Gjatë sprovave për shkrimin e historisë së letërsisë shqipe (sidomos nga autorët shqiptarë) dalin në pah dhe diskutohen dy nocione themelore: periudha letrare (periodizimi) dhe qarku letrar. Periudha, si kaptinë kohore historike, është term kohor që do të bëhet edhe term letrar, me emërtim apo pa emërtim të formacionit letrar. Kur bëhet periudhë letrare, ajo nënkupton dhe sistem letrar të vlerave të përbashkëta.

Në pasqyrën e përparme ne pamë që Át Justin Rrota, Gaetano Petrota, Eqrem Çabej (pjesërisht), Ernest Koliqi, Dhimitër Shuteriqi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Robert Elsie në studimet e veta periudhën letrare e trajtojnë si instrument historik apo tipologjik të historisë së letërsisë shqipe, që ka nismën në sinkroni dhe mbërrin në diakroni. Mirëpo, përkufizimet e tyre të periudhës letrare kanë variacione nga përkufizimi historik te përkufizimi social, ideologjik, kulturor e letrar.

Në anën tjetër, çështjen e qarkut kulturor e letrar si nocion historik letrar apo gjeografik letrar, e ka sistematizuar Eqrem Çabej. Ideja duket që në formën elementare shfaqet së pari te Midhat Frashëri, bëhet më e strukturuar (në pesë qarqe) nga Maksimilian Lamberci më 1921, për t’u sistematizuar nga Çabej më 1939.

Kjo është një ide që është diskutuar si johistorike dhe është rimarrë në mënyra të ndryshme nga autorë të mëvonshëm. Në mënyrë të veçantë kjo është diskutuar nga Ernest Koliqi. Ky e pranon vlerësinë e nocionit të qarqeve letrare të Çabejt, sidomos për tre qarqet parakombëtare. Koliqi shkon dhe një hap më tutje dhe këtij nocioni i shton një nocion të vetin me kuptim të barasvlershëm: ujdhesa letrare, duke e parë këtë fenomen edhe në letërsinë shqipe të shekullit 19 dhe të shekullit 20. “Me këte duem të thomi se edhe në shekullin XIX-ët letërsia shqipe vazhdoi të shpalohet n’ujdhesa të veçueme”. Shqyrtimi i Koliqit ka të bëjë me veçanti letrare të këtyre ujdhesave, por edhe me dialektet. Ai mendon që është Albania e Konicës ajo që nis t’i shprishë këto ujdhesa të veçueme duke botuar letërsi të të gjitha dialekteve dhe duke bërë që këto të lexohen kudo.

Koliqi këtë ide të veten përtej kronologjike, që shkon kah tipologjikja, e kryqëzon tani me një term të ri: rrymba letrare, e cila kalon përtej rrjedhave krahinore.

Koliqi dëfton që:

a) Mjedja është më afër Skiroit se sa Fishtës;

b) që Koliqi është më afër Lasgushit se sa Prenushit e Palajt;

c) që Shantoja (në prozë) është më afër Konicës se sa Anton Harapit.

Ideja e Çabejt bëhet produktive te Koliqi edhe gjatë studimit të qarkut të letërsisë kombëtare, kur në studimin e tij Poetët e mdhaj i gjen përfaqësues De Radën, Naim Frashërin e Gjergj Fishtën. Kjo logjikë e diskutimit të periudhave e të qarqeve letrare në historinë e letërsisë shqipe, duket që përfundimisht e shpie diskutimin nga pamja e jashtme e kësaj letërsie kah pamja e mbrendshme, për të arritur tek ajo që është ligjësi e përgjithshme letrare e letërsisë shqipe, që do të duhej të ishte pika themelore e nisjes për hartimin e një historie letrare me kritere të artit.

Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *