Pasi kam lexuar librin “Why Nations Fail” të Daron Acemoglus dhe Johnson Robinson më është përforcuar edhe më shumë bindja mbi rëndësinë e efektivitetit të institucioneve të një shteti, e cila do të rezultonte në prosperitet ekonomik, paqe, siguri dhe krijimin e një shoqërie mbi baza të moralit dhe besimit.

Institutcionet e karakterit politik, ekonomik dhe socio-kulturor ndërtojnë bazat mbi të cilat shoqeritë, shtetet dhe popujt ndërmarrin iniciativa ekonomike, përmbushin obligimet shtetërore si dhe gëzojnë të drejta politike, ashtu sikurse jetojnë në harmoni duke gëzuar  paqe dhe stabilitet të mirëfilltë.

Pas analizave të shumta krahasuese mes shteteve të cilët nuk kanë dallim gjeografik, klimatik por as që nuk dallojnë nga kultura, traditat dhe zakonet, dalin në pah faktorë tjerë të cilët fuqishëm i prijnë mirëqenies ekonomike dhe suksesit politik në vend, dhe ato njihen si “institucionet gjithpërfshirëse”, në krye të së cilave qëndron parimi i pjesëmarrjes aktive të popullatës në mekanizmin e vendimmarjes.

Çfarë janë institucionet gjithpërfshirëse sipas Acemoglus?

Institucionet gjithëpërfshirëse ekonomiko-politike mbështesin aspiratat materiale të shumicës së popullatës. Ato “kanë të drejta të sigurta pronësore, një sistem të paanshëm dhe ligjor dhe një ofrim të shërbimeve publike që sigurojnë një lojë të barabartë, në të cilën njerëzit mund të shkëmbejnë dhe të kontraktojnë.” Këto institucione sigurojnë që njerëzit të realizojnë pjesën më të madhe të përfitimeve nga përpjekjet e tyre. Njohuritë e tyre do t’i inkurajojnë ata të zgjedhin karrierën e përshtatshme ku do t’i përdorin më së miri aftësitë e tyre, aftësi këto që do t’i zhvillojnë përmes këtij arsimi, dhe nëse është e nevojshme, të fillojnë bizneset e tyre dhe të investojnë në vendet përkatëse. Ndërsa, sa i përket institucioneve politike, ato janë gjithëpërfshirëse nëse janë të dy pluralistë dhe të centralizuar sa duhet, duke përkrahur faktin që pluralizmi fuqizon pjesën më të madhe të popullsisë.

Çfarë lidhshmërie duhet të ketë mes institucioneve gjithpërfshirëse dhe formimit të shoqërisë mbi themelet e besimit?

“Besimi” mund të ndikojë në performancën ekonomike përmes dy kanaleve kryesore, “mikro-ekonomike” dhe “makro-politike”. Në nivelin mikro, lidhjet shoqërore dhe besimi ndërnjerëzor mund të zvogëlojë kostot e transaksioneve, të zbatojë kontratat dhe të lehtësojë kredinë në nivelin e investitorëve individual. Në nivelin makro, kohezioni social që mbështet besimin, mund të forcojë qeverisjen demokratike (Almond dhe Verba 1963), të përmirësoj efikasitetin dhe të forcojë ndershmërinë e administrimit publike (Putnam 1993), dhe njëashtu të përmirsoj cilësinë  e politikave ekonomike (Easterly dhe Levine 1997) –

Inglheard 1990, pas disa analizave dhe kalkulimeve statistikore përfundon se gjendet një lidhje e drejtpërdrejtë mes besimit dhe stabilitetit demokratik të institucioneve.

Prandaj, punësimi i kuadrove adekuate nëpër institucione, vullneti i tyre për korrektësi dhe sukses, përkushtimi në udhëheqjen e detyrës, dhe më e rëndësishmja, kreativiteti i tyre për ide, projekte të reja, janë disa nga hapat e parë drejt konsitutimit të një institucioni të shëndosh mbi baza të moralit dhe besimit që ky institucin të jetë jetëgjatë dhe premtues për të ardhmen e vendit.

Përgatiti: Emine Haxhiu

About Author

Admin_B