik të kritikës letrare.
Libri ka dy pjesë.
Pjesa e parë ka kaptinat:
A. Fillimet e mendimit kritik (I deri IV)
B. Kritika e Rilindjes Kombëtare (I deri VIII)
C. Kritika e periudhës 1912-1944 (I deri XIII).
Pjesa e dytë ka kaptinën
A. Kritika bashkëkohore.
Rugova para çdo kapitulli, në hyrje ka rubrikën Konteksti socio-kulturor, në të cilën e përballon sistemin e të menduarit kritik me rrethanat e jashtme shoqërore, në mënyrë që mëpastaj të diskutojë veç e veç pikëpamjet letrare të kritikëve në periudha të ndryshme. Edhe për kritikën këtu janë emërtuar e sugjeruar emërtime të periudhave me kritere të përziera: kohore, fillimi kritika e vjetër e kritika bashkëkohore; kulturore, kritika e Rilindjes dhe kohore e historike-politike, kritika e viteve 1912-1944. Në anën tjetër, Rugova në studimin e tij Vepra e Bogdanit 1675- 1685, të vitit 1982, pas interpretimit gjenetik e analitik të veprës së autorit të madh, propozon një periudhë letrare si letërsi e vjetër shqipe, në të cilën Bogadani do të jetë autori më i madh.
Studimi i Rugovës karakterizohet me një bibliografi kritike gati shteruese dhe me një tregues historik të termave, i cili anticipon një pamje historike të teorisë shqipe. Autori i këtyre rreshtave (Sabri Hamiti), në dy deceniet e fundit, disa herë i është kthyer problemit të shqyrtimit tërësor të letërsisë shqipe. Në studimin Kodet e mëdha të letërsisë shqipe të vitit 1989 shpalon kodet tematike, kodet ligjërimore e statusin e letërsisë. Në studimin Nocione të letërsisë shqipe (1989) përkufizon nocionet letërsi biblike, bejtexhinjtë, letërsia e Rilindjes, letërsia moderne. Në shkrimin Pamje e letërsisë shqipe kërkon përkufizimet: letërsi qëllimore, letërsi metaforike, letërsi metonimike. Në studimin Monumentet e kulturës së identitetit (2000) i karakterizon monumente letrare identifikuese të kësaj kulture: Historinë e Skënderbeut të Barletit, Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe Kângët e kreshnikëve.
Në studimin Shkollat letrare shqipe (2004) propozon në rrjedhë kohe shtatë shkolla letrare: filobiblike, romantike, kritike, moderne, soc-realiste, disidente, moderne (Kosovë). Po në këtë studim autori përkufizon modelet letrare të shqipes, si tejkohore: shkalla zero e letërsisë, shkalla e parë e letërsisë dhe shkalla e dytë e letërsisë. Në librin Tematologjia (2005), autori përpiqet që kërkimet e mëpërparshme teorike rreth historisë së letërsisë shqipe t’i sistematizojë duke pasur parasysh gjithë korpusin e saj letrar. Këto koncepte për lexime e sprovime letrare në histori të letërsisë kanë për bazë formacionet stilistike; kodet tematike e ligjërimore; tipologjinë e figurës, shkallët letrare, tipologjinë e zhanrit, funksionin letrar të autorit, për të përfunduar në mënyrë implicite në një poetikë historike të shqipes, si anticipim të një historie të letërsisë shqipe.
Sa i përket çështjes së periudhave letrare, autori në korpusin e studimeve të veta të botuara më 2002 propozon:
1. Letërsia filobiblike
2. Letërsia romantike
3. Letërsia moderne
4. Letërsia bashkëkohore.
Robert Elsi e ka botuar librin Histori e letërsisë shqiptare më 1995 në anglisht. Duke shkruar libër të destinuar për lexuesin e huaj, autori merr mundin të japë bibliografi të pasur, kronologji të letërsisë shqipe, ashtu dhe shënime e evidenca për zhvillimet historike, shoqërore e politike të shqiptarëve, të cilat nuk do t’i kërkonte një tekst i shkruar në shqip për letërsinë shqipe. Libri i Elsit ka 13 kaptina, të cilat emërtohen me kritere të ndryshme, herë letrare, herë historike, herë politike e herë si trashëgimi kulturore. Nganjëherë kaptinat emërtohen përmes gjuhës metaforike, si: Shkëlqimi i Orientit, Trashëgimia e Bizantit, Nën qiellin e kthjellët italian, Gjaku ynë i shprishur. Nganjëherë emërtimet lidhen me shekujt, nganjëherë me kulturën nacionale, si periudha e Rilindjes; nganjëherë me karakterizime të rrymave letrare e nganjëherë me përkufizime ideologjike të epokës, si letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985).
Një herë tjetër është kriteri i vendit që del si përkufizues, letërsia shqiptare në Kosovë.
Në veprën e Elsit ndeshet një konfuzion kur bëhet përpjekja të kryqëzohen rrjedhat historike me shenjat tipologjike, me qarqe gjeografike, me shenja ideologjike, për t’u humbur koncepcioni i vërtetë letrar. Elsie nuk e lexon letërsinë (duket që këtu mungon interpretimi), ai vetëm kombinon mendime të të tjerëve, pa i sprovuar këto në një dije e njohje sistematike të kësaj letërsie. Shtron çështjen e letërsisë e të fesë si element përcaktues të saj, si dhe të letërsisë e të ideologjisë.
Nga kjo paraqitje e shpejtë e provave për të bërë historinë e letërsisë shqipe gjatë shekullit njëzet del që autorët shqiptarë japin më pak shënime (duke i marrë si të vetëkuptuara) dhe përpiqen të bëjnë më tepër sistematizime; kurse autorët e huaj bëjnë më pak sistematizime dhe japin më tepër referenca, qoftë në vështrimin e bibliografisë, qoftë dhe shënime që lidhen me shoqërinë shqiptare dhe me kontekstin jashtëletrar më tepër se me kontekstin letrar.
Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK