Paratë e gatshme janë nocion më i gjerë, duke përfshirë si paratë e gatshme ashtu edhe ekuivalentët e tyre. Ekuivalentët e parave të gatshme janë investime që mund të konvertohen në shuma të njohura të parave të gatshme dhe përgjithësisht maturohen jo më shumë se tre muaj nga blerja e tyre. Ende shumë investime maturohen brenda 3 dhe 12 muajve. Këto investime janë investime afatshkurtra, gjithashtu të njohura si investime të përkohshme ose letra me vlerë të tregtueshme.
Një investim përcaktohet si një aktiv apo pasuri tjetër, i blerë dhe mbajtur me qëllim që prej tij të sigurohet një e ardhur ose rritje kapitali. Investimet afatshkurtra janë letra me vlerë që menaxhmenti tenton ti konverton në para të gatshme brenda një viti ose cikli operativ, cilido qoftë me i gjatë dhe janë të gatshëm për tu konvertuar në para të gatshme.
Investimet afatshkurtra janë aktive afatshkurtra dhe shërbejnë për qëllime të ngjashme me ekuivalentët e parave të gatshme. Investimet afatshkurtra përfshijnë letrat me vlerë të kapitalit dhe të borxhit. Letrat me vlerë të borxhit reflektojnë marrëdhëniet e kreditorit, siç janë investimet në dëftesa, obligacione dhe certifikatat e depozitave. Letrat me vlerë të borxhit emetohen nga qeveritë, kompanitë ose individët. Letrat me vlerë të kapitalit reflektojnë marrëdhëniet e pronësisë siç janë aksionet emetuara nga kompanitë. Në shtojcat e pasqyrave financiare, firmat zakonisht duhet të japin një përshkrim të investimeve të tyre afatshkurtra.
Në vazhdim janë të paraqitura në mënyrë përmbledhëse disa nga karakteristikat e instrumenteve financiare që tregtohen në tregun e parasë, kur firmat mund të investojnë duke i llogaritur këto si investimet afatshkurtra.
1.Bonot e thesarit
Bonot e thesarit tërhiqen nga investitorët sepse të ardhurat e siguruara prej tyre në përgjithësi përjashtohen nga tatimi. Bonot e thesarit shlyhen nga qeveria andaj kanë risk të ulët. Shitja bëhet në ankande të organizuara për këtë qëllim. Në SHBA bonot e thesarit zakonisht kanë afat maturimi prej 91 ose 182 ditë. Në Francë ky lloj i instrumentit financiar emetohet nga ”Trèsor Public”. Në vendin tonë bonot e thesarit për herë të parë janë emetuar në janar të vitit 2004, ku emetues i bonove të thesarit është Qeveria e Maqedonisë, respektivisht Ministria e Financave, përderisa Banka Popullore luan rolin e agjentit qeveritar.
2. Letrat tregtare
Letrat tregtare emetohen nga firma tregtare të mirënjohura dhe me reputacion. Përndryshe, letrat tregtare përfaqësojnë një dëshmi premtimi të pa garantuar e emetuar për një shumë të caktuar dhe me maturim në një datë të caktuar. Maturimi i letrave tregtare shkon deri 270 ditë. Shkalla më e lartë e riskut bën që tregu dytësor për letrat tregtare të mos jetë aq aktiv sa ai i bonove të thesarit. Në Francë kanë maturitet prej 1 deri 360 ditë, por kryesisht 20-40 ditë.
3. Marrëveshjet e riblerjes
Si instrumente të tregtueshme në tregun e parasë janë edhe marrëveshjet e riblerjes të njohura në anglisht si Repo. Te marrëveshjet e riblerjes duhet të theksojmë faktin se pala që e shet letrën me vlerë me marrëveshjen për ta riblerë pas disa ditësh, asaj nga ky transaksion i sigurohet likuiditeti i nevojshëm për atë periudhë. Ndërkaq, pala tjetër që e blen për ta rishitur këtë transaksion e konsideron si investim.
4. Pranimet e bankierëve
Pranimet e bankierëve janë një miratim (pranim) me përgjegjësi për një pagesë të ardhshme dhe përgjithësisht përdoren në transaksionet tregtare ndërkombëtare, si garancion si nga ana e eksportuesit ashtu edhe e importuesit. Maturi i pranimeve bankiere lëviz nga 30-170 ditë.
5.Certifikatat e depozitave
Certifikatat e depozitave emetohen nga bankat në vlerë prej 100,000$ ose më shumë dhe me maturim prej 3 muajsh ose më shumë. Në Francë janë të njohura si ”Certificats de dèpôts” në shuma prej 150,000 Euro dhe me maturitet prej 1 deri 360 ditë. Pas viteve 1970 përdorimi i këtij instrumenti ka qenë mjaft i madh. Kjo ka ardhur për shkak të dy karakteristikave kryesore: së pari, ato shpesh ofrojnë norma interesi të luhatshme, duke mbajtur parasysh inflacionin dhe së dyti, ato janë të tregtueshme në tregun dytësor, e cila rrit shkallën e likuiditetit të tyre. Sidoqoftë, investimet afatshkurtra qofshin në letrat me vlerë të borxhit ose kapitalit regjistrohen me koston e blerjes së tyre. Trajtimin kontabël e japim përmes shembujve si në vijim.
Burimi: Parimet e kontabilitetit financiar – Fitim Deari