Pyetja: Universi është shumë i madh. Si ka mundësi që ne, aq të vegjël, të jemi në qendër të këtij universi gjigant?

Përgjigjja: Ateisti bën një supozim të pakuptimtë, duke thënë: “Meqenëse universi është i madh, atëherë njeriu nuk është qendër e këtij universi!”

Ky supozim bazohet në premisën: “Meqenëse fermat janë të gjera dhe pronari i saj është shumë i vogël në krahasim me to, atëherë ai nuk është pronari i tyre!” Në fakt, kjo nuk ka të bëjë fare me madhësinë.

Morali nuk ka përmasa materiale dhe është kriteri më i madh për t’i konsideruar njerëzit si më fisnikë ose më të përçmuar. Ç’është e vërteta, njerëzit kanë rëndësi në bazë të moralit të tyre, prandaj çështja e madhësisë nuk është kriter!

Le të japim këtë shembull: nëse një mbret ka bërë disa ligje me të cilat e ka këshilluar djalin e tij dhe i ka këto ligje në një libër, a do të ishte e mundur që dikush të kundërshtonte dhe të thoshte: “Si ka mundësi që një mbret që zotëron miliona hektarë tokë të kujdeset për djalin e tij, madhësia dhe pesha e të cilit është edhe më e vogël sesa një pjesë e një milioni të tokës që zotëron ky mbret?” Allahut i takon shembulli më i lartë. Në radhë të parë, a mund të jetë i arsyeshëm një kundërshtim i tillë? Kjo nuk ka të bëjë me peshë e me madhësi.

Për më tepër, a nuk ishte krijuar ky univers nga një pikë që ishte bilionë herë më e vogël sesa maja e gjilpërës, ashtu siç theksojnë të gjithë fizikanët e botës? Prandaj, madhësia është relative. Për më tepër, pse do të duhej të shqetësohej një ateist nga fakti se Allahu krijon çfarë të dojë dhe në mënyrën që Ai dëshiron? A thua i mungojnë Zotit burimet që Ai të kursejë e të mos shpenzojë? I Lartësuari është përtej këtyre gjërave!

Megjithatë, a është e vërtetë që ne përfaqësojmë vërtet një qendër në këtë univers? Po, njeriu është qendra e këtij universi, sa i përket detyrës hyjnore. Kjo detyrë hyjnore është feja. Feja është besimi që mbart njeriu, që është sprova më e madhe nëpër të cilën i duhet të kalojë. Juve ju kërkohet të jeni shërbëtor i Allahut të Plotfuqishëm, e në këtë rast ju jeni një qendër në këtë univers, jo për madhësinë, fuqinë ose aftësitë tuaja, por për shkak të detyrës hyjnore që e keni. Ti je i aftë të bësh të mirën dhe të heqësh dorë nga e keqja, je i aftë të jesh besimtar ose jobesimtar. Të gjithë e dimë se jemi të ngarkuar me detyra fetare, me dëshirë apo pa dëshirë! Të gjithë e dinë, ateisti, besimtari, agnostiku dhe të gjithë të tjerët, se janë nën caktimin fetar. Secili prej tyre e percepton këtë detyrë hyjnore dhe e ka ndjesinë e një ndërgjegjeje morale. Secili e di se ka diçka brenda vetes që i thotë: “Bëje këtë dhe mos e bëj atë”, “Bëj mirë e mos bëj keq”. Secili prej nesh e di nga realiteti i vetvetes se i kërkohet të pajtohet me këto rregulla! Ne jemi në qendër të këtij universi për nga detyra fetare.

Gjithashtu, ne jemi në qendër të këtij universi nga ana perceptuese dhe njohëse. Ne e perceptojmë, e kuptojmë dhe e njohim realitetin e ekzistencës sonë, realitetin e universit që na rrethon dhe kuptimin e ekzistencës sonë. Ne jemi ata që jemi përgjegjës për detyrat, përgjegjësitë dhe për dhënie të llogarive. Ne jemi të vetëdijshëm për paraqitjen e shkëlqyeshme të një formulimi të kujdesshëm. Ne jemi qenie të vetëdijshme për ligjet e përsosura dhe ne jemi në gjendje të kryejmë detyrat tona ose të refuzojmë ta bëjmë këtë. Ne jemi plotësisht të aftë për të zgjedhur dhe ne jemi të aftë të jemi besimtarë ose jobesimtarë. Ne jemi në qendër të këtij universi.

“Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).”
[Surja El Ahzab: 72]

Dr. Hejthem Talat

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *